A keni marrë të dhëna nga SHBA? Arben Kraja flet për çështjet ndaj ish-kryeministrit Berisha: Është nën hetim për dy ngjarje

Sep 12, 2022 | 21:30
SHPËRNDAJE

Kreu i SPAK Arben Kraja ka folur mbrëmjen e sotme në RTSH në lidhjet me hetimet e institucionit që ai drejton ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ben-Kraja

Kraja deklaroi se po hetohet në lidhje me ngjarjen e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona. Ai nënvizoi se do të hetohen të gjitha rrethanat.

“Kemi çështje në hetim që lidhen me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën fatkeqësisht 26 njerëz. Kemi çështje që lidhen me lobingun e partive politike, të cilat po i hetojmë. Në lidhje me Gërdecin, hetimet janë komplekse. Ka vështirësitë e veta, është kohë e gjatë që ka kaluar, por do të sqarojmë të gjitha rrethanat çfarë ka ndodhur brenda mundësive që kemi.

Ne po hetojmë ngjarjen. Ish Ministri i Mbrojtjes është me statusin e personit në hetim për shpërdorim detyre, sepse atë status ka pasur, por u pezullua për arsye të imunitetit, ndërkohë pjesën tjetër po e hetojmë dhe nëse do të ketë prova, patjetër që do të ketë dhe akuza për atë që do të provohet”, u shpreh ai.

Ndalur te shpallja non grata nga SHBA e ish-kryeministrit Berisha ai u shpreh se nën hetim janë çështja e Gërdecit dhe ajo e privatizimit të kompleksit “Partizani” por nuk dha më shumë detaje.

Elona Meço- Një çëshrje për ish kryeministrin Berisha ka nën hetim, nisur nga deklarata e Departamentit amerikan të Shtetit për shpalljen e tij non grata?

“Të mos i marrim të personalizuara. Ka çështje për fakte konkrete për të cilat pretendohet se mund të ketë përfshirje edhe ish kryeministri apo ish presidenti. Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë”, deklaroi ai.

Pyetur nëse këto çështje kanë lidhur me deklaratën e bërë nga DASH, Kraja shtoi se ato janë të qeverisë së SHBA, ndërsa SPAK heton çështjet penale në Shqipëri.

“Ne nuk merremi me deklarata, duhet të më mirëkuptoni. Deklarata janë deklarata politike, janë mbi baza të tjera.

Deklaratat janë të qeverisë së SHBA, ndërkohë ne hetojmë çështje penale në Shqipëri dhe nuk kemi dalë në konkluzion as po, as jo në lidhje me ato deklarata”, tha Kraja.

Pyetur nëse ka marrë kontakt me SHBA për të dhëna shtesë, Kraja zgjodhi të mos komentojë. “Nuk kam ndonjë koment për të bërë për këtë”, u shpreh ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura