EKSKLUZIVE/ Shok me Leaon te Portugalia, Teuta afron sulmuesin që fitoi Europianin U-19 me golin e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2026 | 8:13

EKSKLUZIVE/ Shok me Leaon te Portugalia, Teuta afron sulmuesin që fitoi Europianin U-19 me golin e tij

Pedro Martelo do të jetë afrimi i radhës te Teuta. “Panorama Sport” mëson se sulmuesi portugez do të vendoset nën urdhrat e trajnerit Edlir Tetova.

IMG_0334

Bëhet fjalë për një qendërsulmues që është 1.9 metër i gjatë. Teuta e transferon 26-vjeçarin pas eksperiencës me Oliveirense në kategorinë e dytë portugeze.

Martelo shënoi shtatë gola në total gjatë edicionit të kaluar, ndërsa Oliveirense e mbylli në vendin e fundit dhe nuk e shmangu rënien nga kategoria. Dhe pse ka provuar stolin në elitën e futbollit portugez me Paços de Ferreira në sezonin 2020/21, Martelo nuk ka debutuar.

Sulmuesi i ri i Teutës regjistron paraqitje me moshat e Portugalisë. Tek ekipi U-20 shënonte 7 gola në 12 ndeshje, ndërsa luante edhe përkrah Rafa Leaos në Botërorin U-20 të vitit 2019.

Ndërkohë me ekipin U-19 bënte rolin e heroit në verën e vitit 2018. Goli i tij i dha pikërisht trofeun e Europianit U-19, ndërsa përballë ishte Italia. Martelo shkëlqeu fillimisht në gjysmfinale me gol dhe asist, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe në finale.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL