“Don Carlos”, opera politike e Verdit, premierë në Tiranë

May 19, 2011 | 9:46
SHPËRNDAJE
bas-baritoni, Victor Garcia Sierra, qe do te luaje rolin e Filipit II

Edhe në tragjeditë më të mëdha të dashurisë, Verdi kishte ditur të fuste nuanca politike ose klasore.Pushteti, opinioni, apo diferencat sociale çonin gjithnjë në tragjedi. Nuk ka funde të lumtura, pavarësisht nëse flitet për vdekje nga sëmundjet apo aksidentale. Tek “Don Carlos” linja politike është ajo kryesorja, ndërsa ajo dashurore, ndonëse sërish shumë e fortë, del në vend të dytë. Në një situatë të paqetë politike, pikërisht kjo vepër ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Është një premierë absolute, e cila ngjit në skenë një numër të madh këngëtarësh, kryesisht të huaj. “Don Carlosi” është një nga ato vepra, që për shkak të përmasave të saj, rrallë e tek ngjitet edhe në skenat e mëdha botërore. Është një operë masive, me katër akte. Për nga pesha, ajo krahasohet me një tjetër operë shumë të rëndësishme të Verdit dhe gjithë repertorit botëror, “Aida”. Për të ardhur deri në ditët e sotshme, kësaj vepre i është dashur të kalojë një rrugë të gjatë e të vështirë. Duke qenë jashtë linjës se veprave tradicionale të kompozitorit italian, kur u shfaq në krye të herës, publiku dhe kritika u treguan shumë të ashpër me Verdin. Në shumicën e rasteve, edhe pa të drejtë. Gjithnjë i lëkundur mes veprave të Shekspirit, Hygoit dhe Shilerit, për të katërtën herë Verdi u ndal tek ky i fundit. Ishte përplasja e fortë politike që e tërhoqi më së shumti kompozitorin tek vepra e shkrimtarit gjerman. Megjithatë, ai i bëri disa ndryshime veprës origjinale, duke i hequr disa personazhe e, më vonë, ai u detyrua të presë të tjera pjesë të rëndësishme të pjesës. Sigurisht, më vonë kjo vepër mori vendin që i takonte. Pas disa vitesh, që edhe Teatri shqiptar i Operës po përpiqet të ngjisë në skenë një mori veprash të rëndësishme të repertorit operistik botëror, pavarësisht se kushtet dhe vështirësitë me të cilat përballen artistët shqiptare, janë të shumta, i erdhi radha edhe “Don Carlosit”. Është një iniciativë e madhe që kërkon angazhimin e pjesës dërrmuese të forcave të këtij teatri. Kështu, Orkestra e TKOB-së do të jetë e plotë, madje do t’i shtohet edhe Banda Frymore e Ushtrisë, kori do të jetë gjithashtu i plotë dhe do të ketë shumë figurantë. Mendohet të jenë rreth 200 veta në skenë. Ndonëse aspekti politik i veprës (përplasja mes absolutizmit dhe liberalizmit) është i fortë, mësojmë se vënia në skenë e kësaj opere, pikërisht tani, nuk aludon mbi çështjen politike në Shqipëri. Ajo ka qenë me kohë në projektet e TKOB-së, madje në këtë situatë të nderë, shpreson të largojë disi vëmendjen e publikut nga sherret e pafundme politike. Themi shpreson, sepse asnjëherë më parë nuk është parë një tifozëri e këtij lloji nga ana e njerëzve kah një “ndeshjeje” politike. As edhe në finalen e Kampionatit Botëror të Futbollit nuk është parë një situatë e tillë. Nëse loja e pingpongut do të vazhdojë me këto ritme, rrezikohet vëmendja, jo vetëm ndaj operës, por ndaj gjithë jetës artistike në përgjithësi.
Më shumë të huaj se shqiptarë
Kjo është hera e parë që “Don Carlos” ngjitet në skenën  shqiptare operistike. Për të ngjitur këtë pjesë duhen këllqe. Kërkohet përgatitje e madhe dhe e shtrirë në kohë, por edhe financa gjithashtu. Duke marrë parasysh vështirësitë që ajo paraqet, TKOB ka vendosur të ftojë për realizimin e saj një shumësi artistësh të huaj. Janë kryesisht italianë. Disa syresh kanë punuar dhe më parë në skenën shqiptare. Të huaj do të jenë, që nga mjeshtri koncertues Gianluca Martunenghi, as/dirigjenti Andrea Albertin, skenografi dhe kostumografi Alfredo Troisi, për të vijuar gjashtë këngëtarë që do të interpretojnë rolet kryesore. Kjo shumësi të huajsh justifikohet me faktin se “Don Carlos” është një operë e vështirë, që kërkon jo vetëm përgatitje të lartë teknike, zëra specifikë, por edhe rezistencë. Bëhet fjalë për një operë të gjatë prej 4 aktesh e, këngëtarët duhet të jenë të aftë t’i shkojnë deri në fund. Ndërkohë që opera shqiptare ka dificit në zërat mashkullorë. Ende nuk është krijuar një brez i mesë, i pjekur këngëtarësh që të mund të mbajë mbi shpatulla peshën e kalendarit, duhet thënë ambicioz, të drejtuesve të TKOB-së. Ndërkohë që në rrafshin femëror, paraqitja është më e plotë dhe cilësore. Kështu që puna e shqiptarëve rrudhet vetëm tek regjia, e cila i është besuar Nikolin Gurakuqit, dirigjimi koral nga Dritan Lumshi dhe disa këngëtarë në role dytësore, përveç Sonila Baboçit, në rolin e Elisabetës.
Ngjarja
Ngjarjet e veprës zhvillohen në vitin 1568. Është viti i traktatit të paqes mes Spanjës dhe Francës. Trashëgimtari i fronit të Spanjës pret të martohet me princeshën franceze, si shenjë pajtimi mes dy vendesh. Mjaftoi vetëm një takim që Don Carlos të binte në dashuri me princeshën Elisabetë. Por nuk do të ishte e thjeshtë, sepse tanimë fati i dy të rinjve është shënuar. Elisabeta do të martohet me Filipin II, mbretin e Spanjës dhe të atin e Don Carlosit. Ndërkaq është koha e inkuizicionit të madh dhe të gjithë kundërshtarët e pushtetit shpallen heretikë e dënohen. Këtë fat ka në fund edhe vetë Don Carlos. Edhe sa i takon fundit të tragjedisë, Verdi devijon nga veprat e tij paraardhëse. Ai nuk çon drejt vdekjes heroinën, por heroin.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura