Aktorëve shqiptarë s’iu bëhet vonë për Teatrin Kombëtar!

Mar 27, 2018 | 9:44
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ/ …Dhe as për ndonjë teatër tjetër, ndërkombëtar! Prej këtij të fundit mund të shijonin lavdinë, ta shisnin për profesionalizëm të shkallës së lartë, por në darkë, as për këtë nuk do t’u bëhej vonë!

Teatri-Kombetar-600x338 (1)

Mbrëmë, në orën 18:00, në oborrin e Teatrit Kombëtar, për takimin e radhës në mbrojtje të teatrit aktual, restaurimit të tij, ishin shumë më pak aktorë nga ç’do kishin qenë në një pasdite pranverore, ku do ekspozoheshin modelet më të reja të kapeleve apo zhartierëve! Me gjasë, te këto të fundit, do të ishin të gjithë!

Nga studentët deri te pedagogët, të gjithë, për të bërë bashkë ato që dinë të bëjnë më mirë. Dje, në oborrin e Teatrit Kombëtar, të vinte keq për veten që kishe marrë mundimin e kishe shkuar në një mbledhje të dështuar, që nga fillimi.

Nëse do kishin dashur ta ruanin godinën e territorin aktual të Teatrit Kombëtar, me siguri do t’ia kishin dalë! Por ata nuk duan, sepse as që u duhet! Fytyrën e radhës, që do veshin, do ta tregojnë kudo që të jetë, kudo që t’i çojnë. Në tarracë, në bodrum, në liqen… ku të jetë!

Në fund do zhvishen dhe do t’i rikthehen rolit permanent, rehatisë e bindjes ndaj kujtdo e gjithçkaje, sepse nesër, ku i dihet ç’nevojë do ketë secili, nëse do të flasë, s’do mund të përmbushë nevojat e shtëpisë. Dje, aktori Robert Ndrenika nuk doli të flasë si në herët paraardhëse.

Ndoshta as që u pa përmes kamerave që ishte aty. Aty ishte!

Në fund, duke ikur me çadrën e madhe dhe ecjen e ngadaltë, u kthye me vështrimin nga godina e lartë e Torre Drinit që është ngritur thuajse në murin e Teatrit Kombëtar: “Ne nuk jemi sot indiferentë, indiferentë kemi qenë gjithmonë, që kur u ndërtua ajo atje e tani që po ndërtohen këto të tjerat këtu ku po ecim tani. Jemi indiferentë, asgjë nuk na bën më përshtypje!”.

Indiferentizmin po vazhdonte ta pëshpëriste nëpër dhëmbë, ndërsa mori rrugën të ikte, vetëm, siç kishte ardhur, për shtëpi! Këtë herë nuk ishte më turma e kolegëve të tij që ta vinin në qendër, për t’i treguar shikuesve të tyre se po mbronin territorin e tyre. Ata shfaqjen e dhanë një herë, pas premierës ngarkesat emocionale nuk janë më ato, të vejë si të vejë, të bëhet ç’të bëhet! Dje, në takimin e radhës, për të cilin thanë se nuk do të ishte as i fundit, organizatorët pohuan se nuk i kishin lejuar të përdornin asnjë sallë të teatrit dhe sa mirë, sepse asnjëra nga sallat nuk do t’i nxinte!

Me gjithë keqardhjen për pafuqinë e zërit të atyre pak aktorëve e artistëve që improvizuan atë takim të rrumbullakët në oborr, salla, cilado të ishte, do të kishte ngelur bosh, sepse aktorët numëroheshin me gishta! Kur takimi nisi, ishin aty: Robert Ndrenika, Bujar Asqeriu, Bujar Kapexhiu, Anila Bisha, Arben Derhemi, Vasjan Lami, Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Sokol Angjeli, Alert Çeloaliaj, Alfred Trebicka, Dritan Boriçi, Erjona Kakeli.

Të më falin ata dy, tre apo qoftë edhe pesë të tjerët që nuk i kam parë! Ishin të pranishëm pak arkitektë të ftuar, ndërsa rrethi ishte dendësuar me studentë, të sjellë për numër dhe asnjë kalimtar i rastësishëm nuk u afrua as si dekor për të zgjatur të paktën kokën, se ç’hall kish’ ky grup njerëzish që ishte mbledhur nëpër shi.

Mundet, që edhe këta pak të jenë të vendosur e ta zvarrisin çështjen edhe për një farë kohe, por jo aq sa të përmbysin plane. Po të kishin qenë aty të gjithë, do ishin edhe ca “të gjithë” të tjerë që do t’iu bashkoheshin. Po t’i takosh o telefonosh një për një, secili prej aktorëve të thotë “Le të bëjnë ç’të duan, siç kanë bërë gjithmonë, ç’më duhet mua”- vazhdimin e frazës “t’i prish punë vetes”, nuk e ka të vështirë ta plotësojë askush.

Edhe teoritë me histori e memorie teatri, që bëjnë sa herë futen në rol, kur u vendoset përpara një mikrofon, do t’i ndalojnë së shpejti, sepse atyre nuk u bëhet fare vonë për Teatrin Kombëtar, duan vetëm rehatinë në shtëpi.

Sigurisht që kjo nuk ka pse të jetë vetëm çështje e artistëve, por është sidomos e tyre, prandaj ose të vendosin të flasin e të jenë bashkë të gjithë, ose të shkrydhen në cilëndo kafene që t’i çojnë, sepse atë meritojnë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura