Merkato ndez debatin në Shkodër, kërkohen lojtarë me peshë
Merkatoja verore e Vllaznisë vijon të jetë një nga temat më të diskutuara në mesin e tifozëve kuqeblu. Edhe pse drejtuesit kanë afruar disa futbollistë të rinj për të rindërtuar skuadrën, mbështetësit shkodranë nuk duken aspak të bindur se lëvizjet e deritanishme janë të mjaftueshme për ta rikthyer ekipin në luftën për trofe. Në rrjetet sociale dhe në debatet mes tifozëve mbizotëron mendimi se skuadra ka ende nevojë për futbollistë me më shumë cilësi dhe eksperiencë. Zhgënjimi i eliminimit të rëndë nga Malisheva në turin e parë të “Conference League” vazhdon të jetë i freskët.

Ajo humbje jo vetëm që i dha fund shumë shpejt aventurës europiane të Vllaznisë, por la edhe shumë pikëpyetje mbi nivelin real të ekipit. Për një pjesë të madhe të tifozërisë, ajo sfidë tregoi qartë se skuadra ka boshllëqe të rëndësishme, të cilat nuk mund të mbulohen vetëm me afrime të zakonshme. Në këto kushte, shumica e mbështetësve nuk e shohin ekipin aktual si një garanci për të luftuar në krye të renditjes së Superiores.
Konkurrenca pritet të jetë edhe këtë sezon shumë e fortë dhe, sipas tyre, Vllaznia rrezikon të mbetet prapa rivalëve nëse merkatoja mbyllet me organikën aktuale. Pikërisht për këtë arsye, kërkesat ndaj klubit janë shtuar dita-ditës. Ajo që kërkojnë tifozët janë përforcime me peshë, futbollistë me emër dhe personalitet, të aftë të bëjnë diferencën në momentet vendimtare të sezonit. Sipas tyre, skuadra ka nevojë për liderë në fushë, lojtarë që të marrin përgjegjësitë në ndeshjet e mëdha dhe të udhëheqin grupin drejt objektivave madhorë.
Një ekip si Vllaznia, me historinë dhe pritshmëritë që mbart, nuk mund të mbështetet vetëm te potenciali apo projektet afatgjata. Në të kundërt, futbollistët e afruar deri tani cilësohen nga një pjesë e mirë e tifozërisë si lojtarë të nivelit mesatar, të cilët mund të rrisin konkurrencën në grup, por jo domosdoshmërisht të ndryshojnë fatin e skuadrës. Pikërisht ky është edhe shqetësimi më i madh i mbështetësve kuqeblu, të cilët besojnë se Vllaznisë i mungojnë ende ata elementë që mund të mbajnë mbi supe peshën e një sezoni të tërë dhe të bëjnë diferencën në garën për titull.
Me merkaton ende të hapur, tifozët shpresojnë që drejtuesit të mos e konsiderojnë të mbyllur punën, por të sjellin edhe disa goditje cilësore. Vetëm afrimi i futbollistëve me eksperiencë, karakter dhe cilësi të provuara do të mund të rikthente optimizmin në Shkodër dhe t’u jepte besim mbështetësve se Vllaznia është vërtet e ndërtuar për të synuar sukseset në sezonin e ri.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













