“1 kg miell dhe 1 kg flori, kanë TVSH të njëjtë”/ Bushati propozon reformë për financat publike: Familjet që blejnë shtëpi për herë të parë, të paguajnë më pak…

Jan 29, 2023 | 21:45
SHPËRNDAJE

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka propozuar reformimin e financave publike dhe një rishikim të taksave bazuar në të ardhurat e qytetarëve. Në një intervistë për Panorama TV, Bushati mori disa shembuj, duke u shprehur se një qytetar paguan të njëjtën TVSH për 1 kg miell, sa ç’paguhet për 1 kg flori.

Sipas tij, disa taksa duhet të rriten për kompanitë që kanë pozita dominuese në treg, në mënyrë që në momente të vështira apo në momente krize, qytetarët të mos kenë kosto shtesë TVSH-je për produktet bazë.

Gjithashtu, Bushati shtoi se edhe familjet që blejnë shtëpinë për herë të parë, të kenë një tjetër normë taksimi apo TVSH-je në raport me ato familje apo persona që blejnë shtëpitë e treta apo të katërta.

Bushati: Edhe reformat mund të kishin qenë më të forta. Sot duhet të ketë një reformë në financat publike. Të paguajnë qytetarët TVSH për një kg miell sa për 1 kg flori, nuk është e drejtë. Të paguajnë sot qytetarët për 1 litër naftë sa paguan një automjet luksoz 1 litër naftë,  nuk është e drejtë. Të paguash sot për vajin njësoj sa paguan për bizhuteritë nuk është e drejtë TVSh-ja. Duhet të fillojë të harmonizohet kjo.

Disa korporata të mëdha, kompani që kanë pozita dominuese në treg, që kanë koncensione, duhet të paguajnë një normë fitimi dhe taksa duhet të rritet deri në nivelin 25% për të harmonizuar dhe për të parë që në momente të vështira, siç e kaluam tani me krizën, qytetarët në nevojë, pensionistët të mos paguajnë për miellin, për sheqerin, për vajin dhe për bukën të njëjtën TVSH me mjetet e luksit për naftën, floririt dhe shtëpitë e treta dhe të katërta.

Pra edhe këtu duhet të harmonizohet. Nëse një familje për herë të parë blen një shtëpi, pse mos të paguante një normë tjetër taksimi apo TVSH-je, në raport me një tjetër që e ka shtëpinë e tretë apo të katërt apo të luksit. Këtu duhet të shikohet në këtë mentalitet. Duhet një reformë në financat publike për të rritur progresivitetin. E pamë që progresiviteti ishte një ide e mirë, funksionale. Por u la në mendimin tim në mes të rrugës.

Progresiviteti duhet të thellohet, tuhet të rriten taksa për ata që kanë pozita dominuese në treg. Kjo është një këshillë për të përmirësuar punët. Unë si politikan, kam disa propozime që mendoj se e bëjnë më mirë Shqipërinë. Loja me opozitën, opozita në “Netflix”, e heqin fokusin nga punët e mazhorancës. Të gjithë të tjerat, e harxhojnë energjinë. Nëse qeveria nuk do merrej me këto shfokusimet opozitare, sot do kishim një temp tjetër dhe ritëm më të lartë pune. Nuk pretendojmë se kemi njeriun perfekt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura