8.2 milion lekë dëm ekonomik në QKR, kallëzim penal ish-drejtorit dhe drejtorit të IT-së

Jul 27, 2015 | 11:41
SHPËRNDAJE

Ka keqpërdorur fondet buxhetore dhe ka rritur artificialisht fondin limit duke shkaktuar një dëm ekonomik si pasojë e shkeljeve të kryera në vlerësimin e ofertave, 8.2 milion lekë (59,000 euro). KLSH ka kallezuar penalisht ish-drejtorin dhe drejtorin e IT-së në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR).

klsh-600x352

DOSJA E KLSH-së

Në lidhje me shërbimin LAN to LAN, rezultoi që në vitin 2013 kishin dështuar dy tendera të hapur në lidhje me këtë shërbim, si pasojë e vendosjes nga QKR të kërkesave të tepruara e të paargumentuara kualifikuese, veprime këto jo në përputhje me kërkesat e përcaktuara në VKM nr.1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar.

Nga auditimi rezultoi që në tenderat me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, për shërbimin LAN to LAN në vitin 2013, nuk ishin zbatuar detyrimet për ngritjen dhe funksionimin e komisionit për vlerësimin dhe përllogaritjen e fondit limit, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 28/1 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”, ì ndryshuar.

Në vitin 2014, ndryshe nga herët e tjera ku për shërbimin LAN to LAN ishte përdorur procedura “Ftes me negocim, pa botimin paraprak të njoftimit të kontratës”, QKR vendosi të prokuronte këtë shërbim nëpërmjet procedurës “Tender i hapu”. Nga auditimi i kësaj procedure prokurimi rezultoi që KVO kishte s’kualifikuar padrejtësisht dhe në mënyrë të

paargumentuar një operator ekonomik, i cili kishte paraqitur ofertën më të ulët, me arsyetimin që ky OE a) nuk kishte paraqitur “Formularin e informacionit konfidencial” dhe b) nuk kishte pronësinë e rrjetit të fibrave optike, apo marrë me qira fibra optike, për të realizuar lidhjen e QKR qendër me degët rajonale.

Operatori ekonomik, i s’kualifikuar nga QKR në këtë procedurë prokurimi, është pikërisht operatori ekonomik i cili e kishte ofruar shërbimin LAN to LAN për QKR, përgjatë 5 viteve të mëparshme, gjatë të cilave QKR nuk kishte ngritur asnjë prej pretendimeve të mësipërme.

Në lidhje me pretendimin që OE nuk kishte paraqitur formularin e informacionit konfidencial, nga auditimi rezultoi që bazuar në Dokumentet Standarde të Tenderit (DST) ky informacion nuk ishte i detyrueshëm për tu plotësuar nga OE. Madje edhe në krye të formularit, në kllapa, është venë shënimi: “Shënoni më poshtë informacionin që dëshironi të mbahet konfidencial”.

Ndërsa, në lidhje me pretendimin që OE nuk kishte pronësinë e rrjetit të fibrave optike, apo marrë me qira fibra optike, nga auditimi rezultoi që në përgjigjen e dhënë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me shkresën nr. 611/1 prot, datë 13.03.2014, ky OE dispononte “rrjete aksesi përcjellësish fibër optike të vetin dhe me qira nga Albtelecom, ATU, ABCOM, radio të vetën, me rrjete transmetimi fibër optike të marrë me qira nga Albtelecom”.

Për më tepër, QKR nuk kishte kërkuar paraprakisht në mënyrë specifike që ofertuesit të shpreheshin për pronësinë apo qiranë e rrjetit me të cilën do realizojnë këtë lidhje.

Si rrjedhojë, nga s’kualifikimi i padrejtë dhe i paargumentuar i këtij OE, si dhe favorizimi i padrejtë i operatorit ekonomik fitues, i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën prej 8,208,000 lekë (59,000 euro) .

Në tenderin e zhvilluar me objekt “Blerje serveri”, nga auditimi rezultoi që nxjerrja e urdhrit të prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, nuk ishte i argumentuar, pasi në regjistrin e parashikimit të prokurimeve për vitin 2013, ishte parashikuar tashmë zhvillimi i tenderit “Blerje kompjuter e server” me fond limit 4,5 milion lekë.

QKR, me shkresën nr. 4828/1, datë 13.05.2013 dërguar në APP, ka bërë ndryshime në regjistrin e prokurimeve për vitin 2013, duke zëvendësuar zërin “Blerje kompjuter e server” me zërin “Pajisje kompjuterike dhe server”. Por pavarësisht këtyre ndryshimeve, urdhri i prokurimit është nxjerrë vetëm për “Blerje serveri”, duke hequr pajisjet kompjuterike, pa ndryshuar fondin limit.

Dosja e auditimit të ushtruar në QKR, u përzgjodh për t’iu nënshtruar procedurave standarde të kontrollit të cilësisë në të ftohtë (kontroll i cili zhvillohet nga Drejtoria Juridike në bashkëpunim me një grup audituesish me përvojë në KLSH) në përfundim të të cilit u konkludua që për shkeljet e mësipërme ekzistonin elementë të veprës penale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura