“5 Minuta”. Tregim nga doktori dhe shkrimtari i njohur Flamur Topi

Dec 2, 2020 | 19:10
SHPËRNDAJE

flamur-topiShkëputur nga vëllimi më i fundit, me novela dhe tregime fantastike-shkencore, në proces botimi: “NGJARJE NE TRUP,” i doktorit dhe shkrimtarit të mirënjohur Flamur Topi.

Pesë minuta

Tregim
Kur zemra pushon së rrahuri, vetëm 5 minuta dramatike, ndajnë jetën nga vdekja…

Në një sallë plot dritë, balona shumëngjyrëshe, muzikë të gëzueshme, urime me zë të lartë, përplasje gotash, të qeshura, shaka, ushqime të shumëllojshme e ëmbëlsira dhe fishekzjarrë të ndritshëm e plot zhurmë, Zana festonte dhjetëvjetorin e lindjes.

Jo vetëm vogëlushja e bukur, të zotët e shtëpisë dhe të ftuarit, por edhe vetë Trupi, me sistemet, organet, qelizat dhe indet e tij, festonte. Prijësi i tyre, Truri Mendjendritur, e shfaqte hapur gëzimin dhe lumturinë e tij. Nervat optikë të dy syve përcillnin pareshtur për në Qendrën e Shikimit të tij pamje ngazëlluese të gëzimit, gjallërisë dhe haresë së të ftuarve, kurse nervat akustikë të dy veshëve i dërgonin në Qendrën e Dëgjimit sinjale tonesh të larta të bisedave plot gjallëri, urimeve, melodive dhe këngëve ritmike.

Rreth orës dhjetë të mbrëmjes ceremonia u mbyll mes të thirrurash të hareshme, duartrokitjesh, urimesh nga çdo drejtim i sallës për edhe 100 vite të tjera të Zanës. Gjysmë ore më vonë, paksa e lodhur, por tejet e lumtur, Zana u shtri të flinte dhe gjumi e zuri shpejt, më lehtë se çdo natë tjetër.

Dalëngadalë, edhe në Trupin e saj ra qetësia, mes së cilës dëgjohej dihatja e rregullt dhe ritmike e fëmijës, përhumbur në dremitjen e thellë të ëndrrave të bukura si në përralla, që vajza e vogël aq shumë i pëlqente.

Pas Trurit, nisën të mbyllnin sytë njëri pas tjetrit tërë organet. Ishte e sigurt se vetëm njëri syresh nuk kishte për të fjetur: Zemra e vogël, sa një grusht fëmije. Ja, ajo! Që kur kishte nisur të rrihte për herë të parë në jetë, këtu e dhjetë vjet më parë, nuk ishte çlodhur kurrë. Dhjetë vjet që rrihte pa më të voglin pushim, ditë e natë, javë më javë, muaj më muaj, vit pas viti.

Të nesërmen Zemra pyeti Trurin për kuptimin e urimit që gati gjithë të ftuarit i kishin bërë Zanës, për t’u bërë 100 vjeçe.

– Do të thotë se të gjithë urojnë që jeta e Zanës të jetë jo vetëm e shëndetshme, e paqtë dhe e lumtur, por edhe e gjatë, madje shumë e gjatë, 100 vjet, – i tha ai.

– O Perëndi! Një lajm i tillë, në vend të më gëzojë, siç mund të prisni, po më trondit. Dhjetë vjet rrah e rrah pa pushim e pa u çlodhur sadopak. Si do të mund ta bëj këtë punë sfilitëse për 100 vjet? – pyeti, a ndoshta klithi, Zemra e vogël.

– Punë e paqme e Krijuesit! Je mrekullia e tij! Nuk di, nuk njoh gjer më sot dhe nuk e besoj të ekzistojë aparat njerëzor që të të shëmbëllejë, të punojë pareshtur, pa pushuar as edhe pak sekonda, ditë e natë.

– E ç’po fitoj nga i tërë ky mund sfilitës, i parrëfyer? Ç’po i gëzoj kësaj jete? Ja, ti, prijësi ynë, u kënaqe si askush natën që shkoi. Pe, dëgjove dhe ndjeve gjithçka. Kurse unë, dhjetë vjet si e burgosur brenda kafazit të kraharorit të fëmijës. Dhjetë vjet kam të njëjtën pamje para syve.

– Është misioni që Krijuesi të ka ngarkuar. Ndaj njerëzit të çmojnë e të duan.  Portretin tënd e has ngado, në çdo mjedis. “Zemra ime, Shpirti im”, – është shprehja më e përdorur nga popujt. Ama, kurrë nuk është dëgjuar të thonë: “Truri im i dashur, Mëlçia ime, Shpretka, Stomaku, Zorra, Kocka, Muskuli im…” Kurrë, jo! Cilësime të këtilla do të dukeshin vulgare e banale, edhe pse janë organe jetike, të çmuara e të dobishme për jetën. Cilido do të ndihej i fyer ose, në rastin më fatlum, plot ironi do të gajasej së qeshuri, sepse asnjëri nga ne nuk ka mundur të shndërrohet në një simbol gjigant mbarëbotëror të dashurisë, mëshirës dhe dhembshurisë njerëzore. Ja, kjo është e vërteta, kjo dhe asgjë tjetër. Hëpërhë, ta lëmë këtë bisedë shqetësuese, sepse, me sa vë re, Zana po përgatitet për të vajtur në shkollë dhe nuk duhet ta vonojmë.

Përderisa bëhej fjalë për shkollë e mësime të së voglës, së bukurës e së mençurës Zana, e bindur, Zemra e vogël heshti dhe nuk foli më.

* * *

100 vjet vetmi. 100 vjet e njëjta pamje monotone, gjer në mërzi. Në njërën anë Mushkëria e Majtë, në tjetrën Mushkëria e Djathtë, përpara brinjë të bardha e muskuj të kuqërremtë dhe pas po brinjë, po mishra e vertebra. Si të mos mjaftonin tërë këto, qe e “dënuar” të rrihte e të rrihte, pa më të voglin pushim.

Ideja se të paktën brenda kësaj hapësire të mbyllur, të ngushtë e të paajër si në qeli, duhej të kishte edhe çaste të merituara pushimi e prehjeje, po i bëhej gati një fiksim torturues prej të cilit po pushtohej gjithnjë e më shumë. Përjashto Mushkëritë, që ritmikisht, por më rrallë se ajo vetë, fryheshin e shfryheshin si tullumbace, gjithë organet e tjera, pa përjashtim, sa binte mbrëmja ulnin ndjeshëm punën e tyre, thuajse flinin. Po ajo, Zemra e vogël e Zanës, a nuk kishte të drejtën e Perëndisë të çlodhej sadopak, të mbyllte sytë një herë të vetme në jetë e të bënte pakëz gjumë?

Nuk mundi të duronte më. Për brengën gërryese e të mundimshme vendosi t’u hapej fëmijëve të vet, Keit Flakut, Ashof Tavares dhe binjakëve Hiss.

Këta e dëgjuan plot vëmendje, madje me trishtim e pikëllim të dukshëm, dhe në fund, sypërlotur, i thanë se ishte në të drejtën e saj të pushonte, qoftë edhe një grimë, si gjithë të tjerët.

– Pra, ke vendosur të pushosh, të ndalesh së punuari, të marrësh paksa veten,  të çlodhesh? – pyeti Truri Mendjendritur që, ndonëse u mundua, nuk mundi të fshehë dot tronditjen për çka po i dëgjonin veshët.

– Po. Vendimin e mora së bashku me fëmijët e mi, Keitin, Ashofin dhe binjakët Hiss. Madje, përmes lotëve të dhembjes për fatin e nënës së tyre, detyruar si një skllave e mjerë të punojë 10 vjet pa pushuar as edhe një grimë.

– Domethënë, do të shkosh kundër vullnetit të Krijuesit, i cili të krijoi pikërisht kështu, një organ unik, të pashëmbëllyeshëm?!

– Jo, jo! Nuk do të ndaloj përgjithnjë së punuari. Veç do të shijoj të paprovuarën ndonjëherë në jetën time, çlodhjen, pushimin…

– E ke pyetur ndonjëherë veten se përse i nevojitesh kaq shumë Trupit të Zanës?

– E di fort mirë, imzot! Si një pompë e përkryer, 24 orë në 24, të mbledh e të shpërndaj pareshtur gjakun në mbarë Trupin e vajzës.

– Dhe pa gjak nuk ka jetë, apo jo? – ngulmoi Truri.

– Sigurisht që nuk ka! Këtë e dimë fort mirë!

– Atëherë, ç’do të ndodhë kur të ndalësh rrahjet e tua? E ke menduar?

– E përsëris! Nuk do të pushoj përgjithnjë! Shpejt, shumë shpejt, do të rinis punën time së bashku me fëmijët e mi.

– Sa do të jetë ky pushim?

– Të paktën një orë. Një orë çlodhje për dhjetë vjet punë të pareshtur e pa pushim, qoftë edhe një minutë të vetme…

Truri nënqeshi hidhur.

– Çmenduri ta mendosh! – foli shkurt e prerë. – Jo një orë, por as edhe pesë minuta nuk është e mundur të pushosh!

– As pesë minuta pushim nuk merituakam për gati 90.000 ditë e net punë?

– Po, po, as pesë minuta! Po e them me zë të lartë! As pesë minuta, sepse vdekja e vogëlushes – Oh, Zot, sa shumë më rëndon në shpirt kjo fjalë e kobshme! – do të ishte e sigurt dhe e pashmangshme.

– Këtë nuk e besoj! Si mund të humbka jetën vogëlushja vetëm për 300 sekonda? Si është e mundur?

Truri ofshau thellë si të mos mbushej me frymë dhe pas një mëdyshjeje të zgjatur, i zënë ngushtë si në kurth, vendosi të zbulojë sekretin më të madh të jetës së vet. Në të vërtetë, pikën e tij më të dobët, atë që askush gjer atëherë nuk ia dinte.

– Dëgjomë, Zemra ime! Sikundër çdo qenie e gjallë, mikro ose makroskopike, sikundër Akili i legjendës së lashtë greke, kam edhe unë pikën më të dobët jetike, që armiqtë e jetës nuk duhet kurrsesi ta mësojnë.

Zemra mbajti frymën. Po e dëgjonte veshëmprehur dhe syhapur, madje bebëzat e syve iu zmadhuan dukshëm, teksa priste plot kureshtje e ankth të mësonte të fshehtën e madhe.

– Zemra ime! Jam vërtet prijësi juaj, por edhe më i dobëti ndaj mungesës së gjakut. Nëse ndodh të mos furnizohem me gjak për plot dhe vetëm pesë minuta, vdekja ime është njëqind për qind e sigurt. Qelizat e mia, e dashur Zemër, janë shumë të brishta e po kaq të ndjeshme ndaj mungesës së tij. Ja, kjo është e gjitha çfarë desha të të zbuloj e të të them. Ndaj ti nuk mundesh, nuk duhet kurrsesi të pushosh, qoftë edhe një minutë të vetme!

Ndërkohë, Zemra po e shihte me plot mosbesim dhe e mëdyshur. Të kishte thënë, vallë, të vërtetën? T’ia zbulonte kaq lehtësisht pikën e tij më të dobët?

– Unë nuk e besoj çfarë po më thua! Nuk mund ta besoj! Dhe e kuptoj përse. Nuk kërkon të kesh telashe çfarëdo. Të mësuar prej dhjetë vjetësh të punoj pareshtur ditë e natë, pa më të voglin pushim, po gjykoni pak a shumë kështu: E përse u dashka rrezikuar sadopak, përderisa Zemra e Zanës i siguron pareshtur Trupit furnizimin jetik me gjak?

– Nuk më besuake? – gati thirri i tronditur Truri. – Po pse? Ç’më pandeh? Një naiv të vërtetë që të zbulova sekretin e madh të jetës sime? Epo, mirë! Bëj ç’të duash! Bëj si të të thotë mendja ty dhe bijve të tu, veç ju siguroj që jo vetëm nuk do të gjeni qetësinë dhe prehjen e ëndërruar, porse do të rrezikoni seriozisht jetën e Zanës. Në vend të qetësisë, paqes e prehjes së dëshiruar, do të provoni ankthin, makthin dhe stresin më të madh të jetës suaj dhe do të pendoheni shpejt e thellë për çfarë bëtë.

Zemra e vogël kishte vendosur të pushonte vetëm një orë. Sipas gjykimit të saj, një ndërprerje e plotë e furnizimit me gjak për vetëm 60 minuta nuk kishte për ta rrezikuar aspak Trupin, sistemet dhe organet e tij. Sa për paralajmërimin e zymtë, të frikshëm e drithërues të Trurit, se do të mjaftonin vetëm pesë minuta mungesë të plotë të ushqyerjes me gjak që qelizat e tij të vdisnin, këtë ajo nuk mund ta besonte si të vërtetë, por ishte thjesht një kërcënim dhe asgjë më shumë.

* * *

Kambanat e orës së madhe të qytetit tingëlluan plot dymbëdhjetë herë. Mesnatë. Qetësi dhe heshtje e thellë. Zemra përgatitej të çlodhej, më në fund. Sipas planit të saj, Keit Flaku do të ndalonte së prodhuari ngacmues elektrikë dhe ajo nuk do të mund të tkurrej e do të niste pushimin e saj njëorësh.

Kështu bënë. Por shpejt, shumë herët, pa kaluar 40-50 sekondat e para, mbarë Trupi nisi të oshtijë. Kishte nisur fill uria e menjëhershme për gjak, oksigjen dhe ushqim.

Tërë masa pesëlitërshe e lëngut të kuq të jetës, si në një trafik tërësisht të bllokuar, kishte ndaluar në çast së rrjedhuri brenda enëve të mëdha, të vogla e shumë të vogla. Arteriet nuk furnizonin me gjak qelizat e indet e mbarë Trupit dhe s’qenë pak, por miliarda syresh. Venat nuk po mundnin të shpinin për në Mëlçi, Veshka e Mushkëri helmet dhe gazrat e dëmshme. Nuk kishte për të vonuar dhe Trupi do të mbytej prej tyre. Ç’gabim i rëndë, krejt i pafalshëm, i Zemrës së vogël! I kishte dalë nga mendja se bash ajo, madje edhe më shumë se të tjerët, kishte nevojë jetike për gjak, oksigjen dhe ushqim, përderisa punonte pareshtur, ditë e natë. Arteriet kurorë të saj, koronaret, me ndalimin e rrahjeve, nuk po i sillnin as edhe një pikë gjaku.

Të mësuara për dhjetë vjet me furnizim të bollshëm gjaku, oksigjeni dhe ushqimesh të shumëllojshme, miliardat e qelizave të saj nisën të thërrisnin, të qaheshin e të ankoheshin për frymëmarrje të vështirë e dhembje të forta.

Sirenat e alarmit nuk reshtnin së rëni. Pas minutës së tretë, miliarda qeliza nervore të Trurit, pasi kishin klithur e ulëritur me zë të lartë, po plogështoheshin, po bëheshin gjithnjë e më të turbullta. Gati po dremisnin në këmbë.

Sekondat shkonin përpara me shpejtësi. Shumë qelizave nervore të Trurit nisi t’u bjerë të fikët e të rrëzohen në këmbë të tij.

Zërat ankimtarë sa vinin e bëheshin më të rrallë, më të venitur, më të vetmuar, thua se një kosë e padukshme po i korrte pa mëshirë, njëri pas tjetrit.

“Janë në prag të komës. Komës së rëndë të pakthyeshme, pra vdekjes, dhe kjo gjendje, thuajse e pashpresë, po më tmerron. Në minutën e katërt do të humbasin ndjenjat e nuk do të mbetet askush i gjallë për të sjellë në vete Zemrën. Jemi të gjithë të rrezikuar të vdesim në këtë trup të brishtë fëmije e, bashkë me ne, edhe vetë ajo, Zemra.”

– Zemër, – iu drejtua Truri, krejt i këputur e gati në të rënë, – mbetën vetëm 60 sekonda. Në mbarimin e minutës së pestë unë dhe miliardat e mia do të vdesim pa përjashtim. Ti vetë ke pak minuta shpresë për ta marrë veten e për të rinisur punën tënde, por, mjerisht, ka për të qenë vonë. Jeta edhe mund të rinisë, por pa mua, pa miliardat e mia. Ato nuk do të mund të rikthehen në jetë. Fëmija mund të ringjallet, por do të jetë e patru. Tërë vitet që vijnë do të jetë në një gjendje kome të thellë e krejt e pashpresë. Ndaj, Zemër, nuk ka më kohë! Hiq dorë nga pushimi absurd! Nis! Fillo të rrahësh! Nuk ka më kohë, Zemër! Janë sekondat e fundit! Mos rreziko jetën e fëmijës që e duam aq shumë! Nis! Nis! Fillo! Fill… fi… fff…

Truri u turbullua më shumë. Nisi të marramendej, gati-gati të rrëzohej.

– Është vdekja! Vdekja! Fundi! Fare pranë, fundi! Vetëm pak sekonda… sek… s… s…

Zemra po ndihej keq e shumë më keq. Thirrje për ndihmë të qelizave dhe indeve të saj, ulërima të thekshme, lutje plot përgjërim, kërcënime të egra, zemërim i thellë, revoltë turmash miliardëshe për t’i dhënë fund asaj gjendjeje kritike, plot rreziqe për jetën, që kurrsesi nuk mund të cilësohej më si pushim, si çlodhje, përveçse një marrëzi e skajshme që po i shpinte drejt fundit të sigurt.

Vetë ajo dhe katër fëmijët e saj gati-gati po dremisnin. Arteriet koronare nuk po u sillnin pikë gjaku. Oksigjeni po shteronte me shpejtësi dhe ushqimet po ashtu. Miliarda qeliza dhe inde të saj ulërinin në kupë të qiellit nga dhembjet e forta për shkak të pagjakësisë. Tensioni arterial po zbriste frikshëm drejt shifrave më të ulëta, që paralajmëronin fundin e sigurt e pa kthim të Trupit së Zanës.

– Zemër! – dëgjoi zërin e humbur tani, gati të venitur, të Trurit, me sa dukej në çastet e tij të fundit. – Nis! Fillo, të lutem! Në emër të jetës të së shtrenjtës Zana, rrih! Kanë mbetur shumë pak sekonda! Do të pendohesh me siguri, madje shumë shpejt!  Edhe po të duash të rinisësh nga puna, nuk do të mundesh! Nuk do të mund të rindezësh motorët! Ndryshimet metabolike do të bëjnë të tyren… Nis, të lutem! Të përgjërohem, përgj… për… p…

E dëshpëruar, thellësisht e tronditur për gjëmën që kishte shkaktuar me fiksimin absurd, gati patologjik, me vështrimin thuajse të shuar e të venitur fiksuar në qiell të Trupit, ulur më gjunjë, zëulët, si të pëshpëriste, kaq e pafuqi ishte, përvuajtshëm nisi të flasë…

– Ndjesë, mëshirë, Krijuesi im! Mëshiromë dhe më fal! Nuk duhej të kisha dyshuar. Të këtillë më bëre. Të punoj pareshtur. Dhe ti e ke ditur përse. Nuk mund të gaboje, kurrsesi. Falmë, Trupi im! Zana, falmë!

E zbehtë, e drobitur, e ligështuar, lëshoi urdhrin e shumëpritur për bijtë e saj.

Keit Flaku, Ashof Tavara dhe binjakët Hiss nxituan në çast të ndihmonin nënën, por kjo, e rrënuar trupërisht e shpirtërisht, thuajse e mbaruar, nuk iu përgjigj dot ngacmimeve të para elektrike të Keitit. Nuk mundi të tkurret, të rrahë. Keiti nuk vonoi të dërgojë drejt saj impulse të tjera e sërish. E mjera nënë, nuk po gjente forca brenda saj t’u përgjigjej thirrjeve ngulmuese dhe alarmuara të fëmijëve. Të tmerruar, gati të pafrymë, bijtë vështruan nga njëri-tjetri.

– Vazhdo, Keit! Pa ndërprerje, vazhdo! – iu drejtua Ashofi, tani i zbehur meit.

Plot ankth dhe frikë, Keiti dërgoi të tjera e të tjera impulse elektrike.

Tridhjetë sekondat e fundit. Krejt të ligështuar, Ashof Tavara dhe binjakët Hiss ngulën vështrimet e venitura, gati pa shenjë jete, te vëllai madh, Keit Flaku. Të pafjalë, plot lutje e përgjërim, mbytur në ankth e drithërimë, shikimin e mbërthyer tek ai, dukej sikur po i thoshin në një zë: Provo, Keit! Provo edhe një herë! Dërgoji të tjera impulse nënës së dashur! Bëje të nisë nga puna, të rrahë! Të rrahë! Nuk ka më kohë, Keit! Nuk ka! Edhe pak sekonda! Shumë pak dhe… truri do të vdesë! Fill pas tij, ne e gjithë të tjerët do të japim shpirt… do të tretemi përgjithnjë!

Keiti nuk reshtte së dërguari ngacmime nënës së dashur, por, e mjera, dukej si të kishte rënë në gjumin e thellë të vdekjes së afërt dhe nuk po u përgjigjej.

20 sekonda… 19… 18… 17… Bijtë numëronin plot ankth e trishtim të thellë. 16… 15…

– Nëna Zemër! Nënë e dashur! Zgjohu, të lutemi, zgjohu! Do të vdesim, nënë! Do të vdesin bijtë e tu! Hapi sytë, nënë!

Në thellësi të vetëdijes së errësuar, gati të humbur, mezi mundi të mbërrijë thirrja e largët llahtare e tre fëmijëve në prag të vdekjes dhe zemra e nënës fërgëlloi plot dridhërimë tmerri.

– Vazhdo Keit, vazhdo, mos pusho! Mëma e dashur na u përgjigj me një dridhmë shprese. Bëje të rrahë, Keit! Kanë mbetur 10 sekondat e fundit! Të fundit fare. Vdekja është fare pranë. Ja tek vjen… Veshur e tëra në të zeza, me kosën e frikshme në dorë.

10 sekonda… 9… 8… 7… 6… 5…

O Perëndi! Nuk po u besonin syve. Mëma e dashur u drodh me gjëmë, si ta kishte përshkuar mespërmes rrufeja dhe… nisi të rrahë. Të rrahë! Të rrahë! E para rrahje… e dyta… e treta… e pesëdhjeta… e gjashtëdhjeta…

Me klithma gëzimi, me lot në sy, Keiti, Ashofi dhe binjakët Hiss u hodhën në krahët e njëri-tjetrit dhe pastaj në gjirin e nënës së dashur e të shtrenjtë Zemër, ende të kapitur e të përgjumur, por në thellësitë e qenies dhe shpirtit të saj e lumtur pafundësisht. Katër fëmijët e dashur e të shtrenjtë i kishin shpëtuar vdekjes së sigurt, por edhe ajo vetë, Truri dhe Trupi po ashtu. Vogëlushja Zanë do të rronte gjatë, shumë gjatë. Do të bëhej 20, 30 vjeçe. Do të lidhte jetën me një djalë simpatik si ajo vetë, do të bënte një fëmijë, dy, tre… Do të kremtonte lumturisht 50-vjetorin e lindjes. Do të bëhej 60 vjeçe. Gjyshe e lumtur pastaj, rrethuar plot dashuri nga nipër e mbesa të bukura e të mençura. Do të mbushte 70 vjeçe, 80, 90, mbase edhe 100. O Zot, gjithë këto rrezikuan të humbitnin përgjithnjë vetëm në pesë minuta, në 300 sekonda ankthi e tmerri të parrëfyer…

Drama e rëndë kishte nisur e mbaruar lumturisht brenda vetëm katër minutash e tridhjetë sekondash. Në më pak se pesë minuta Zemra kishte marrë një mësim skajshëm të çmuar, sa ndoshta edhe 100 vjet jetë prej gjysheje të urtë e të mençur nuk do t’ia kishin dhënë.

Tiranë, 15 tetor 2016

Zanës, motrës sime të bukur, sykaltër dhe flokëverdhë, zemra e së cilës një natë të acartë të vitit 1947 nuk mundi të rrahë më.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura