“Don Karlos”, diplomatë e biznesmenë në premierë

May 25, 2011 | 9:31
SHPËRNDAJE
Nga opera “Don Karlos” shfaqur mbrëmë në TKOB

Një nga operat më të vështira të repertorit operistik botëror u ngjit mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Bëhet fjalë për operën “Don Karlos”, e cila mban firmën e kompozitorit Giuseppe Verdi. Një opera masive, në përmasat e “Aidës”, por ndryshe nga të gjitha operat e mëparshme të Verdit, ku vepra mbështetet e gjitha mbi linjën e dashurisë. “Don Karlos” ofron një panoramë më të ndërlikur. Dashuri, pushtet, pamundësi, tradhti, ndëshkim, pendesë.. Një luftë e fortë shpirtërore tek personazhet. Premiera u ndoq nga një numër i madh shikuesish dhe siç ndodh rëndom në natën e parë, kishte shumë të ftuar. Ishin të pranishëm përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, politikanë që nuk i mungojnë asnjëherë sallës së operës, por edhe përfaqësues të bizneseve, të cilat kanë mbështetur realizimin e kësaj vepre. Ishte i pranishëm gjithashtu edhe drejtori i “Tirana Bank”, Georgios Charalampakis. “Tirana Bank” është një nga mbështetësit kryesorë të ngjarjeve artistike në TKOB. Të tjerë mbështetës të kësaj premiere janë CEZ Shpërndarje, në 2-vjetorin e tij, si dhe Instituti Italian i Kulturës, i cili vijon festimet për 150-vjetorin e bashkimit të Italisë. Për realizuesit e kësaj vepre, mbështetja e bizneseve është një shenjë e mirë, që me gjithë kohërat e trazuara që po kalojmë, nuk ka humbur besimi tek krijimtaria. “Don Karlos” solli një atmosferë ndërkombëtare në Tiranë. Për të interpretuar në këtë vepër janë ftuar 10 artistë të huaj, që nga dirigjenti, skenografi e kostumografi, si dhe këngëtarët kryesorë, që vinin nga Italia, Venezuela e Maqedonia. Të gjithë zëra të veçantë, që mbajtën peshën e operës me katër akte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura