ZYRTARE/ Për herë të parë i besoi De Rosi, sulmuesi i Shqipërisë U-19 firmos në Seria A
Xhoi Nuredini është talenti i Xhenoas, të cilit sot i është besuar kontratë deri në vitin 2029. Kjo tregon edhe besimin e klubit të Seria A për talentin shqiptar.

Nuredinit iu bë realitet një ëndërr në moshën 18-vjeçare, pasi debutoi në Seria A. Edicioni u mbyll me makth, për shkak se këputi ligamentin e kryqëzuar anterior(ACL) në muajin shkurt dhe më pas në mars duhet t’i nënshtrohej operacionit.
Drejtori sportiv i Xhenoas, Diego Lopez, u shpreh: “Xhenoa vazhdon të jetë një vatër talentesh dhe historia e Xhoit është një nga dëshmitë më të qarta të kësaj. Tani përgjegjësia jonë është të ndihmojmë në rritjen e lojtarëve premtues si ai dhe ta shoqërojmë në mënyrën më të mirë drejt pjekurisë së plotë, edhe në momente të vështira si ky që po kalon. Jemi të bindur se do të dalë prej kësaj periudhe edhe më i fortë se më parë”.
Për firmën në kontratë reagoi edhe Nuredini: “Ka qenë padyshim një vit i veçantë për mua, me debutimin në Seria A dhe më pas me dëmtimin e ligamentit. Kjo zgjatje kontrate më jep motivim dhe përgjegjësi, si edhe më transmeton besimin e madh të klubit, i cili nuk më ka munguar kurrë me mbështetjen e tij. Mezi pres të rikthehem në fushë”.
Kujtojmë se trajneri Daniele De Rosi i besoi në debutim. Lojtarit të Kombëtares U-19 ndërkohë do t’i duhen edhe disa muaj për t’u rikuperuar.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













