“Sotiri 2011” tregon sekretet familjare në foto

Jul 1, 2011 | 10:42
SHPËRNDAJE
Seria e fotografive fituese në konkursin e fotografisë “Sotiri 2011”

Mes 15 konkurrentësh, që afruan gjithfarë eksperiencash familjare, ajo e Alicja Dobruckas nga Polonija ishte më e veçanta.Mes 15 konkurrentësh që afruan gjithfarë eksperiencash familjare, ajo e Alicja Dobruckas nga Polonia ishte më e veçanta. Një histori e vërtetë dhe tronditëse që do të ndryshonte jetën e saj dhe të prindërve. Një histori humbjeje, ku arti lind si kompensim, si përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur çka është e mundur. Me një seri fotografish të titulluara “I like you, i like you a lot”, Dobrucka fitoi edicionin e sivjetshëm të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “Sotiri”. Juria e përbërë nga Anouck Durand, e cila ishte edhe kuratorja e këtij edicioni, Vladimir Topi, Soela Zani, përzgjodhi pikërisht fotografitë e saj si më të qëlluarat për “Sotiri 2011”, që këtë vit vërtitej rreth një teme shumë të veçantë. Titullohet “Propaganda intime – Albumi i familjes” (“Intimate propaganda: family photography” dhe mundohet të futet në ambientet familjare e të zbërthejë çfarë fshihet pas fotografive në një album familjar. Ashtu si dhe herët e tjera, ekspozita e konkursit fotografik “Sotiri” është hapur në qytetin e Korçës, në galerinë “Vangjush Mio”. Veç artistes polake u shpallën edhe dy fitues të tjerë: Ayumi Tanaka nga SHBA dhe Hemya Moran nga Izraeli.
Nga albumet e të gjithëve
Koncepti i Anouck Durand të sjell menjëherë në mendje ato shumësi fotosh bardhezi, realizuar gjatë viteve të diktaturës e që çdonjëri prej nesh ruan në albumin e familjes. Në mungesë të një aparati personal (ishte luks shumë i madh aso kohe), shumica janë të realizuara nëpër studio. Pozicione statike: prindërit në mes e fëmijët anash, ose anasjelltas. Ca të tjera janë realizuar për 1 Majin, kur të gjithë vishnim rrobat më të mira (prindërit me doemos kostumin e vetëm që i gjendej në dollap, kurse fëmijët me pulovra të punuara me dorë dhe fustane, apo pantallona, mundësisht të kthyera dy herësh e me çorape të gjata, të bardha, ose me kuadrate, deri në gju). Aso kohe detyroheshim të dilnim para bliceve dhe të shtrëngonim veten për të nxjerrë ndonjë buzëqeshje. Sot, kur shfletojmë mbulesat e tejdukshme të fotografive në albumet e mëdhenj të qëmotit, të përcillen lloj-lloj ndjesish. Të kujtohen historia të vogla të ndodhura ditën kur janë shkrepur ato foto, të cilat i dinë vetëm njerëzit e fotografisë. Anouck Durand mëton të zbulojë se jo gjithçka është ashtu siç duket. Pas ca buzëqeshjesh të lumtura rreth një tryeze festive, askush nuk e di se ç’zien, askush nuk i di regatat e vërteta mes një prindi dhe një fëmije, apo prindërve me njëri-tjetrin. Koncepti i Durand joshi artistë nga Polonia, Sllovenia, Britania, Estonia, Izraeli, SHBA, Kroacia, Holanda, si dhe vendi pritës, Shqipëria, e cila u përfaqësua me konkurrentët Alketa Ramaj, Brilanta Kadillari, Arjana Demiraj e Klodian Deda.
Një humbje personale
Alicja Dobrucka nisi të fotografonte nisur nga një nevojë e brendshme për të çliruar dhimbjen e shkaktuar nga vdekja e të vëllait. Nuk e mendonte se do t’i publikonte ndonjëherë, aq më pak të fitonte ndonjë çmim. “Fillova t’i realizoj këto fotografi menjëherë pas vdekjes së vëllait tim 14-vjeçar, i cili u mbyt më 17 maj 2008. Kamera u bë një mburojë përballë brutalitetit të kësaj eksperience. Ajo më jepte mundësinë të mos isha një vëzhguese pasive në një situatë ku ndihesha tërësisht e pashpresë. Nuk kisha menduar për fotografimin. Unë thjesht po e bëja atë. Ndjeva se e kisha të nevojshme një provë që të më jepte mundësinë të shikoja prapa dhe të kuptoja se ajo që po ndodhte ishte e vërtetë. Ishte gjithashtu një përpjekje për të ruajtur të gjitha gjurmët e vëllait tim deri në atë pikë, një ndjesi normaliteti me të cilën na duhej të çmësoheshim dhe që e dija se do të ndryshonte përgjithmonë”, tregon në një intervistë Dobrucka, në lidhje me projektin e saj. “Jo shumë më vonë kam kuptuar se çfarë po ndodhte dhe fillova të shoh fotografitë që kisha bërë së fundi. Nuk jam i sigurt nëse do t’ua kisha treguar njerëzve të tjerë këto fotografi nëse aso kohe nuk do të isha duke kryer një master dhe ua tregova ato shokëve të klasës dhe pedagogëve”. E nisur fillimisht si një “marrëzi” e momentit, ajo mori përmasa artistike. Fotografitë nisën të bëhen më estetike dhe të largoheshin nga objekti i vdekjes së vëllait, për t’u qasur me vdekjen si koncept. “Pasi e kisha realizuar këtë punë, ishte pothuajse e pashmangshme, nisën të shfaqeshin fazat e pikëllimit. Fillimisht imazhet janë të papërpunuara, spontane dhe intuitive, shikuesi përballet me të. Më pas pamjet spontane dhe jo shumë estetike fillojnë të ndryshojnë, imazhet na ofrojnë më shumë ndjesinë e humbjes, një kërkim për praninë në mungesë, bëhen më pak specifike dhe me kohë shkëputen”, shpjegon ajo.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura