Absurditeti i 400-vjetorit të themelimit të Tiranës

Feb 22, 2014 | 11:21
SHPËRNDAJE

MOIKOM ZEQO

  Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, dhe kjo do të thotë që është thelbi i përfaqësimit të shtetit shqiptar. Është e vërtetë që çdo shtet në botë përfaqësohet nga kryeqyteti. Emri i çdo shteti ka në mënyrë përfaqësuese një emër të dytë, që është emri i kryeqytetit. Ne themi Londra dhe nënkuptojmë tërë Anglinë. Themi Pekini dhe në përfytyrimin tonë është e tërë Kina.
Por në rastin e emrit të Tiranës ka diçka më shumë. Tirana është vërtet metropoli i Shqipërisë, por në shumë kuptime të shumëfishta është edhe metropoli i kombit shqiptar, që nënkupton edhe Kosovën, si një shtet i dytë shqiptar në Ballkan dhe në Europë, por edhe tërë trevat e tjera të shqiptarëve kudo në botë.
Një libër i saktë për Tiranën, që i drejtohet gjeneratës së re, është një libër për të mësuar dhe për të kuptuar. Tirana, si kryeqendër e shqiptarëve, ka historinë e saj.
Në mënyrë  tejet konvencionale, viti 2014 konsiderohet si 400-vjetori i njohjes së Tiranës si qendër urbane. Është një absurditet shkencor. Habitem se cila logjikë e pranon dhe e rutinizon këtë absurditet.
Gjoja ky themelim qenka bërë nga Sulejman bej Mulleti për shkak të një kumti mbinjerëzor nga një ëndërr që paska parë një fshatar nga Mulleti, bari delesh – teksti i ëndrrës nuk ruhet – dhe Sulejman bej Mulleti ka parandier se do të vinte më pas një dekret sulltanor nga Stambolli për të lejuar ndërtimin e një qyteti të ri në fushën midis Lanës dhe Riglatës, midis kodrave të Selitës dhe Saukut.
Legjenda e dytë  është akoma më bizare dhe e pabesueshme: Sulejman bej Mulleti ka dashur një qytet të bukur si Teherani dhe paska zgjedhur emrin Tiranë. Por a mundet me elemente onirike, mitike të zyrtarizojmë themelimin e vërtetë të Tiranës, gati si një parabolë lindore dhe religjioze? Si mundet një gjë e tillë?
Në të vërtetë, shkencërisht historia e Tiranës është shumë herë më e lashtë.
Kemi dy referenca kryesore.
E para, një referencë arkeologjike që nuk përmendet nga kronikat dhe që është zbulimi i një ndërtese me mozaik që daton në shekullin V pas Krishtit. Ky mozaik i mrekullueshëm është një simbol i madh i Tiranës. Ai vërteton tezën shkencore se Tirana në shekullin V pas Krishtit ka qenë një vicus i qytetit të madh antik të Durrësit. Zbulimet arkeologjike në truallin e Tiranës janë të mangëta. Para disa vitesh në fshatin Baldushk është zbuluar një monument antik i çiftit të vëllezërve binjakë dhe mitologjikë Dioskurëve, me një mbishkrim në latinisht të shekullit II pas Krishtit. Ky monument edhe më i hershëm se shekulli V pas Krishtit, lidhet me arealin e Tiranës. Është një element plotësues.
Referenca e dytë është kronikore. Marlin Barleti, historiani i pavdirë, në librin e famshëm “Mbi bëmat dhe heroizmat e Gjergj Kastriot Skënderbeut” shkruan edhe për emrin e Tiranës dhe klasifikon dy vendbanime me toponimet: Tirana e Madhe dhe Tirana e Vogël.
Pse i ka përmendur Barleti këto toponime? Kjo tregon se vendbanimi i Tiranës në shekullin XV ishte i njohur si një pikë ndërlidhëse midis Krujës, Prezës dhe Petrelës. Në këtë drejtim dhe hulli duhen bërë kërkime të shumta për të plotësuar imazhin e banorëve të lashtë dhe mesjetarë të Tiranës. Rrethinat e sotme të Tiranës janë me  dëshmi arkeologjike kryesore, kalaja ilire e Dorsit, ajo mesjetare në Dajt, kisha mesjetare me afreske dhe mbishkrime bilingue në greqisht dhe latinisht e Skurajve në fshatin Brar, ndërtimi i kështjellës së Krujës, por edhe e Petrelës nga Karl Topia, flasin për një qendër fillestare të Tiranës paraosmane. Barleti, duke folur për Tiranën e Madhe dhe Tiranën e Vogël – siç e përmenda më sipër, lë të kuptojë se në pozicionin e sotëm nuk quhej më kot vendbanimi me emrin kuptimplotë Tirana e Madhe.
Për të pasur një përfytyrim më të plotë dhe më universal për Tiranën, dua të theksoj tezën e albanologut gjenial kroat Milan Shuflaj. Ai në studimet e tij flet për zonat gjeografike shqiptare, të cilat kanë një qendër që nga Antikiteti i hershëm.
Teza e tij është se në zonën gjeografike të koordinatave ku është sot Tirana, qendra më e hershme ka qenë Durrësi, si qytet metropolitan në Antikitet, kurse në Mesjetë ka qenë Kruja. Në kohërat moderne është Tirana.
Lëvizja e kësaj qendre në emra të tri qyteteve vërteton të vërtetën se është në thelb e njëjta qendër.
Rëndësia e Tiranës bëhet qendërzuese sidomos në kohën kur në shekullin XX ajo shpallet kryeqytet i Shqipërisë dhe me këto kredenciale ajo mbetet sot e gjithë ditën kryeqytet i shqiptarëve.
Tirana është e përcaktuar nga pozicioni i saj gjeografik për të qenë përfaqësuese. E ndërtuar rrëzë malit të Dajtit, në një terren të sheshtë, ky qytet ruan sekretin e ndërlidhjes kryesore të rrugëve magjistrale me Durrësin dhe bregdetin, me Shkodrën dhe Veriun dhe më tej me Elbasanin, Gjirokastrën dhe Korçën. Është kjo ndërthurje e pazakontë dhe fatlume që e bën në të gjitha arsyetimet dhe perspektivat e mundshme Tiranën përherë një kryeqendër.
Ka përherë një biografi të Tiranës që lidhet me zhvillimet e saj artistike dhe arkitektonike. Nga të gjitha qytetet shqiptare Tirana përfaqëson strukturën urbane më të madhe dhe më të pazëvendësueshme.
Kryeqyteti i shqiptarëve me sheshin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, është hapësira e institucioneve shtetërore, administrative e kombëtare për tërë kombin shqiptar. Si e tillë, Tirana nuk mund të krahasohet me asnjë qytet tjetër.
Ka shumë diskutime dhe shpjegime për emrin Tiranë. Shpjegimet e ashtuquajtura të etimologjisë popullore që paraqiten si tradita gojore nuk kanë të bëjnë fare me emrin e Tiranës.
Dijetarja shqiptaro-amerikane Safete Juka ka botuar një studim substancial për qytetin e Tiranës. Sipas arsyetimit të saj, emri i Tiranës lidhet me një rrënjë shumë të lashtë “Tir”, ose “Tur”, që ka kuptimin e një pike rreth së cilës përmblidhet një hapësirë e gjerë. Sipas kësaj dijetareje, emri Tiranë ka lidhje me emra të ngjashëm apo dhe me emrin e kryeqendrën e fenikasve, Tir. Ky emër dokumentohet edhe në pika të tjera të Europës dhe ka një kuptim zanafillor.
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë dhe metropoli i kombit shqiptar, është dhe do të jetë gjithmonë kryeqendra. Ajo ka historinë e vet politike, ekonomike dhe kulturore, dhe është metafora e historisë shqiptare ku artikulohen shumë hollësira, fakte dhe të vërteta të qenësishme të shqiptarëve.
Roli i Tiranës si kryeqytet është stimulues dhe një rol që me sa duket do të jetë përgjithmonë.  
Një libër i vërtetë, jashtë onirikokracisë, d.m.th. shkencor tërësisht, për të mësuar historinë e Tiranës, është i domosdoshëm për t’u lexuar nga të gjithë. Ky libër duhet të jetë një ekstrakt i librave të shumtë të shkruar për Tiranën, duke përjashtuar përrallat.
Njeriu shqiptar, por edhe ai i huaj, duhet të mësojë diçka të rëndësishme për kryeqytetin tonë, pa harruar se për dijen dhe shkencën historia e Tiranës është shumë herë më e pasur, më e ndërlikuar dhe më e plotfuqishme.
Para së gjithash një libër i tillë duhet t’u drejtohet fëmijëve dhe moshave të reja. Jo thjesht nga pikëpamja didaktike dhe psikologjike, por edhe nga një pikëpamje e përgjithshme e edukimit, libri për Tiranën vlen edhe për tërë gjeneratat, t’u drejtohet edhe tërë fëmijëve shqiptarë që kanë lindur dhe lindin çdo çast në familjet shqiptare në emigracion dhe në diasporë, jashtë kufijve të sotëm politikë të Shqipërisë. Janë pikërisht gjeneratat e fëmijëve që e kanë më të theksuar prirjen për të mësuar diçka paraprake dhe të pashlyeshme për kryeqytetin e Tiranës.
Pikërisht për këta fëmijë, në atë që quhet e sotme dhe në atë që do të quhet e ardhme, emri i Tiranës do të ketë përherë një ngarkesë emocionale, kulturologjike dhe simbolike të përjetshme. Për tërë shqiptarët në amshim!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura