Sa shumë afrime cilësore në merkato, Çutra: Po krijojmë një ekip që do t’i bëjë krenarë tifozët pukjanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2026 | 0:03

Sa shumë afrime cilësore në merkato, Çutra: Po krijojmë një ekip që do t’i bëjë krenarë tifozët pukjanë

Tërbuni po ndërton një skuadër me futbollistë cilësorë, të cilët kanë eksperiencë në Kategorinë e Parë dhe në Superiore. Klubi pukjan do të nisë sezonin 2026- 2027, të katërtin radhazi në Kategorinë e Dytë, por këtë herë objektivi është i qartë, rikthimi në Kategorinë e Parë.

terbuni

Trajneri i sapoemëruar, Xhynejt Çutra, në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh optimist për projektin e ri të klubit. “Jam shumë i kënaqur që drejtuesit më besuan drejtimin e skuadrës. Tërbuni është një ekip ku kam kaluar momente shumë të bukura si futbollist dhe kam qenë pjesë e skuadrës që u ngjit në Superiore. Për këtë arsye do të jap maksimumin për ta rikthyer klubin aty ku e meriton”.

Çutra bëri të ditur se përgatitjet kanë nisur që të hënën, ndërsa grupi po kompletohet çdo ditë. “Stërvitjen e kemi nisur me 17 futbollistë, ku tetë janë afrime të reja dhe shtatë kanë mbetur nga sezoni i kaluar. Gjatë ditëve të fundit janë bashkuar edhe disa lojtarë me eksperiencë në Kategorinë e Parë dhe në Superiore. I falënderoj që kanë zgjedhur Tërbunin dhe presim të afrojmë edhe futbollistë të tjerë cilësorë”.

cutra

FAZA PËRGATITORE- Tekniku zbuloi edhe programin e ndeshjeve miqësore që do të shërbejnë për të testuar skuadrën. “Kemi planifikuar të zhvillojmë dy ndeshje miqësore: të shtunën përballë Korabit dhe të mërkurën ndaj Burrelit. Së bashku me zëvendëstrajnerin Andon po punojmë intensivisht për ta përgatitur ekipin sa më mirë”. Sipas Çutrës, drejtuesit janë gjithashtu në bisedime për afrimin e një trajneri atletik, i cili pritet t’i bashkohet stafit teknik në ditët në vijim.

“Shpresojmë që ai të jetë një vlerë e shtuar për ekipin dhe të ndihmojë futbollistët në aspektin fizik”. Faza përgatitore do të vijojë fillimisht në Tiranë, ndërsa në muajin gusht skuadra do të zhvendoset në Pukë.”Gjatë korrikut do të stërvitemi në Tiranë, ndërsa në gusht do të vazhdojmë fazën përgatitore në Pukë. Aty do të bëjmë edhe përzgjedhjen përfundimtare të grupit dhe do të zhvillojmë miqësore të tjera. Besoj se tifozët e mrekullueshëm pukjanë do të jenë të kënaqur me ekipin e zemrës së tyre”.

SPONSORI – Në përfundim, trajneri falënderoi të gjithë ata që po mbështesin projektin e ri të Tërbunit. “Dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë së Pukës, drejtuesit e klubit, si edhe sponsorin Ervis Veizi për besimin dhe mbështetjen që po i japin skuadrës. Shpresoj që së bashku t’ua shpërblejmë këtë besim me rezultate dhe me rikthimin e Tërbunit në Kategorinë e Parë”.

GANI PEMA – PANORAMASPORT.AL