Aida Shtino humb gjyqin me “Klanin”, avokati: Do apelojmë

Feb 27, 2015 | 11:35
SHPËRNDAJE


Gazetarja e formatit “Njerëz të humbur” është komentuar sërish për konfliktin gjyqësor me “Tv Klan”, televizioni me të cilin ndërpreu bashkëpunimin në korrik të vitit 2011. Gjykata e Tiranës ka vendosur t’u japë të drejtë pretendimeve të televizionit, se nga nga gushti 2011 deri në tetor 2012 Shtino përdorte numrin celular të “TV Klan”, ndërkohë që s’ka paguar faturën. Gjykata vendosi detyrimin që Aida Shtino t’i paguajë shoqërisë “TV Klan” shumën 841 869.53 lekë, aq sa rezulton vlera në lekë e thirrjeve telefonike të bëra nga gazetarja gjatë harkut kohor prej 14 muajsh. Për gjithë historikun e konfliktit dhe apelimin e çështjes flet për gazetën “Panorama”  avokati i Shtinos, Gentian Muçaj.
Procesi gjyqësor mes Aida Shtinos dhe “Tv Klan” është finalizuar me fitoren e palës tjetër pak ditë më parë. Në pozicionin e avoka tit të gazetares ç’mund të na tregosh për historinë?
Po konfirmoj se është zhvilluar një proces gjyqësor civil në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në fakt, dua të saktësoj se është procesi i dytë gjyqësor i hapur nga “Tv Klan”, pasi nga procesi i parë televizioni hoqi dorë nga gjykimi dhe u vendos pushimi i gjykimit. Proçesi i dytë zgjati rreth nëntë muaj. “Tv Klan” pretendon se znj. Aida Shtino ka përdorur pa të drejtë një numër celulari, që është kontratuar nga “Tv Klan” prej kompanisë “Vodafone Albania”.

Avokati sqaron
 Aida nuk ka pasur kontratë pune me “Tv Klan” dhe as nuk i është dhënë ndonjë numër celulari për përdorim. Nëse do të supozonim një moment se pas ndërprerjes së bashkëpunimit me “Tv Klan”, ajo ka vazhduar të përdorë një numër celulari në pronësi të këtij televizioni dhe nuk e ka dorëzuar pas kërkesës nga televizioni, atëherë ky i fundit me një kërkesë mund të kërkonte pranë kompanisë “Vodafone Albania” ndërprerjen e sinjalit telefonik, duke e bërë të papërdorshëm atë numër celulari. Në këto kushte, nuk është e arsyeshme dhe objektive të pretendosh se: “më është përdorur numri celular për 14 muaj dhe kam lejuar një situatë të tillë pasi Aida nuk më dorëzonte numrin”. Ndërkohë që fatura mujore e telefonit vinte rregullisht në adresë të abonentit të “Tv Klan” dhe pagesa kryhej rregullisht nga televizioni, deri në shumën e konsiderueshme prej 841.869 lekësh. Ka diçka që nuk shkon këtu edhe për syrin më naiv, apo jo?
Unë do ushtroj të drejtën e ankimit kundër vendimit gjyqësor të padrejtë në një gjykatë më të lartë, pra në Gjykatën e Apelit në këtë rast.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura