A duhet Autoriteti i Dosjeve?

Nov 15, 2021 | 9:00
SHPËRNDAJE

Jonila Godole-opinion-Panorama

NGA DR. JONILA GODOLE

Kur u miratua Ligji për In formimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (shkurt: Ligji i Dosjeve) më 2015, që parashikonte edhe ngritjen e një autoriteti zbatues, unë isha ndër ata persona që e mbështetën.

Mbështetja ime bazohej mbi pritshmërinë se ky ligj ishte i nevojshëm dhe më pas atij mund t’i bëheshin amendime për ta përmirësuar më tej. Me përmirësim nënkuptoja shtimin e dispozitave përkatëse për lustracion, si edhe aspektet e tjera që mund të rezultonin pas një inventari dhe përpunimi paraprak të dosjeve. Nga ana tjetër, si atëherë, ashtu edhe sot, mbetem kritike ndaj zbardhjes të së shkuarës duke u fiksuar vetëm te Sigurimi, që ishte njëri prej shumë instrumenteve në arsenalin represiv të diktaturës.

Këtë javë mbushen plot 5 vite nga ngritja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit (shkurt: AIDSSH, ose Autoriteti i Dosjeve) dhe ka ardhur koha të bëhet një bilanc për punën e këtij institucioni publik që financohet nga taksapaguesit. Në vijim do të përpiqem të shpjegoj shkurtimisht përse ligji gjerman që u mor për model nuk përshtatej me kontekstin shqiptar. Më tej do të ndalem te puna e AIDSSH që prej krijimit dhe problematikat konkrete, për t’i dhënë përgjigje pyetjes së ngritur në titull, nëse ai është apo jo i nevojshëm.

MODELI I GABUAR GJERMAN PËR HAPJEN E DOSJEVE

Siç ndodh rëndom në Shqipëri, nga jashtë importohen ato ligje që i leverdisin më shumë axhendës së qeverisë sesa nevojave konkrete që duhet të përmbushin këto ligje në realitetin shqiptar. Kështu ndodhi edhe me Ligjin e Dosjeve 45/2015: ai u përpilua thuajse në fshehtësi dhe grupet e interesit u ndodhën para faktit të kryer. Ligji që u reklamua si kopje e modelit gjerman nuk përmbante ndonjë dispozitë për masa të mundshme shtrënguese ndaj ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe as largimin e punonjësve nga administrata publike, në rast se ata figuronin “me dosje”. Pra, ligji e vendoste fokusin te informimi dhe jo te “lustracioni” apo “ndëshkimi”. Pyetja e parë që shtrohet është përse u zgjodh modeli gjerman, dhe jo, për shembull, ai rumun apo bullgar? Këto vende kishin ngjashmëri më të madhe me Shqipërinë për sa i përket llojit të diktaturës staliniste dhe represionit të ushtruar ndaj popullsisë. Modeli gjerman u kopjua duke injoruar tërësisht kontekstin historik të dy vendeve.

Në Gjermani, sistemi komunist u inkorporua në sistemin demokratik ekzistues. Thënë ndryshe: ish-Gjermania Lindore u bashkua me një shtet demokratik funksional, prej nga ndodhi automatikisht transformimi i elitave dhe një lloj lustracioni informal. Për pasojë, pas vitit 1991, në Gjermani as rojë parkingu nuk punësoheshe dot pa plotësuar formularin po të kishe qenë bashkëpunëtor i STASI-t. Gjithashtu, hapja e dosjeve në Gjermani ishte një fitore e lëvizjes qytetare nga nëntori 1989 deri në fund të janarit 1990. Gjatë kësaj kohe, qytetarët barrikaduan godinën e Ministrisë për Sigurinë e Shtetit (STASI) për të mos lejuar djegien dhe asgjësimin total të dosjeve.

Situata në Shqipëri as mund të krahasohet. Diktatura zgjati shumë më tepër në kohë dhe i la dorë të lirë Sigurimit që, deri në zgjedhjet e para pluraliste në mars 1991, në degët e tij në mbarë vendin, të asgjësonte masivisht dhe me urdhër nga lart dosje të të gjitha niveleve, materiale sekrete për agjenturat e huaja, dosje të personelit të Sigurimit etj. Asgjësimi sistematik i dosjeve, afërmendsh, vazhdoi nën qeverisjen e PPSH-së dhe më pas të PS-së (pas ndryshimit të emrit në qershor 1991) deri në zgjedhjet e marsit 1992. Pas ardhjes së PD-së në pushtet u morën disa iniciativa të mira për verifikimin e figurës së zyrtarëve, edhe pse me vonesë (1995), por në tërësi, vullneti politik për hapjen e dosjeve të Sigurimit që i kishin shpëtuar asgjësimit, mungoi. Ndryshe nga Gjermania Lindore, në Shqipëri mungoi qëndresa qytetare për të ruajtur dokumentacionin e policisë sekrete nga shkatërrimi dhe për të hapur dosjet. Emergjent në atë kohë u cilësua kuadri ligjor për rehabilitimin dhe statusin e të përndjekurve politikë, si edhe për dënimin e përgjegjësve të diktaturës. Kjo u shkoi për shtat edhe të përndjekurve politikë, të cilët pas gjysmë shekulli burgjeve e kampeve të internimit kishin probleme ekzistenciale mbijetese. Mbetet domethënës fakti që të gjitha protestat dhe grevat e urisë që kanë zhvilluar ish-të përndjekurit dhe të burgosurit politikë në Shqipëri, nga viti 1993 deri më 2012-ën, kanë pasur përgjithësisht në fokus rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e tyre ekonomik, jo hapjen e dosjeve apo ndëshkimin ligjor të persekutorëve të tyre. Kjo nuk do të thotë kurrsesi që ata nuk e kanë kërkuar hapjen e dosjeve me forcë në forma të tjera: përmes përfaqësuesve të tyre në parlament apo me kritikat publike ndaj klasës politike që pengonte hapjen e dosjeve për të ricikluar ishpunonjësit e Sigurimit në organet ligjzbatuese, politikë, drejtësi apo polici.

AIDSSH DHE NJË BILANC 5-VJEÇAR

Miratimi i Ligjit të Dosjeve, që sipas ligjit gjerman ofronte akses në informacion, por nuk përmbante elemente të lustracionit, u prit me zhgënjim nga shoqatat e ish-të burgosurve politikë. Drejtori i atëhershëm i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit (ISKK), Agron Tufa, paralajmëroi në disa dalje publike se miratimi i një ligji pa elemente lustracioni “ishte përveçse një zgjidhje gjysmake, show dhe alibi”. Pak kohë më parë, një grup deputetësh në bashkëpunim me shoqërinë civile kishte paraqitur një projektligj për hapjen e dosjeve, pajisur me elemente lustracioni, por ai ishte rrëzuar nga maxhoranca socialiste. Përpjekjet e mëparshme për lustracion në vitet 1995–96 qenë shfuqizuar nga Gjykata e Kasacionit dhe ajo Kushtetuese, kështu që ishte i madh skepticizmi për ligjin e ri të dosjeve në vitin 2015. Përtej kritikave, në datat 17 dhe 24 nëntor 2016, përmes votimit në Kuvend iu hap rruga ngritjes së AIDSSH që do të merrej me menaxhimin e dosjeve dhe aksesimin e tyre nga personat e përndjekur nga Sigurimi, por edhe nga studiuesit, historianët, gazetarët etj.

Shumë persona, me gjasë, janë ndihmuar duke u njohur me dosjet personale të përndjekjes apo të familjarëve të tyre. Ky është një shërbim i rëndësishëm, pa diskutim, i cili mund të ishte kryer shumë më herët edhe brenda strukturave ekzistuese të Arkivit, po të kishte pasur vizion dhe vullnet politik për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të investuar në arkiva. Por nuk duhet harruar dhe nuk duhet mbivlerësuar fakti se dosjet janë dokumente të krijuara nga Sigurimi dhe japin perspektivën e tij. Prandaj, funksioni i AIDSSH-së ishte kompleks: nga njëra anë, pritej transparencë mbi informacionet që ndodhen në dosje; nga ana tjetër, pritej promovimi i studimeve të pavarura që hedhin dritë mbi metodat represive të Sigurimit në fusha të ndryshme të jetës. Që të ndodhte kjo duhej, pikësëpari, një inventar i të ashtuquajturit “Arkiv i Sigurimit”. Por ky i fundit nuk ekziston, të paktën jo ligjërisht, siç do të sqarojmë më poshtë. Kështu që AIDSSH-ja e nisi ekzistencën “me këmbën e gabuar”. Le të renditim më poshtë disa nga problematikat kryesore që kemi hasur në këto 5 vite:

Së pari, AIDSSH-ja u krijua duke shkelur rëndë legjislacionin e arkivave, sipas të cilit i vetmi autoritet përgjegjës për administrimin e dokumenteve, pas vitit 1944, është Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Siç do shprehej atëherë ish-drejtori i Arkivit të MPB-së, Kastriot Dervishi, krijimi i AIDSSH-së jo vetëm ishte i paligjshëm, por mund të krijonte një precedent. Në të njëjtën mënyrë mund të bëheshin kërkesa për ngritjen e autoriteteve shtesë për informacion mbi dokumentet e PPSH-së, Frontit Demokratik etj. Në dallim nga STASI i Gjermanisë Lindore, që kishte cilësinë e një ministrie të pavarur, Sigurimi ishte njëri nga tri departamentet brenda MPB-së përgjegjës për zbatimin politikës represive. Pra nuk ekzistonte një “Arkiv Sigurimi” si i tillë. Si rezultat, ngritja e AIDSSH-së mendohet të ketë sjellë jo vetëm një dëmtim të rëndë të unitetit të arkivave shtetërorë, por edhe fragmentarizim, keqmenaxhim dhe dëmtim fizik të dokumenteve origjinale, shpesh edhe humbjen e tyre.

Së dyti, mungon një inventar i detajuar mbi numrin e dosjeve që ka në administrim, kartelat, regjistrat. Në daljet e tyre publike, përfaqësues të lartë të AIDSSH-së japin shifra kontradiktore me njëra-tjetrën. Së fundmi u tha që janë 22 milionë faqe dokumentesh. Më parë është folur për 23 milionë; më herët akoma për 32 milionë dokumente. Cila shifër i përgjigjet realitetit dhe a është e vërtetë se deri më tani janë hapur vetëm 10 për qind e dosjeve? Nëse ecim me këto ritme, do të thotë se as deri në fund të shekullit nuk do ta përmbyllnim këtë kapitull. Dhe të mendosh që në krahasim me STASI-n, dosjet e të cilit llogariten 178 km në numër faqesh, ne zor se i kemi 1 km. E njëjta paqartësi qëndron edhe për numrin e personave të përndjekur nga Sigurimi: A ishin 160 mijë, 200 mijë, 20 mijë, siç është shprehur AIDSSH-ja gjatë këtyre viteve, apo kemi vetëm 12 mijë dosje përndjekjeje, të cilat u takojnë kryesisht personave të vdekur dhe të panjohur?

Së treti, siç dëshmojnë shumë persona që kanë marrë dosjet e tyre, AIDSSH-ja ka aplikuar praktikën e censurimit, me fshirje emrash, dokumentesh në dosje, duke e bërë informacionin të pavlefshëm. Këtu nuk bëhet fjalë për fshirjen e emrave për të tretët, sipas ligjit për të dhënat personale, por për fshirjen nga padija dhe mungesa e përvojës e personave përgjegjës.

Së katërti, AIDSSH-ja ka treguar këto vite mungesë vullneti për të ekspozuar dosjet e ish-oficerëve operativë të Sigurimit dhe i ka mbrojtur ata indirekt përmes refuzimit të dhënies së informacionit në lidhje me ta. Sa prej ish-sigurimsave të përfshirë në institucionet shtetërore janë bërë publikë deri më sot? Përndjekja, krimi, persekutimi nuk zbardhen vetëm përmes dosjeve të viktimave, por edhe të persekutorëve të tyre. Prandaj është cinike kur AIDSSH flet për drejtësi tranzicionale. Si mund të kesh drejtësi tranzicionale pa bërë publike emrat e ish-oficerëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit?!

Së pesti, është evident monopolizimi i të drejtës dhe aksesit në arkiva, si edhe nënshtrimi i subjekteve juridike institucionale e private për të kërkuar dokumente dhe informacione vetëm përmes AIDSSH-së. Nëpërmjet hartimit dhe amendimeve të ligjit, vitin e kaluar AIDSSH-ja i ka zgjeruar dhe monopolizuar plotësisht arkivat, dosjet dhe qasjen e palëve të tjera.

Së gjashti, këtyre praktikave u shtohet edhe selektiviteti i institucioneve kërkimore dhe studiuesve që përzgjidhen si partnerë mbi marrëveshje dypalëshe pa asnjë bazë ligjore. Gazetarëve apo studiuesve nga institucionet “partnere” u ofrohet akses i plotë dhe pa pagesë në dosje, ndërsa të tjerëve u kërkohen tarifat sipas detyrimit ligjor. Është e pafalshme, cinike dhe amorale t’i detyrosh aplikuesit që kërkojnë plagët dhe xhelatët e tyre të paguajnë për shërbimet, fotokopjet etj. Aksesi në dosjet e Sigurimit duhej të kishte qenë i lirë dhe totalisht transparent (siç e ka Çekia) për këdo që dëshiron të njihet me krimet e komunizmit. Megjithatë format e diskriminimit në akses që aplikon AIDSSHja përbëjnë rrezik të madh. Në këtë mënyrë, AIDSSH shërben jo vetëm “si një Cerber i pushtetit mbi trashëgiminë arkivore të shtetit”, siç shprehet Agron Tufa, por dhe mbi shkencën dhe informimin e paanshëm të shoqërisë.

Së shtati, mosshfrytëzimi i kohës për t’u shërbyer të interesuarve që presin me muaj të tërë për dosjet e tyre duke u shfajësuar se “mungojnë burimet njerëzore dhe financiare”; dhe nga ana tjetër shfrytëzimi i kohës për të kryer projekte kulturologjike në terren, regjistrime të historive gojore, botime, konferenca, ekspozita, muzealizime, zhvarrime, dhënie autorizimesh e vërtetimesh për të përndjekurit etj. Përveç faktit që ka mbivendosje të detyrave të përcaktuara me ligj për institucionet e tjera publike, si p.sh. ISKK-ja, transparenca e financimit të këtyre projekteve ka munguar.

Së teti, angazhimi i AIDSSH-së në projektin ambicioz të financuar nga BE-ja për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të pushkatuarve të regjimit komunist – duke shpenzuar fonde dhe duke mos gjetur e identifikuar asgjë – përveçse kërkon një transparencë më të plotë, hedh dyshime të forta se kjo kauzë e dhimbshme u përdor për propagandë.

Së nënti, është e papranueshme dhe tërësisht joetike kundrejt viktimave që dosjet të lihen në dorën e arkivistëve, familjarë të ishoperativëve të Sigurimit. Kjo kritikë e vazhdueshme publike ka mbetur pa përgjigje.

Së dhjeti, nga perspektiva e këtij bilanci, mbetet aktuale pyetja se çfarë ka mësuar shoqëria shqiptare mbi aparatin represiv dhe mekanizmat me të cilat punonte Sigurimi që nuk dihej më përpara. Sot, pas 5 vjetësh, ne nuk dimë ende se cilat ishin mekanizmat e përshtatjes së popullsisë me terrorin dhe përgjimin, apo si zhdukej individi në trupin anonim të kolektivit. Këto studime nuk mund të kryhen pa një akses të paanshëm në dosje për të gjithë kërkuesit shkencorë. Nga ana tjetër, të gjithë personave të interesuar mund t’u ishte dhënë mundësia të informoheshin mbi dosjet e Sigurimit brenda rrjetit arkivor të vendit – duke përmirësuar ligjin ekzistues të arkivave – pa qenë nevoja për hallka burokratike shtesë. Për të bërë një analogji të thjeshtë: Rrjeti arkivor, i përbërë nga 12 arkiva vendore ka një personel prej 39 punonjësish, përveç infrastrukturës së keqe dhe buxhetit thuajse zero. AIDSSH ka 65 punonjës dhe menaxhon vetëm një të tretën e dokumentacionit të MPB.

* Dr. Jonila Godole drejton prej vitit 2014 Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), që ka në fokus ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe brezit të ri për diktaturën komuniste dhe pasojat e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura