A mund të fluturojë kali i Mbretit?

Dec 30, 2013 | 10:42
SHPËRNDAJE

ARTAN HOXHA

  PËRFITIMET NGA DIMRI PRANVEROR
Dhjetor i paparë. Duket si marsi i Festës së Verës. Diell. Ngrohtë. Qiell kaltërosh. Pemët ende me gjethe. Prezantueset e hajthshme të motit, që fytyrëqeshura janë edhe kur parathonë stuhinë, e kanë të lehtë të interpretojnë parashikimin që dimri i sivjetshëm do të jetë i butë e i shtruar.
Njerëzia do kursejë para. Ata që fitojnë pak, do djegin më pak dru, qymyr a gaz. Ata që fitojnë më shumë, do ndezin më pak kondicionerët. Në dimër të ngrohtë hahet më pak e pihet më pak dhe pra, do kursejnë më shumë para të parët e kjo i shëndosh buxhetin familjar dhe do jenë në dietë të pavullnetshme të dytët e kjo u tret dhjamin trupor.
Sa më pak shi aq më pak përdoret makina, aq më pak konsumohet naftë a benzinë e aq më pak do rëndojë rritja e taksës së qarkullimit.
Ndaj, do përfitojnë të paktën 97% e Njerëzisë falë Perëndisë. Pjesa tjetër prej 3% jo se nuk do përfitojë, por këta kanë ca teka nga të cilat s’heqin dorë, si për shembull nga pushimi i fundjavës, teka këto që shtohen në mot të mirë, dhe pra këta do shpenzojnë më shumë. Pa qeder se, tek e fundit, qejfi paguhet.
Edhe Qeveria do përfitojë nga Perëndia, që ka vendosur të na dhurojë këtë dimër pranveror. Do kursejë fonde për kompensimin e të varfërve për energjinë dhe ushqimet. Këto kursime mund t’i përdorë për të blerë më shumë energji elektrike nga importi, pasi prodhimi vendas, për shkak se shiu e bora do jenë më të pakta, do jetë më i pakët.
Për shkak se do t’i duhet të shpenzojë më shumë për blerje energjie, ndoshta Qeveria mund të ndihet e tradhtuar nga Perëndia e t’i hakërrehet asaj, por, nëse i bën hesapet mirë, me qarin del, pasi dimri i butë zbut nervat e Njerëzisë e kjo është dhurata më e çmuar e Perëndisë.
TAKSAT RRITEN, PAGAT S’RRITEN
S’mbeti rob pa e marrë vesh se sa do përfitojë e sa do humbasë vitin e ardhshëm nga taksat dhe buxheti i Qeverisë e, në pat mbetur ndokush, do ta marrë vesh brenda janarit.
Edhe më fatlumët, ata me rrogë 400 e 500 mijë lekë në muaj që përfitojnë më shumë se kushdo tjetër nga progresiviteti tatimor i Qeverisë, ç’ka fitojnë e lënë rrugëve me bileta urbani e furgoni a klubeve me birrë e cigare, shto këtu që rritja e pashmangshme e çmimeve në tërësi do t’ua avullojë rrogën që Qeveria ua ngriu për vitin e ardhshëm.
Kështu përfundojnë edhe bizneset e vogla, të cilave Qeveria çka ua jep me uljen e taksës së fitimit, ua merr me taksën e rritur të qarkullimit dhe taksën e rritur të dyqanit a punishtes.
E kur këta më fatlumët dalin rruar e qethur, të tjerët: pensionistë, veteranë të komunizmit e veteranë të antikomunizimit; ata me aftësi të kufizuara fizike a mendore; rrogëtarë e sipërmarrës; mësues e nxënës; mjekë, infermierë e pacientë; qytetarë e katundarë; demokratë e socialistë (të rilindur a të lëvrirë), veç rruarjes e qethjes marrin qyl edhe një depilim trupor nga Qeveria.
BEREQADIVERS ME KAQ
Nga Perëndia fitojnë 97% dhe humbasin 3%. Nga Qeveria humbasin 97% dhe fitojnë 3%. Në fund jemi aty ku ishim.
Bereqadivers me kaq se mund të ishte edhe më keq, siç edhe tha Kryeministri, që “mundet që rrogat dhe pensionet të ishin ulur, por nuk i ulëm”.
RROFTË BORXHI DHE QEVERIA!
Më keq, keq e mos më keq do kishte qenë, por Qeveria vendosi të na e shtyjë sikletin me borxh.
Qeveria gjeti se borxhi i fshehur nga paraardhësja ishte 3% e prodhimit tonë vjetor. Me këtë sebep e rriti borxhin që, më 1 tetor 2013, nga 62% në 68% dhe për vitin 2014 do e rrisë deri në 75% të këtij prodhimi, pra gjithsej 13% në 15 muaj. E meqë 3% do ua kthejë sipërmarrësve, rritja neto është 10% apo afro 1400 milionë dollarë.
E imagjinoni dot se ç’hall do na kishte zënë nëse për këto 3 muajt e fundit të vitit 2013 dhe ato 12 muajt e ardhshëm të vitit 2014 nuk do t’i kishim këta 1400 milionë dollarë më shumë në buxhetin e Qeverisë?
Administrata e tëra: mësues e policë; mjekë e infermierë; ministra, sekretare, truproja e shoferë; deputetë e këshilltarë vendorë; prokurorë e gjyqtarë; oficerë dhe ushtarë; që të gjithë do të duhej të punonin 2 vjet pa rrogë.
Alternativa tjetër do të ishte që të gjithë pensionistët, në qytet a fshat, ta mbanin shpirtin gjallë një vit pa pension. Ose- ose, shteti për dy vite e gjysmë radhazi të mos bënte asnjë investim për be, asnjë copë rrugë, kanal, tubacion, klasë shkolle a repart spitali.
A e kuptoni tani se pa këtë borxh do kishte ngrënë njeriu njeriun e të gjithëve do na kishin ngrënë krimbat?!
Falë borxhit të rritur do e shtyjmë topagropthi vitin 2014.
Ndaj, më mirë, këndoni fort e në kor, “Rroftë Borxhi dhe Qeveria!”, se s’do na bënte derman as Perëndia.
PARASHIKIME PËR 2015
Nisa të bëja ca llogaritje për vitin 2015, por i lashë mënjanë. Do ishte e padrejtë t’ju rrokanisja kokën e t’ju prishja humorin me vitin 2015, lexues të nderuar, dy ditë para Vitit të Ri 2014 kur, pak më sipër, sapo jua vërtetova se viti 2014 s’do jetë aq i keq, siç duan ta bëjnë disa.
Ndaj, për vitin 2015, po ju tregoj paradhënie atë përrallën e atij të burgosurit të dënuar me vdekje, që mori përsipër që brenda një viti ta mësonte kalin e Mbretit të fluturonte – dëshirë që Mbretit i kishte lindur në ëndërr – duke pranuar se, nëse dështonte, Mbreti do t’ia priste kokën e, nëse kishte sukses, do të martohej me vajzën e Mbretit.
Kur shokët bashkëvuajtës i thanë që “Kjo është marrëzi”, ai iu përgjigj se “Në një vit kushedi se ç’ndodh! Mund të vdesë Mbreti dhe fitojë nga amnistia, mund të vdes unë nga vdekje natyrale e jo nga litari e, ndoshta-ndoshta, edhe kali mëson të fluturojë!”.
Se mos do humbiste gjë! Takimi me vdekjen ishte fiksuar. Një vit më vonë ca më mirë. E ku i dihet!…
Ndaj, gëzuar e gëzojuni Vitit të Ri 2014!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura