Vllaznia e Martinit nis miqësoret, testi i parë ndaj Otrantit
Vllaznia vijon përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, ndërsa tashmë ka nisur edhe fazën e ndeshjeve miqësore, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar gjendjen e skuadrës. Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe më herët “Panorama Sport”, kuqeblutë do të zhvillojnë disa takime kontrolli gjatë kësaj periudhe, me synimin për të rritur ritmin e lojës dhe për të vlerësuar çdo futbollist në dispozicion të trajnerit Edi Martini.

Takimi i parë i konfirmuar do të luhet këtë të shtunë, ku Vllaznia do të jetë mysafire e Otrantit të Ulqinit. Ndeshja do të zhvillohet në fushën e skuadrës malazeze dhe pritet të jetë një test i rëndësishëm për shkodranët, të cilët kërkojnë të fitojnë minuta në këmbë dhe të krijojnë gradualisht identitetin e skuadrës që do të përfaqësojë klubin në sezonin e ri.
Përtej rezultatit, kjo miqësore do të jetë një mundësi e mirë për futbollistët e rinj të akademisë, të cilët synojnë të bindin stafin teknik se meritojnë një vend në ekipin e parë. Po ashtu, në fokus do të jenë edhe afrimet e merkatos verore, që pritet të marrin më shumë hapësira për të treguar cilësitë e tyre dhe për t’u përshtatur me skemat e trajnerit Martini. Një vëmendje të veçantë do të ketë sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Elvis Zouhoule.
Futbollisti 19-vjeçar ndodhet në provë te Vllaznia dhe kjo sfidë mund të jetë një nga testet më domethënëse për të ardhmen e tij. Drejtuesit dhe stafi teknik do ta ndjekin me kujdes paraqitjen e tij, për të kuptuar nëse ai zotëron cilësitë e nevojshme për të qenë pjesë e organikës kuqeblu. Duke qenë se Vllaznia vijon të kërkojë alternativa në repartin ofensiv, paraqitja e Zouhoule mund të ketë peshë të madhe në vendimet e merkatos.
Nëse sulmuesi i ri arrin të lërë përshtypje pozitive në ndeshjet miqësore, nuk përjashtohet mundësia që ai të firmosë me klubin shkodran dhe të bëhet një tjetër opsion për Edi Martinin në sulm. Për këtë arsye, sfida ndaj Otrantit pritet të jetë shumë më tepër sesa një miqësore e zakonshme.
PANORAMASPORT.AL













