“21 janari”, avokatët: Dëshmitarë e prova kundër Akuzës

Nov 1, 2012 | 14:17
SHPËRNDAJE
Ish-komandanti i Gardes, Ndrea Prendi ne gjykate

TIRANE – Avokatët mbrojtës të të pandehurve të dosjes “21 janari” në Gjykatën e Tiranës thanë dje se do të kundërshtojnë provat shkresore të Prokurorisë. Sipas avokatëve, kundërshtim do të kishte edhe për formën se si janë marrë, po ashtu edhe për përmbajtjen e tyre. Por, mbrojtësit nuk i paraqitën argumentet e tyre në seancën e djeshme në ngarkim të ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi e të bashkëpandehurve të tij, Agim Llupo e Margarit Kume, të akuzuar për vrasjet në demonstratën e 21 janarit 2011 në Tiranë. Ata rezervuan të drejtën për t’u shprehur pasi gjykata të administrojë edhe provat e palës mbrojtëse. “Provat e paraqitura nga Akuza do t’i kontestojmë si në formë e marrjes dhe administrimit, po ashtu edhe në përmbajtje. Por, ne gjykojmë se kontestimi nuk mund të bëhet pa u administruar nga ana e gjykatës edhe provat e mbrojtjes”, u shpreh mbrojtësi i të pandehurit Ndrea Prendi, avokati Genc Gjokutaj. Në vijim, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Agim Llupo shprehu paqartësi për provat e paraqitura nga Prokuroria. “Krahas citimit të provave shkresore në mënyrë të listuar, Akuza nuk na tha se çfarë donin të provonin me secilën prej tyre. Për shembull, na u tha që janë administruar disa CD me pamjet e televizioneve, por pa na thënë se çfarë do të provohet me to”, tha avokati Besnik Çerepi. Në vijim gjykata vendosi që në seancën e radhës, e cila pritet të zhvillohet sot, procesi do të vijojë me marrjen e provave të mbrojtjes. Sipas gjykatës, në kërkesën e avokatëve për prova janë pyetja e pesë dëshmitarëve, si edhe pyetja e dy personave në cilësinë e ekspertëve. Për dy nga dëshmitarët, Mark Ndoi dhe Jetmir Duraku, avokatët hoqën dorë. Në pranim të kërkesës së avokatëve, gjykata vendosi që radha e marrjes së provave të mbrojtjes të niste me pyetjen e dëshmitarëve. Në seancën e 24 tetorit, Gjykata përfundoi marrjen e provave të Prokurorisë në proces.                                              ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura