EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-trajnerit Haxhiosmanoviç: Vllazni, çfarë zhgënjimi në Europë. Ju tregoj defektet e skuadrës (E PLOTË)
Ish-trajneri kampion i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, ka analizuar për “Panorama Sport” situatën aktuale të kuqebluve, duke u ndalur te përgatitjet verore, eliminimi në “Conference League” dhe perspektiva e skuadrës për sezonin e ri.

Sipas tij, dalja e hershme nga Europa ishte një dështim, ndërsa Vllaznia ende nuk duket në nivelin e sezonit të kaluar. Megjithatë, Haxhiosmanoviç thekson se është ende herët për të dhënë një gjykim përfundimtar. Ai mendon se skuadra duhet vlerësuar pas tre ose katër javëve të para të kampionatit, kur të jetë krijuar një pasqyrë më e qartë e potencialit të saj. Edhe pse aktualisht nuk e sheh situatën shumë pozitive, veterani i stolit, si ish-trajner dhe tifoz i Vllaznisë, shpreson që kuqeblutë të përmirësohen dhe të jenë në garë për vendet e para të Superiores.
Profesor, si e keni parë Vllazninë në këtë fillim edicioni?
Mund të them se nuk ka qenë brenda pritshmërive të mija personale, prisja patjetër një fytyrë tjetër nga ekipi. Sidomos në debutimin sezonal në Europë, që do jepte një bonus për moralin, por edhe financat e skuadrës. Zakonisht në historinë e saj, Vllaznia e ka kaluar gjithmonë turin e parë në kompeticionet europiane e diçka të tillë e prisja edhe kësaj radhe. Megjithatë, ekipi ka bërë shumë ndryshime e kjo nuk është në favorin e trajnerit e stafit teknik, të cilët duhet të rifillojnë edhe njëherë për të rindërtuar ekipin në krahasim me atë që mbylli sezonin e shkuar.
Zhgënjyes eliminimi që në raundin e parë të “Conference League”?
Jo vetëm për mua, por besoj për të gjithë në Shkodër dhe që duan Vllazninë ishte zhgënjyes. Përballë besoj se nuk ishte ndonjë kundërshtar i pakalueshëm, me gjithë respektin për Malishevën. Por, Vllaznia nuk më bindi 100% as në ndeshjen e parë ku fitoi 2-1 me përmbysje dhe mund të them se kualifikimi i ekipit kosovar ishte i merituar. Skuadra ende nuk ka mekanizmat e duhur, ndoshta ka ndikuar edhe mos federimi i disa futbollistëve me eksperiencë që mund të ndihmonin skuadrën në këto momente të para sezonale.
Çfarë nuk shkoi me skuadrën në duelin e dytë kundër Malishevës?
Vllaznia tregoi shumë pak në fazën sulmuese, vendosi vetëm të priste dhe ia la gjithë fushën kundërshtarit. Aty besoj se ishte gabimi kryesor, pasi u duk e “dorëzuar” pa filluar ndeshja. Duhej ta kishte menaxhuar shumë më ndryshe avantazhin e ndeshjes së parë. Po ashtu shkodranët nuk e kanë në ADN futbollin e kujdesshëm e mbrojtës, pasi ata dinë vetëm të sulmojnë (qesh). Këtu them se ishte pika kryesore e këtij dështimi, pavarësisht se ekipi ka shumë për të përmirësuar në një moment ku ende s’mund të kemi një opionion 100% të saktë.
Duhet të ndryshojnë diçka shkodranët para nisjes së edicionit të ri?
Ajo besoj se shihet qartë se diçka duhet ndryshuar dhe atë e dinë më mirë ata brenda ekipit. Ne nga jashtë mund të themi se skuadra ka këto 2-3 defekte, por për t’i përmirësuar nuk mundemi. Ekipi duhet të marrë formën fizike optimale sa më shpejt, pasi personalisht nuk më bindin nga kjo pjesë. Unë jam fanatik i futbollit të bukur, por edhe përgatitjes fizike, pasi kur nuk mund të luash të paktën vrapo dyfishin e kundërshtarit e bëja të vështirë. Po ashtu duhet ndërtuar një “bërthamë” futbollistësh që të udhëheqin skuadrën, pasi largimet patjetër kanë ndikuar tek balancat e Vllaznisë.
Sa ndikim ka te performanca ndryshimi i pjesës më të madhe të ekipit në krahasim me edicionin e shkuar?
Shumë ndikim, pasi koha nuk ishte shumë e madhe për të riformatuar ekipin. E po ashtu siç e dimë shumica e futbollistëve të ardhur nuk mund të aktivizoheshin si shkak i mos federimit. Vera kështu e ka gjithmonë sepse vijnë e ikin futbollistë, fakt që ndikon te performancat e ekipit. Ndaj duhet pritur e shikuar pas 3-4 javësh kampionat nëse performanca e futbollistëve dhe skuadrës do pësojë rritje apo jo. Futbolli ecën me ritme të larta e s’ka shumë kohë për të pritur, por kështu funksionon zakonisht.
Ku e shikoni aktualisht ekipin e drejtuar nga Martini, në një moment ku do edhe një muaj nga starti i edicionit në Superiore?
Personalisht dua ta shikoj Vllazninë gjithmonë në krye, duke luftuar për trofe. Ashtu siç ia kërkon historia dhe tradita e saj, por atë duhet ta shohim gjatë rrugës se cilat do jenë objektivat realë të skuadrës dhe se çfarë synimesh kanë drejtuesit këtë edicion. Besoj se do duan të jenë sërish në krye e për këtë arsye do tentojnë të afrojnë të tjerë futbollistë cilësorë deri në fundin e merkatos verore
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













