Rrugëtimi i Musialës, Bajerni ka një plan
Jamal Musiala ende nuk është në dispozicion të Bajernit pas operacionit. Megjithatë, ai pritet t’i rikthehet stërvitjes së shpejti. Kaluan 366 ditë mes dëmtimit të rëndë të Jamal Musialës në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube ndaj Paris Seint-Zhermein dhe asaj që me shumë gjasa ishte operacioni i tij i fundit i lidhur me atë dëmtim.

Pas eliminimit të parakohshëm të Gjermanisë nga Kupa e Botës, mesfushori vendosi t’i hiqej pllaka metalike në këmbë, e cila gjithsesi do të duhej të hiqej në një moment. Për këtë arsye, edhe pse do të mungoj në fillimin e përgatitjeve verore të Bajernit, që nisën të hënën, në skenarin më të mirë ai nuk do të ketë më probleme afatgjata me këmbën që ndikoi gjatë gjithë fazës së tij përgatitore. Musiala luftoi për një kohë të gjatë për tu rikthyer në skuadër, më pas u përball me probleme të tjera dhe u detyrua të ndalonte sërish.
Si pasojë, ai nuk arriti kurrë të rikthehej plotësisht në formën e tij para Kupës së Botës. Edhe pse pushimet e tij u ndikuan disi nga operacioni, ishte vetë Musiala ai që vendosi të ndërhynte tani, në vend që t’i nënshtrohej ndërhyrjes gjatë pushimit dimëror dhe të detyrohej të mungonte sërish. Pas konsultimeve me trajnerin Vinsent Kompani, pushimet e Musialës u zgjatën edhe për disa ditë. Ndërkohë, pjesa tjetër e lojtarëve të kombëtares gjermane do t’i bashkohen skuadrës në grumbullimin në Tegernze javën e ardhshme dhe do të udhëtojnë me ekipin drejt Koresë së Jugut dhe më pas Hong Kongut më 1 gusht. Musiala do të vazhdoj programin e tij të rikuperimit në qendrën stërvitore në Mynih.
Ai ishte aty të martën për trajtime dhe tani do të ketë edhe disa ditë pushim, përpara se të nisë sërish programin e tij më 31 korrik. Numri 10 i Bajernit do të shoqërohet në fazën e rikuperimit, siç ka ndodhur pothuajse gjatë gjithë kohës së fundit, edhe nga Alfonso Dejvis, Kupa e Botës e të cilit ishte zhgënjyese për shkak të një dëmtimi në kofshë.
Edhe përforcimi i ri Ismael Saibari, i cili pësoi një dëmtim në kofshë në fillim të fitores 3-0 të Marokut ndaj Kanadasë, nuk do të udhëtoj në asnjërin nga grumbullimet dhe do të vazhdoj stërvitjen në Mynih. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Musiala do t’i bashkohet sërish stërvitjes më 8 gusht.
PANORAMASPORT.AL













