Mendjen te pushimet, Musiala harron Bajernin
A do ta rikthejë Jamal Musiala formën e tij më të mirë te Bajerni i Mynihut? Klubi bavarez dëshiron ta rikthej me kujdes në formë mesfushorin gjerman pas operacionit të planifikuar që ai iu nënshtrua së fundmi. Sipas revistës “Kicker”, pushimet e Musialës do të “zgjasin edhe disa ditë”.

23 vjeçari pritet t’i rikthehet stërvitjeve në qendrën stërvitore të Mynihut më 31 korrik. Trajneri Vinsent Kompani e ka planifikuar grumbullimin e ekipit në Tegernze nga 27 deri më 30 korrik. Më 1 gusht, skuadra e Bajernit do të niset për turneun në Azi, ku do të qëndroj në Korenë e Jugut dhe Hong Kong deri më 8 gusht. Sipas “Kicker”, plani ideal është që Musiala t’i bashkohet stërvitjeve me grupin gjatë kësaj periudhe.
Rikthimi i tij konsiderohet një lajm shumë i rëndësishëm për Bajernin, pasi Musiala mbetet një nga lojtarët kyç në repartin ofensiv. Klubi nuk dëshiron të marrë asnjë rrezik me rikuperimin e tij dhe do ta rikthej gradualisht në ritmin e ndeshjeve. Reprezentuesi gjerman iu nënshtrua një ndërhyrjeje rutinë të planifikuar pas përfundimit të Kupës së Botës. “Kjo masë është pjesë e procesit normal mjekësor pas dëmtimit të tij të rëndë verën e kaluar dhe ishte planifikuar prej kohësh për periudhën pas turneut në Amerikën e Veriut”, njoftoi zyrtarisht Bajerni.
Musiala theu fibulën dhe pësoi një dëmtim të rëndë në kyçin e këmbës, me zhvendosje të kyçit dhe këputje të ligamenteve, gjatë Kupës së Botës për Klube në verën e vitit 2025. Për shkak të këtij dëmtimi, ai mungoi deri në janar. Sipas raportimeve mediatike, gjatë operacionit të fundit iu hoq pllaka metalike që i ishte vendosur në këmbë.
“Ndërhyrja i mundëson lojtarit ofensiv të zhvilloj fazën përgatitore sipas një plani të qartë dhe të strukturuar, duke siguruar që ai të jetë gati për fillimin e ndeshjeve zyrtare të Bajernit”, shkroi klubi rekordmen i Gjermanisë.
Ndeshja e parë zyrtare e Bajernit për sezonin e ri është planifikuar më 22 gusht, kur bavarezët do të përballen në transfertë me Borusian e Dortmundit në Superkupën “Franc Bekenbauer”. Më 28 gusht, Bajerni do ta nis sezonin e ri të Bundesligës me një ndeshje në shtëpi ndaj Shtutgartit. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Musiala mund të jetë një alternativë për trajnerin Kompani që në javët e para të sezonit.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL













