Administratorja e inceneratorit dëshmon në Komisionin Hetimor, hesht për takimin me Zoton! Gjysma e pyetjeve ngelin pa përgjigje (DEBATET)

Feb 15, 2022 | 8:42
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Administratorja e kompanisë që ka fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, Ariola Kodra, nuk mbante mend se kur është takuar apo ka kontaktuar për herë të fundit me eprorët e saj, tashmë të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë.

Në cilësinë e dëshmitares në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, administratorja e kompanisë “Integrated Energy B.V.% SPV” nga 15 marsi i vitit 2019, nuk kishte dijeni se përse kjo kompani kishte deklaruar 3 shuma të ndryshme investimi në tre institucione të ndryshme, KLSH, QKB dhe Ministri e Financave. Sipas saj, i gjithë investimi ishte kryer nga vetë kompania, pretendim i cili është kundërshtuar nga kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku.

Po ashtu, Kodra pranoi se shtetasi Edmond Arqile Bllako, babai i deputetit të PS-së, Alqi Bllako, ka qenë punonjës i kësaj kompanie. Deputeti Belind Këlliçi u shpreh se babai i deputetit socialist është paguar 150 milionë lekë të vjetra për një periudhë 2-vjeçare. Kodra pranoi se kompania nuk do ketë fitime vetëm nga tarifa e depozitimit të mbetjeve, por edhe shitjes së energjisë elektrike që do prodhohet nga inceneratori dhe klasifikimi i mbetjeve.

Sa i përket shqetësimit për shpenzimin e shumave të mëdha për udhëtimet jashtë vendit, administratorja shprehet se ato janë bërë për të gjetur nënkontraktorë.

DEBATI

Jorida Tabaku: A i njihni shtetasit, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja?

Ariola Kodra: Shtetasit Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja i njoh në marrëdhënie pune.

Jorida Tabaku: Kur ka qenë kontakti juaj i fundit me tre personat që përmendëm, Stela Gugallza, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri?

Ariola Kodra: Komunikimet nuk kanë qenë të drejtpërdrejta, sepse mbaheshin nëpërmjet punonjësve të shoqërisë që unë administroj.

Jorida Tabaku: Kur ka qenë komunikimi juaj me këta shtetas?

Ariola Kodra: Sapo ju përgjigja pyetjes tuaj. Kam komunikime me ta, por jo personalisht, përmes stafit që unë drejtoj.

Jorida Tabaku: Kur ka qenë kontakti i fundit me ta, mund të ketë qenë para 5 vitesh kur ju kanë marrë në punë, thjesht po pyes kur i keni takuar për herë të fundit?

Ariola Kodra: Është një pyetje që nuk e kam memorizuar. Afatet e takimit nuk i kam të memorizuara.

Jorida Tabaku: Unë dua t’ju kujtoj zonja Ariola Kodra se dëshmia e rreme ka penalitete për ju.

Ariola Kodra: Jam në dijeni të faktit dhe jam e gatshme t’ju përgjigjem të gjitha pyetjeve.

Jorida Tabaku: A keni pasur ndonjë eksperiencë të mëparshme në fushën e menaxhimit të mbetjeve?

Ariola Kodra: Jo, nuk kam pasur!

Jorida Tabaku: Pra, keni zero eksperiencë pune në këtë fushë. Si është siguruar financimi i impiantit të inceneratorit të Tiranës?

Ariola Kodra: Ajo nuk është thjeshtë një incenerator, por një zonë komplekse që përfshin një tërësi veprash, ku shoqëria “Integrated Energy B.V.% SPV” kryen një financim tërësisht, 100 për qind privat.

http://www.panorama.com.al/a-eshte-paguar-edmond-bllako-150-milione-leke-deri-ne-janar-2020-administratorja-e-inceneratorit-ndryshon-deshmine-kur-pyetet-per-babane-e-deputetit-socialist-nuk-mbaj-mend-te-gjitha/

DEBATI PËR BABAIN E DEPUTETIT ALQI BLLAKO

Jorida Tabaku: A rezulton i punësuar pranë kompanisë suaj shtetasi Edmond Arqile Bllako dhe çfarë pagesash ka marrë? Ariola Kodra: Zotëria ka qenë punonjës i shoqërisë “Integrated Energy B.V.% SPV”, aktualisht nuk është më punonjës i saj. Ai ka qenë i punësuar përpara periudhës së administrimit tim, kur jam emëruar në 15.3.2019.

Belind Këlliçi: I qëndroni faktit që ju jeni emëruar administratore në 15.3.2019 dhe gjatë periudhës që jeni emëruar Edmond Bllako s’ka qenë punonjës i kësaj kompanie?

Ariola Kodra: Edmon Bllako ka qenë punonjës i kësaj shoqërie, është punësuar para periudhës së administrimit tim.

Belind Këlliçi: Kam disa informacione që detajojnë që zotëria është paguar për një periudhë nga 2018 deri ne janar 2020 në 150 milionë lekë të vjetra, këtë fakt e kujtoni? Ariola Kodra: Unë nuk mbaj mend të gjitha pagat e punonjësve të shoqërisë.

DEBATI PËR PAGAT

Jorida Tabaku: Kam këtu pagat e kompanisë që janë paga tri herë më shumë se mesatarja e tregut, janë paga që paguhen nga fondet publike?

Ariola Kodra: Shoqëria është shoqëri private dhe ka të drejtë të vendosë standardin e pagave në varësi të politikave të saj.

Jorida Tabaku: Pagat. të cilat janë në nivelin e 7 mijë euro janë më të larta se tregu dhe çdo gjë tjetër. 7 mijë euro dhe mos harroni se janë paguar 35 milionë euro nga fondet publike për këtë kontratë. Ky është shqetësimi?!

Ariola Kodra: Shoqëria nuk operon me fondet publike, por me fondet e saj private. Jorida Tabaku: Shoqëria operon me fonde publike dhe do t’ua tregoj unë si operon në bazë të raportit të Ministrisë së Financave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura