Akuzat e Ben Blushit, Bushati priti një telefonatë, mbuloi buzën me dorë dhe pastaj i’u përgjigj

May 23, 2015 | 20:49
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë kohës që deputeti i PS-së Ben Blushi ka lëshuar një lumë akuzash për “diplomacinë diletante” dhe “përfaqësimin e dobët e Shqipërisë në rajon”, është parë i tensionuar në Kuvend.

Deputeti Ben Blushi dhe ministri Bushati

Gjatë kohës që Blushi fliste në foltoren e Kuvendit, në mungesë të Kryeministrit, Bushati ka shkuar të komunikojë më zëvendëskryeministrin Niko Peleshi.

Gjatë kësaj kohe Bushati nuk ka ngritur dorën për të replikuar me kolegun e PS-së, por ka pritur një telefonatë, gjatë së cilës ka mbuluar me dorë buzët për të mos u lexuar nga kamerat.

Pas Blushit ka folur kreu i Grupit të PD-së, Edi Paloka, dhe pas tij ministri ka marrë fjalën për të mbrojtur punën e bërë prej tij në krye të diplomacisë.

Ministri nuk i dha përgjigje direkte akuzave të Ben Blushit, por ka kërkuar nga kolegët që të kontribuojnë dhe të ofrojnë alternativat e tyre për të përmirësuar punën në diplomacinë e vendit.

“Kolegë, jeni aty që të na tregoni alternativat tuaja. Duhet të jeni më seriozë dhe të tregoni çfarë duhet të bëjmë që ta përmirësojmë diplomacinë”, ka thënë dje Bushati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura