25 prilli duhet të jetë nisja e një epoke morali në qeverisje

Mar 27, 2021 | 10:31
SHPËRNDAJE

Presidenti Bujar Nishani

NGA BUJAR NISHANI

Nisi zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Zgjedhje këto, që pas 25 prillit duhet të sjellin modelin krejt të ndryshëm të qeverisjes, në përgjegjësi, profesionalizëm e mbi të gjitha një moral të ri.

Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita kanë sot më shumë se kurrë më parë mundësinë, rrethanat, motivin dhe moralin të bëjnë përmbysjen e madhe politike dhe të krijojnë bindjen e fortë te qytetarët se 25 prilli nuk është një formalitet juridik për rrotacionin politik ndërmjet një qeverie në ikje dhe një qeverie në ardhje, por domosdoshmërisht nisja e një epoke të re serioziteti, profesionalizmi, përgjegjshmërie e mbi të gjitha morali i lartë në qeverisje. Ky është motivi i fushatës, por dhe detyra e përgjegjësia e çdo kandidati për deputet i opozitës gjatë kësaj fushate. Opozita ka sot çdo epërsi morale dhe nuk ka nevojë për formalizëm.

Thjeshtësia dhe sinqeriteti janë nevoja e vetme e opozitës. Kjo është fushatë e vështirë nga pandemia dhe shteti paralel i bandave qeveritare, por me avantazhin më të madh moral nga opozita pasi zullumet e kësaj qeverie ndaj shqiptarëve kanë qenë më të pamëshirshmet. Opozitës i mjafton në këtë fushatë t’i përgjigjet veç një pyetjeje fondamentale. Përse i duhet mandati i tretë Edi Ramës?

Opozita duhet t’u përsërisë shqiptarëve, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, në çdo qytet, fshat, lagje e takim, se mandati i tretë “Rilindjes” i duhet: Që të vijojnë grabitjen e shqiptarëve, tenderët ku vlera e nevojshme për një punë publike shumëzohet me 7-të që të parapaguhet 30% i makutëve, që fatkeqët e tërmetit të vijojnë e dimërojnë edhe 4 vite të tjera pa shtëpi  të vijojë të përvetësohen parqet e sheshet për kulla betoni, që shqiptarët të trajtohen si kavje për vaksinat e pacertifikuara, që shqiptarët të vijojnë të torturohen e poshtërohen në të ashtuquajtura spitale etj., etj., pa fund.

Përgjigjja e pyetjes se përse i duhet mandati i tretë Edi Ramës, nis e mbaron fare thjesht. Te vijimi i korrupsionit më të zi e më masivi, i parë në këtë vend, te vijimi i kapjes së shtetit nga banda. Ndaj, shumë miqësisht u sugjeroj kandi datëve për deputetë të PD-së dhe opozitës që çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe hajnisë ta kenë prioritet mbi prioritetet. Prezantimi i një projektligji konkret mbi vetingun e çdo politikani e pushtetari, bazuar te konfiskimi i çdo pasurie të pajustifikuar, do të fitonte rrufeshëm besimin te modeli i qeverisjes së re.

Do të ishte ideale nënshkrimi i një kontrate antikorrupsion nga çdo kandidat me përfaqësi qytetarësh sipas grupeve të interesit në zonat ku konkurrojnë. Ky qëndrim do të konfirmonte përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e opozitës përballë shqiptarëve, duke motivuar fort besimin e tyre. Përgjegjshmëria dhe serioziteti janë dy kolonat themelore të moralit. Morali i lartë është ajo çka kërkojnë më shumë se çdo gjë sot votuesit. Morali përbën kontrastin më të fortë midis dy modeleve. Atij që duhet rrëzuar dhe atij që i duhet dhënë besimi. Morali është avantazhi më i madh i PD dhe opozitës përballë amoralitetit, mashtrimit dhe inkriminimit të pushtetit.

Standardi i moralit duhet garantuar gjatë kësaj fushate, me seriozitet. Projekti i një ligji vetingu të politikanëve do të garantonte seriozitetin e merituar për antikorrupsionin. #25PrillZgjidhja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura