Agjencia e Pronave ndan fondin 5.7 milionë dollarë, emrat e rinj të përfituesve

Jul 11, 2017 | 14:00
SHPËRNDAJE

Agjencia e Pronave ka publikuar dje listën e radhës me emrat e pronarëve me vendime të ’93-shit, ’94-s dhe ’95-s, të cilët marrin kompensimin. Gazeta boton sot emrat e 44 përfituesve, prej të cilëve 34 kanë zgjedhur të kompensohen financiarisht, ndërsa pjesa tjetër kanë aplikuar për t’u trajtuar me fondin e tokës që ATP ka në zotërim.

pronat

Sipas agjencisë, vlera e kompensimit financiar që ndajnë këto vendime është 408 milionë lekë, ose rreth 3.5 milionë dollarë, dhe sipërfaqja e kompensuar fizikisht nga fondi i tokës është 105 910 m².

APLIKIMET

Aktualisht, të drejtën e aplikimit e gëzojnë pronarët me vendime para ’95-s. Duke qenë se për këto familje ka përfunduar vlerësimi financiar dhe është caktuar masa e përfitimit, hapi i radhës është ekzekutimi i vendimit. Me skemën e re, masa e përfitimit përcaktohet mbi bazën e zërit kadastral që prona ka në momentin e konfiskimit, gjë që ka sjellë reduktim të faturës.

“Njoftojmë të gjitha subjektet, të cilat kanë aplikuar apo do të aplikojnë për ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të vlerë- suara financiarisht, se do të trajtohen me kompensim vetëm pasi të ketë përfunduar shqyrtimi administrativ i kërkesës dhe gjithë dokumentacionit të depozituar nga ana e tyre.

Sqarojmë se, procesi i aplikimit dhe ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të vlerësuara financiarisht për vitet 1993, 1994 dhe 1995 është një proces i vazhdueshëm dhe i hapur për të gjitha subjektet”, thuhet në njoftimin e ATP-së. Nga të dhënat zyrtare të ATP-së, mësohet se deri më tani kanë përfituar kompensim financiar dhe fizik në mënyrë të plotë dhe përfundimtare 336 vendime të dhëna në vitet 1993 dhe 1994.

FONDI I ALUIZNI-T

Po dje, Agjencia e Pronave ka publikuar edhe emrat e përfituesve nga fondi i ALUIZNI-t. Janë 126 familje që marrin 70% të vlerës së pronës që u është zënë nga ndërtimet pa leje. “Ka përfunduar procesi i shqyrtimit të disa kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që deri më tani përfitojnë shpërblimin e saj deri në masën 70% të shumës së përgjithshme në të holla”, thuhet në njoftimin e agjencisë.

Fondi i ndarë për këto familje kap vlerën e 266 milionë lekëve, ose 2. 2 milionë dollarë. Ndarja e parave, sipas ATP-së, do të bëhet përmes llogarisë bankare përgjatë ditëve në vijim.

emrat e perfituesve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura