A është harxhim kohe kot të studiosh në universitetet shtetërore?

Sep 20, 2017 | 11:06
SHPËRNDAJE

edi pukaEDI PUKA

Para disa ditësh, pas pub likimit të reklamës së re të UET, lidhur me  preferencat dhe zgjedhjet e mundshme të programeve master nga ana e studentëve, AMA, Autoriteti i Mediave Audiovizuale, vendosi të bllokojë publikimin e mëtejshëm të këtij spoti, me arsyen: Për cenim të të drejtave dhe interesit publik, pasi përmbajtja e reklamës haptazi cenon të drejtat e konsumatorëve, duke u dhënë atyre informacion për këtë subjekt arsimor privat dhe njëkohësisht duke përçmuar sistemin arsimor publik të Republikës së Shqipërisë, si dhe ka haptazi natyrë të pandershme tregtare, për shkak të krahasimit me institucione të tjera të identifikuara.

Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, nuk munguan as histeritë e radhës. Kaluam nga Skënderbeu te rilindja e deri te “lagështira” e UET. Si gjithmonë, në këto raste mbetesh pa fjalë dhe nuk arrin të kuptosh: bëjnë si të tillë, apo janë të tillë? Në reklamën e UET-së, si çdo vit, u bëhej thirrje studentëve që të zgjedhin këtë universitet për të kryer studimet e tyre, bazuar në përvojën, cilësinë akademike dhe ambientin mikpritës. Sigurisht në reklamë dilte në pah që UET është një universitet cilësor, i cili do të bëjë të pamundurën që koha e studentëve dhe investimi i tyre apo i familjeve të tyre nuk do të shkojë dëm, përkundrazi, duke studiuar në UET, do të mund të kenë një të ardhme më cilësore dhe një integrim më të thjeshtë në tregun e punës.

Kjo bazuar në dy elemente kryesore: struktura akademike dhe struktura fizike që ky institucion gëzon. Institucion, i cili në akreditimin e radhës nga agjencia britanike QAA vërtetoi edhe një herë se ajo që shpërfaq në lidhje me cilësinë dhe mundësinë që u jep studentëve, nuk është demagogji reklamash, por është thjesht e vërteta. Për më tepër, ku qëndron cenimi i lirisë, i të drejtave dhe interesit publik? Në këtë spot publicitar reklamohet cilësia, asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Askush nuk detyron askënd që të bëjë një përzgjedhje të detyruar por, bazuar mbi fakte dhe shifra, i bëhet e ditur publikut se ekziston edhe kjo si mundësi.

Më pas është në dorë të studentëve që të bëjnë zgjedhjen e tyre, bazuar në atë se çfarë dëshirojnë. Në këtë rast, jo vetëm që nuk kemi të bëjmë me cenim të interesit publik, por është tërësisht e kundërta, pasi publikut i ofrohet një shërbim më shumë, dhe përderisa flitet për cilë- si, aq më mirë. Por a është vallë e vërtetë që në universitetin shtetëror thjesht harxhohet kohë dhe nuk përfitohet asgjë? A mund të thuhet që programet master në këto institucione janë humbje kohe dhe nuk ofrojnë asgjë, përveç kartonit të diplomës?

A mund të mendohet që universitetet shtetërore gjenden në një status vegjetativ të përhershëm, ku askush nuk bën asgjë dhe ku askush nuk mban përgjegjësi për asgjë? Mendoj se publiku studentor do të dijë të gjykojë të vërtetat dhe të pavërtetat, pavarësisht debatit të radhës dhe histerizmave pa vend, të cilat nuk ndihmojnë, por përkundrazi përkeqësojnë qasjen akademike ndaj problemeve reale të sistemit tonë arsimor. Gjendja aktuale e arsimit të lartë në vendin tonë është e trishtë.

Si e tillë, në mendjet tona na pështjellohen mendime të ndryshme dhe na krijohet një ndjesi ankthi, e cila lidhet me pasigurinë që kompleksiteti mendor na paraqet si realitet. Ky fakt sigurisht që na bën të vuajmë dhe na dhemb, na dhemb shumë madje, pasi nuk dimë ku të drejtohemi dhe kë të bëjmë fajtor për situatën e krijuar, atëherë mjafton një reklamë dhe bëhemi konfuzë, çoroditemi, habitemi, inatosemi dhe çirremi si të marrosur me pankarta në duar: Bllokoni Djallin!

* Lektor i Shkencave të Edukimit, UET

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura