“Ballkan Bazar”, historia që fshihet pas Kosinës

Apr 15, 2011 | 11:40
SHPËRNDAJE
Edmond Budina në rolin e priftit në filmin “Ballkan Bazar”

“Përse politikanët paskërkan të drejtë ta japin mendimin e tyre dhe unë që jam artist, jo?!”. Si një shqiptar dhe një korçar i mirë, Edmond Budina i ka të gjitha të drejtat ta bëjë këtë, ashtu si ai di, me gjuhën e tij.Pas 5 vitesh përpjekjeje, të cilat fare mirë mund të quhen edhe përpëlitje, me 600 mijë euro buxhet, “Ballkan Bazar” pati mbrëmë premierën në Kinema “Imperial”, në qendrën “Kristal”. Një film për të cilin është folur shumë për shkak të subjektit që merr shkëndijën nga ngjarja e Kosinës në vitin 2006, kur varret e shqiptarëve u hapën dhe eshtrat e grave dhe fëmijëve u numëruan për ushtarë grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sapo filmi nis të prezantohet në ekran, regjisori të bën me dije se ai është mbështetur mbi një ngjarje të vërtetë, vetëm se ngjashmëria me persona konkretë është e rastit. Sigurisht trilli i krijuesit e ka komplikuar paksa ngjarjen, sepse domosdo ajo nuk mund të vinte si një kronikë e thjeshtë faktesh. Jo rrallë herë Shqipëria është bërë një pre e pazareve, të superfuqive apo fqinjëve, kanë kaluar shumë ushtri, shumë flamurë… Dhe duke i qëndruar paksa kësaj linje, Budina sjell në Shqipëri një franceze dhe vajzën e saj italiane (të lindur me një burrë italian), të cilat janë në kërkim të arkivolit të zhdukur të babait e gjyshit. Ky incident i çoi ato në një fshat të vogël në Jug të Shqipërisë, ku pa dashje zbulojnë skandalin e madh të pazarit të eshtrave. Joli, interpretuar nga aktorja franceze Catherine Wilkening, vajza e saj Orsola, interpretuar nga aktorja italiane Veronica Gentili, dy femra të bukura dhe elegante që zor se janë parë atyre anëve, si dhe Genti gazetari, që vjen përmes lojës së shqiptarit nga Maqedonia Visar Vishka, nuk janë veçse karremi. Ndonëse janë nisur në kërkim të një arkivoli të mbuluar me flamur francez, ata fillojnë e zbulojnë një nga një probleme, matrapazllëqe, vjedhje por dhe karaktere interesante, që fshihen në atë fshat të vogël me një bukuri të rrallë natyrore e ku banorët, ndonëse të pakët në numër, mezi merren vesh me njëri-tjetrin.
Zanafilla
Duke parë reagimin e të huajve, kur dëgjonin historinë e Kosinës apo Boboshticës, Edmond Budina është munduar që të japë sa më shumë informacion në film. Një nga një ngrenë krye probleme të vjetra e të reja, të cilat e kompletojnë historinë dhe e bëjnë më të qartë arsyen pse këto ngjarje fantazmagorike ndodhin në Shqipëri. Zhvarrosja e eshtrave të shqiptarëve, duke i “pagëzuar” ata si grekë, tregojnë pretendimet e hershme greke për territoret në Jug të Shqipërisë, pastaj pagëzimi i shqiptarëve myslimanë në kishën ortodokse dhe ndërrimi i emrave nga Idriz në Ilia, vetëm për t’i shpëtuar emigrantët nga fshesa greke, pastaj pensionet që shqiptarët e vetëdeklaruar si vorioepiriotë marrin nga qeveria greke, vjedhja e trashëgimisë kulturore, manipulimi i historisë…. Të gjitha këto mund të duken tepër për një shikues shqiptar, por nuk mund ta shpjegosh dot ndryshe këtë ngjarje. E ndërsa ky kazan ballkanik vlonte, herë pas here shfaqeshin këmbët e ca plakave me të zeza që afroheshin gjithnjë e më shumë. Janë ato që e dinë më mirë se kushdo se kush është grek e kush shqiptar.
Të qeshësh mbi tragjedinë
Budina është munduar të shmangë tragjicitetin e ngjarjes. Ka vendosur t’i vërë në lojë të gjithë, shqiptarë, grekë, ndërkombëtarë. Ai tallet me ata që heshtin, me ata që poshtë zhgunit fetar fshehin pazaret, ata që ushqejnë akoma “megaloidetë”, të huajt pozicionohen me njërën, apo tjetrën palë… Gjithçka është e veshur me nota humori, me batuta, që me shumë gjasa nuk do t’i lërë ujërat pa trazuar. Mbase këtë Edmond Budina e ka ditur qysh në krye të herës e ndoshta andaj e ka marrë vetë përsipër rolin e priftit të fshatit, një ish-oficer, që dikur quhej Bardhyl e pastaj e ndërroi në Thanas. Budina nuk i lë gur e kusur figurës së priftit, i cili bën pazare me eshtrat e fshatit, madje është edhe i gatshëm të nisë një tregti me eshtra të “importuara” nga Franca. Një prift që dehet me raki e pastaj sheh ëndrra erotike me francezen, por që i kanë dalë llafe se është pak homoseksual dhe se e shoqja ka shkuar me të gjithë garnizonin. Budina nuk i lë gjë mangët rolit. E ndihmon shumë edhe vështrimi dhe nënqeshja tinëzare, që gjithnjë lë vend për dyshim. E në një kohë kur komunitetet fetare, etnike, apo dhe përfaqësitë diplomatike janë shumë të ndjeshme, për ta bërë këtë duhet jo pak guxim. Një personazh i këndshëm është ai i kameramanit, Mirit, interpretuar nga Erand Sojli, një mysliman që shkon në një fshat të krishterë, që beson tek syri i keq e magjitë dhe nuk lë hudhra, speca djegës e hajmali pa varur për t’i mbajtur sa më larg. Budina ka angazhuar një numër të madh aktorësh e figurantësh në filmin e tij dhe vazhdimisht gjatë zhvillimit të tij zbulohen karaktere, sado episodikë, që i hedhin erëza historisë. Ashtu si tek “Letra ere”, regjisori Budina ka luajtur me elementin ëndërr, për të na zbuluar pak nga e kaluara e personazheve që i shohin ato, apo dëshirat e tyre të fshehta. Ndërkohë që për të na dhënë më shumë idenë e një pazari, filmi zhvillohet në 6 gjuhë: shqip, greqisht, frëngjisht, italisht, anglisht dhe pak maqedonisht. Pas 90 minutash shtjellim, filmi mbyllet me largimin e francezes, italianes, gazetarit dhe kameramanit me një kamionçinë. E ndërsa francezja Jolie valëvit flamurin francez nga dritarja, kameramani Miri, atë shqiptar, në pjesën e pasme të kamionçinës gazetari Gent dhe italiania Orsola bëjnë dashuri pranë kutisë me eshtrat e gjyshit, që më në fund u gjetën mes shumë syresh në hauret e priftit. Ndërsa në sfond muzika e përpunuar nga Admir Shkurti mbi një këngë-parodi shumë të njohur korçare që thotë “I çali po vraponte, makinës t’ia kalonte xum trialalijalo…”.

“Ballkan Bazar”

Gjinia: Komedi
Skenari dhe regjia: Edmond Budina
Kohëzgjatja: 91 min
Interpretojnë: Jolie: Catherine Wilkening, Orsola: Veronica Gentili, Genti: Visar Vishka, Miri: Erand Sojli, Adi: Artan Islami, Prifti: Edmond Budina, Dionisio: Karafil Shena, Angjeliqi: Valentina  Xhezo, Ismeti: Nikolla Llambro etj.
Prodhim i “Erafilm Production”
Me financim të: QKK, Ministria e Kulturës Italiane etj.

 

ALMA  MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura