Ferrari do Kimin, Volf: Ta mendonin para shtatë vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2026 | 19:37

Ferrari do Kimin, Volf: Ta mendonin para shtatë vitesh

Pas një pjese të parë të jashtëzakonshme të sezonit, Kimi Antoneli është shndërruar në një nga pretendentët kryesorë për titullin botëror në Formula 1, ndonëse është vetëm 19 vjeç. Shumë tifozë të Ferrarit ëndërrojnë ta shohin një ditë pilotin italian të veshur me ngjyrat e “kokëkuqes”, por drejtori ekzekutiv i Mercedesit, Toto Volf, e bëri të qartë se planet e skuadrës gjermane janë krejtësisht të tjera.

antoneli

“Jemi të vetëdijshëm se Ferrari dëshiron një pilot italian, por Kimi është pjesë e familjes Mercedes që kur ishte 11 vjeç”, deklaroi 54-vjeçari për “RTBF”, ndërsa më tej shtoi: “Ferrari duhej ta kishte afruar gjashtë ose shtatë vite më parë, në vend që ta kuptonte vetëm tani se Italia ka një talent të madh. Sigurisht që ata do të bëjnë gjithçka për të pasur një pilot italian”. Volf u ndal edhe te presioni i madh që Antoneli po përjeton, veçanërisht nga mediat italiane.

“Edhe prindërit e tij po hyjnë në një botë që nuk e njohin. Mediat italiane i kanë vendosur shumë presion, duke e krahasuar me Airton Senën që pas garës së dytë. U kam kërkuar të qetësohen pak, sepse po flasim për një djalë 19-vjeçar që ka fituar disa gara, jo për një pilot me tre tituj botërorë si Sena. Italia ka arsye të jetë krenare, pasi prej kohësh nuk ka pasur një pilot kaq konkurrues. Ne duhet ta mbrojmë Kimin dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë, duke e ndihmuar të vazhdojë zhvillimin.

Duhet të jemi të përgatitur edhe për momente më të vështira, edhe pse deri tani nuk kemi hasur të tilla”, deklaroi Toto Volf. Antoneli, i cili triumfoi edhe në Çmimin e Madh të Belgjikës në Spa, ka arritur tashmë gjashtë fitore këtë sezon dhe ka lënë pas në renditjen e përgjithshme edhe shokun e skuadrës, Xhorxh Rasëllin. “Ne kemi besuar gjithmonë tek ai. Megjithatë, askush nuk mund të jetë i sigurt se gjithçka do të shkojë sipas planit.

Vitin e kaluar zhvilloi nëntë gara pa arritur të fitonte asnjë pikë dhe u kritikuam shumë që i besuam një piloti kaq të ri dhe pa eksperiencë. Shumë thanë se kishim bërë gabim. Nuk e prisnim që këtë sezon të ishte kaq dominues, por talentin e tij e kishim parë prej kohësh”, përfundoi Volf.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL