EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i trajnerit bardheblu, Klafuriç: Më bindi madhështia e Tiranës, objektivi ynë është trofeu (E PLOTË)
Njihuni me Dean Klafuriçin. Njeriun që ka ardhur te Tirana dhe kërkon ta rikthejë kampione të Shqipërisë. Kroati, i cili e ka arritur këtë objektiv me një skuadër si Legia e Varshavës, tani drejton bardheblutë. I rreptë. Detajist. Kërkon të mos “i lëvizë qimja”, siç themi ne shqiptarët.
Pas një karriere të pasur në disa vende dhe me përvojë në klube me presion të madh, trajneri kroat Dean Klafuric ka nisur një kapitull të ri në Shqipëri. Në intervistën e parë ekskluzive si trajner i bardhebluve në “Panorama Sport”, Klafuriç flet për mënyrën se si u afrua te Tirana. Njohuritë që kishte për futbollin shqiptar, përshtypjet e para nga kryeqyteti, përgatitjet e skuadrës, merkaton, sfi dat e sezonit të ri dhe emocionet që sjell një derbi i madh si ai me Partizanin.
Kroati zbulon se rekomandimi i agjentit Mentor Stafa ishte ura e parë drejt klubit, ndërsa madhështia e Tiranës dhe pasioni i tifozëve ishin ndër arsyet kryesore që e bindën për të pranuar këtë sfidë. Trajneri i ri bardheblu tregon edhe fi lozofi në e tij të futbollit, duke theksuar se loja sulmuese duhet të ndërtohet mbi një bazë të fortë organizimi mbrojtës, ndërsa shprehet i kënaqur me atmosferën dhe etikën e punës që ka gjetur në skuadër.
“Tirana është një klub i madh, me tifozë që kërkojnë gjithmonë më të mirën. Presioni për të fi tuar është pjesë e historisë së klubeve të mëdha dhe kjo është pikërisht ajo që më motivon”, është mesazhi i trajnerit kroat në prag të nisjes së sezonit të ri.
Zoti Klafuriç, urime për detyrën e re. Si ratë në kontakt me Tiranën?
Faleminderit. Agjenti Mentor Stafa, i cili prej vitesh jeton në Zagreb, më rekomandoi te presidenti Halili.
Kishit dëgjuar më parë për futbollin shqiptar? E njihni Kategorinë Superiore të Shqipërisë?
– Është e pamundur të mos kesh dëgjuar për futbollin shqiptar, sidomos për mua si kroat, sepse shumë shqiptarë kanë luajtur dhe aktualisht luajnë në Kroaci. I kam pasur si bashkëlojtarë dhe i kam stërvitur si në Kroaci, ashtu edhe jashtë vendit. E njoh kampionatin, sepse përndryshe nuk do të isha trajner i një klubi kaq të madh si KF Tirana.
Çfarë ju bindi të firmosnit me Tiranën?
Miku që më rekomandoi te presidenti më shpjegoi situatën në klub dhe këndvështrimin e tij për gjendjen në kampionatin dhe futbollin shqiptar. E njihja prej më parë madhështinë dhe rëndësinë e KF Tiranës. Gjatë karrierës sime në futboll jam njohur mirë me talentin dhe mentalitetin e futbollistëve shqiptarë dhe, pas bisedës me drejtuesit e klubit, për mua nuk kishte asnjë dilemë.
Gjatë këtyre javëve, si ju është dukur qyteti i Tiranës?
– Përshtypjet e para janë fantastike! Edhe pse jam këtu prej pak kohësh dhe kam shumë angazhime, kam parë dhe njohur vetëm një pjesë të vogël të Tiranës. Për mua kjo nuk është surprizë, sepse miqtë dhe të njohurit nga Kroacia, të cilët kanë qenë këtu, më kishin folur tashmë për të. Tek ne dihet se Tirana, gjatë dekadave të fundit, ka arritur nivelin e metropoleve më të mëdha europiane.
Kur ke mundësinë ta shohësh dhe ta përjetosh nga afër, atëherë ke fatin të shijosh bukuritë e mrekullueshme natyrore, arkitekturën moderne dhe mbresëlënëse, ushqimin e shkëlqyer, aftësitë e jashtëzakonshme në kulinari, shërbimin e sjellshëm dhe profesional, ndërsa veçanërisht më ka mahnitur përzemërsia e njerëzve dhe kafeja shumë e mirë.
Po punoni me skuadrën prej disa ditësh dhe së shpejti do të shkoni në fazën përgatitore. Çfarë prisni nga ekipi?
– Fillimisht dua të veçoj atmosferën e shkëlqyer dhe etikën e punës te lojtarët e mi. Deri tani kemi pasur një hyrje disi më të gjatë në përgatitje, sepse pushimi ishte shumë i gjatë dhe ishte shumë e rëndësishme të hynim gradualisht në një mënyrë pune me intensitet më të lartë. Gjatë kësaj kohe e kemi plotësuar skuadrën me afrimin e lojtarëve të rinj dhe me rikthimin e lojtarëve që kishin marrë disa ditë shtesë pushimi për arsye personale.
Jam i lumtur që gjatë kësaj jave duhet ta kompletojmë grupin dhe më pas puna për krijimin e skuadrës dhe të modelit të lojës do të jetë shumë më cilësore dhe më profesionale. Nesër(sot) udhëtojmë në Turqi, ku do të fi llojmë të luajmë ndeshje dhe, paralelisht, do të vazhdojmë punën për përgatitjen fi zike dhe taktike. Theksi vazhdon të jetë te faza mbrojtëse.
Edhe pse si trajner jam i orientuar drejt sulmit dhe mbështes futbollin ofensiv, e di se në futbollin e sotëm loja e përgjegjshme, e disiplinuar dhe e organizuar në fazën mbrojtëse është themeli i një loje të mirë në sulm. Prandaj, nga lojtarët e mi do të kërkoj që në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje të japin gjithçka nga vetja, duke treguar dashuri dhe pasion për lojën e futbollit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të tregojnë respekt për stemën e KF Tiranës që mbajnë në kraharor dhe për tifozët e shumtë, ndërsa në fund edhe për bashkëlojtarët, trajnerët dhe vetveten.
Mendoni se skuadra është kompletuar apo do të kërkoni përforcime shtesë gjatë merkatos?
– Besoj te ky grup. Omer Bunjaku, drejtori ynë sportiv, po bën një punë të shkëlqyer, e njeh kampionatin dhe ka një “sy shumë të mirë” për të dalluar një lojtar. Bashkëpunimi ynë që nga dita e parë është i ndërsjellë, me këndvështrime dhe mendime të ngjashme, si për zhvillimin e klubit, ashtu edhe për cilësinë individuale të lojtarëve.
Ne, së bashku me pjesën tjetër të njerëzve në klub, mendojmë se ky është një grup i mirë dhe besojmë tek ai, por kjo nuk do të thotë se nuk do të reagojmë nëse paraqitet nevoja për diçka të tillë.
Sezonin e kaluar skuadra pësoi shumë gola dhe pati probleme në sulm. Si mund të përmirësohen këto reparte?
– Me një lojë të organizuar, të përgjegjshme dhe të disiplinuar dhe, natyrisht, me cilësinë individuale dhe kreativitetin e lojtarëve. Nëse shihni skuadrën e pjesës së dytë të sezonit të kaluar, cilët lojtarë do të kishit mbajtur në ekip? – Këtë pjesë të punës e ka bërë Omeri, sepse ai ishte këtu dhe e njihte situatën. Duke pasur parasysh përvojën, njohuritë dhe profesionalizmin e tij, si edhe njohjen e plotë të situatës, nuk kam dyshim se ai e ka bërë mirë përzgjedhjen.
Cilat janë ndryshimet ndërmjet futbollit shqiptar dhe futbollit në Bosnje-Hercegovinë apo Kroaci?
– Ka shumë ngjashmëri, sidomos ndërmjet Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Kampionati juaj, ashtu si edhe ai i tyre, është në zgjerim dhe zhvillim dhe për mua si trajner është një dhuratë dhe kënaqësi e madhe që mund të punoj në rrethana të tilla, ku përparimi është vazhdimisht i pranishëm dhe ku mund të kontribuoj jo vetëm për ekipin tim, por edhe për të gjithë komunitetin. Ndryshimet janë në stilin e lojës, ku ekziston një ngjashmëri e madhe ndërmjet Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Stilin e lojës e përcaktojnë mentaliteti, kultura, klima, mënyra e jetesës, besimi…
Duke pasur parasysh temperamentin që kanë futbollistët shqiptarë dhe me të cilin jam i njohur mirë, mendoj se aty qëndron ndryshimi më i madh. Më pëlqen mentaliteti juaj, sepse edhe unë jam vetë temperament dhe mendoj se, me përvojën time të punës në nëntë shtete të ndryshme dhe duke stërvitur lojtarë nga më shumë se 40 vende të botës, mund të kontribuoj në zhvillimin e lojtarëve të mi.
Keni dëgjuar për derbin me Partizanin dhe për tifozët e Tiranës?
– Sigurisht! Të gjithë ata që më kanë folur për Tiranën, fi llimisht më kanë folur për tifozët, për numrin e tyre, pasionin dhe fanatizmin ndaj klubit dhe futbollit. Për këtë derbi e dinë të gjithë ata që e ndjekin sadopak futbollin. Është si te ne Dinamo–Hajduk. Miqtë e mi Viktor Bezhani, Mentor Stafa, Besnik Prenga dhe Zoran Zekiç gjithashtu më kanë folur për derbin. E pres me padurim, sepse ndeshje të tilla janë festa të vërteta të futbollit.
E dini se në Tiranë tifozët nuk e pranojnë as vendin e dytë?
Kam përvojë pune në klube me tifozë që janë të ngjashëm me tanët. Kjo është plotësisht normale dhe e natyrshme për tifozët e Tiranës, ku tani punoj, ashtu si edhe për tifozët e Dinamo Zagrebit, Legias dhe Al Nassr-it, ku kam punuar deri tani. Në fund të fundit, ashtu është edhe për tifozët e të gjitha klubeve të mëdha në mbarë botën, pra edhe për tifozët e Tiranës.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













