ZYRTARE/ Konfirmohet lajmi i “Panorama Sport” për Teutën, Edlir Tetovës i bashkohet sulmuesi që luajti krah Leaos
Pedro Martelo është zyrtarisht një lojtar i Teutës, ndërsa ka firmosur kontratë 2-vjeçare. “Panorama Sport” e raportoi ekskluzivisht këtë transferim surprizë nga Portugalia.

Bëhet fjalë për një qendërsulmues që është 1.9 metër i gjatë. Teuta e transferon 26-vjeçarin pas eksperiencës me Oliveirense në kategorinë e dytë portugeze.
Martelo shënoi shtatë gola në total gjatë edicionit të kaluar, ndërsa Oliveirense e mbylli në vendin e fundit dhe nuk e shmangu rënien nga kategoria. Dhe pse ka provuar stolin në elitën e futbollit portugez me Paços de Ferreira në sezonin 2020/21, Martelo nuk ka debutuar.
Sulmuesi i ri i Teutës regjistron paraqitje me moshat e Portugalisë. Tek ekipi U-20 shënonte 7 gola në 12 ndeshje, ndërsa luante edhe përkrah Rafa Leaos në Botërorin U-20 të vitit 2019.
Ndërkohë me ekipin U-19 bënte rolin e heroit në verën e vitit 2018. Goli i tij i dha pikërisht trofeun e Europianit U-19, ndërsa përballë ishte Italia. Martelo shkëlqeu fillimisht në gjysmëfinale me gol dhe asist, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe në finale.
NJOFTIMI I TEUTËS
“Mirë se vjen, Pedro Martelo! KF Teuta ka kënaqësinë të prezantojë afrimin më të ri, Pedro Martelo. Sulmuesi portugez vjen në Durrës për të sjellë cilësi, ambicie dhe eksperiencën e fituar në futbollin portugez, ku është formuar në një nga akademitë më të njohura të vendit. Gjatë karrierës së tij ka përfaqësuar disa klube në Portugali dhe ka qenë pjesë e përfaqësueseve zinxhir të Portugalisë, duke dëshmuar potencialin e tij që në moshë të re.
Tashmë, Pedro nis një kapitull të ri me fanellën blu, i gatshëm të japë maksimumin për ngjyrat e Teutës. Mirë se erdhe në familjen blu, Pedro!”
EKSKLUZIVE/ Shok me Leaon te Portugalia, Teuta afron sulmuesin që fitoi Europianin U-19 me golin e tij
PANORAMASPORT.AL













