19 ditë pushim dhe fazë në Slloveni, Kukësi i jep një shans spanjollit Cano

May 22, 2018 | 11:21
SHPËRNDAJE

Kukësi pret të zhvillojë ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Flamurtarit, e cila do të ketë thjesht vlera statistikore për verilindorët. Drejtuesit e kanë mendjen te riorganizimi, i cili pritet të jetë paksa i vështirë për shkak se konkurrenca në Kupat e Europës është mjaft e madhe dhe ekipit kuksian i nevojiten disa lojtarë që të bëjnë diferencën. Por, trajneri austriak i ka idetë e qarta dhe e di çfarë kërkon.

Kukesi-Vllaznia

Së pari, Pakult dhe stafi kanë bërë një plan përgatitjeje për Kupat e Europës. Ata shpresojnë që të marrin pjesë në Champions Ligë dhe po i bëjnë llogaritë për këtë kompeticion. Burime të besueshme të “Panorama Sport” kanë bërë me dije se pas ndeshjes me Flamurtarin futbollistët do të marrin pushimet deri më datë 10 qershor dhe ditën e hënë, në orën 10:00, më datë 11 qershor, rifillon stërvitja. Pakult do ta lërë ekipin plot 19 ditë pushim.

Mbas 3-4 ditësh stërvitje në Tiranë, skuadra do të bëjë grumbullimin më datë 15 qershor, kur ekipi do niset për fazën përgatitore në një resort në Moravskë, Toplicë në Slloveni, e cila do zgjasë 15 ditë, deri më datën 30 qershor.

kukesi

Kontratat – Nga Kukësi pritet të largohen disa lojtarë, ku më kryesori është Sindrit Guri, i cili u bë pjesë e Ostendes në Belgjikë. Përveç Gurit janë një mori futbollistësh që iu përfundon kontrata në fund të sezonit. Disa nuk janë më në planet e skuadrës, ndërsa të tjerë kanë oferta nga jashtë vendit.

Megjithatë, mësohet se pa afruar zëvendësuesit, drejtuesit e klubit nuk do hedhin asnjë hap për largimin e tyre. Ndërsa futbollistë që janë në objektivat e verilindorëve për t’u afruar, janë sulmuesi i Kamzës, Sebino Plaku, dhe mbrojtësit Armend Thaçi që luan te Gjilani.

pakult

Largimet – Në datën 10 maj te skuadra e Kukësit janë afruar në provë tre futbollistë. Spanjollët Aleks Cano dhe Pao Otero, si dhe Ilia Kasapi që erdhi nga kampionati grek. Burime të gazetës kanë bërë me dije se Kasapi dhe Otero nuk e kanë kaluar provën, ndërsa mesfushori Cano ka treguar cilësi të mira dhe në vijim do të ketë një përgjigje të saktë për të.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura