“Enver Hoxha u hakmor me babain tim, drejtor banke”

Jul 8, 2011 | 10:46
SHPËRNDAJE
Aldo Renato Terrusi (Në kopertinë) Prindërit e autorit

Gati 20 vjet më parë, ai erdhi në Shqipëri me një mision. Mision i cili ende nuk ka përfunduar.Në vitin 1993, një italian i lindur në Shqipëri, pikërisht në Vlorë, erdhi në Shqipëri në kërkim të eshtrave të të atit, Giuseppe Terruesit, ish-drejtor i Bankës së Gjirokastrës. I dënuar nga pushteti popullor me akuzën “shpërdorim të parave të popullit shqiptar”, pas 7 vitesh ai vdes në Burgun e Burrelit, në vitin 1952. Eshtrat nuk dihen as sot se ku ndodhen. Pas 18 vjetësh nga ajo vizitë e parë, i biri, Aldo shkruan një libër që e titullon “Kthim në vendin e shqiponjave”, ku tregon historinë e familjes së tij. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Besa” e mendohet që së shpejti të vijë edhe në gjuhën shqipe. Disa ditë më parë libri u prezantua në Romë. Përmes një interviste, Terrusi me profesion fizikant na tregon mbi librin e tij, në të cilin në formën e një ditari tregohet gjithë historia e familjes së tij migratore në disa vende të Mesdheut. Ndër të tjera, ai thotë se dënimi i të atit nuk ishte veçse një hakmarrje personale e Enver Hoxhës, i cili dashuronte të ëmën e tij, Aurelian, e cila nuk iu përgjigj dashurisë së Hoxhës, i cili më vonë do të bëhej diktator i Shqipërisë, por u martua me drejtorin e Bankës së Gjirokastrës, Giuseppe Terrusi. Sipas tij, kjo histori ka ndodhur mes viteve 1930-1936, ndërsa Hoxha bënte vajtje-ardhjet Shqipëri-Francë. Sigurisht, ky është një fakt që mbetet për t’u verifikuar, ndërsa Aldo Terrusi thotë se këtë histori ia kanë treguar familjarët e tij dhe e pohojnë dëshmitarë të kohës.
Z. Terrusi, keni shkruar një libër që qysh në titull përfshin vendin tonë: “Ritorno al paese delle aquile” (“Rikthim në vendin e shqiponjave”). Ç’është ky libër, ky kthim…?
Faktikisht, libri është ditari i udhëtimit në Shqipëri në vitin 1993. Ndërsa zhvillova një udhëtim javor nëpër Shqipëri, im ungj, Giacomo Poselli (portier i Kombëtares së futbollit shqiptar, që fitoi “Ballkaniadën” në vitin 1946), më tregoi historinë e familjes sonë. Që nga Italia, në Turqi, në Greqi, Shqipëri dhe deri në kthimin në Itali si të arratisur.
Ç’ju lidhte me Shqipërinë?
Erdha në Shqipëri kur në vendin tuaj kishte rënë regjimi i Enver Hoxhës. Arsyeja e ardhjes sime lidhej me një mision të veçantë, me gjetjen e eshtrave të tim ati, Giuseppes.
Si erdhi babai juaj në Shqipëri, për ç’arsye?
Im atë fitoi një konkurs të Bankës Italiane dhe u transferua si drejtor në filialin e Gjirokastrës.
Gjatë qëndrimit të tij këtu lindët edhe ju, apo jo?
Po, kam lindur në Vlorë në vitin 1945.
Çfarë zbuluat mbi babain tuaj gjatë këtij udhëtimi?
Kur mbërrita në Shqipëri, takova njerëz që kanë qenë bashkëvuajtës në të njëjtin burg me babain tim, si Engjëll Kokoshi dhe Petrit Velaj. Im atë vdiq në vitin 1952 në krahët e Petritit në Burgun e Burrelit, pas 7 vjetësh burgimi, tre vjet në Vlorë dhe katër në Burrel, ku edhe vdiq.
Përse u dënua, për çfarë akuzohej?
Zyrtarisht Enver Hoxha e dënoi mbi akuzën e padrejtë se i kishte zhvatur paratë popullit shqiptar. Por, pas kësaj akuze, në fakt, ishte një hakmarrje personale.
Ç’doni të thoni me këtë, përse duhej të hakmerrej Enver Hoxha?
Enver Hoxha e pëlqente time më, por ajo e refuzoi duke u martuar me tim atë në vitin 1936.
Ju ka treguar nëna juaj për këtë?
Familjarë e dëshmitarë më kanë treguar gjithë historinë.
Le të kthehemi pak tek ardhja juaj në Shqipëri, në vitin 1993. Cila ishte përshtypja e parë kur erdhët këtu?
Që koha në Shqipëri kishte ngecur 50 vjet më parë.
Dinit ndonjë gjë më parë për të?
Kisha ndjekur të gjitha ngjarjet historike e politike.
Çfarë ndieni për këtë vend ku babai juaj gjeti vdekjen? E urreni…?
Nuk mund të urrej njerëz që kanë vuajtur dhe kanë vdekur për shkak të një regjimi diktatorial. Kam gjetur në këtë vend vetëm miq, me të cilët ndava miqësinë dhe ndjenja.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura