Zhduket “i pandalshmi” te Partizani, sulmuesi po kthehet në shqetësim për të kuqtë
Seku Sidibe po kalon një nga momentet më të vështira që prej mbërritjes së tij te Partizani, teksa sulmuesi i krahut ka hyrë në një periudhë të zgjatur pa gjetur rrugën e rrjetës.

Futbollisti ofensiv i të kuqve numëron tashmë gjashtë ndeshje radhazi pa shënuar mes kampionatit dhe Kupës, një statistikë që bie në sy jo vetëm për vetë lojtarin, por edhe për ndikimin që ka në rendimentin ofensiv të skuadrës në këtë fazë delikate të sezonit.
Në javët e para pas afrimit të tij në merkaton e janarit, Sidibe u shfaq menjëherë si një nga pikat më të forta të repartit ofensiv të Partizanit. Me shpërthimet në krah, shpejtësinë në hapësira dhe efikasitetin përpara portës, ai i dha skuadrës një dimension tjetër në fazën sulmuese dhe krijoi përshtypjen se Partizani kishte gjetur një armë shtesë për objektivat e sezonit. Megjithatë, ai impakt i menjëhershëm duket se është zbehur ndjeshëm në javët e fundit.
Kundërshtarët kanë nisur të tregojnë më shumë kujdes në markimin e tij, duke kufizuar hapësirat dhe duke e detyruar të luajë më larg zonës së rrezikshme. Në disa raste, Sidibe është përballur vazhdimisht me mbulim të dyfishtë, çka i ka vështirësuar depërtimet dhe situatat një kundër një, që ishin pikërisht arma e tij më e fortë në startin e aventurës me të kuqtë.
Nga ana tjetër, rënia e rendimentit të tij përkon edhe me një moment jo të mirë të gjithë repartit ofensiv të Partizanit. Skuadra ka shfaqur vështirësi në finalizim në javët e fundit, ndërsa edhe sulmues të tjerë të organikës nuk kanë qenë në nivelin e pritur. Kjo ka bërë që pesha sulmuese të mos shpërndahet si duhet dhe vëmendja e kundërshtarëve të fokusohet edhe më shumë te lojtarët më të rrezikshëm si Sidibe. Pavarësisht mungesës së golit, kontributi i tij në lojë nuk ka munguar plotësisht.
Sulmuesi vazhdon të jetë aktiv në ndërtimin e aksioneve, në krijimin e superioritetit numerik dhe në fitimin e dueleve individuale, por për një lojtar të profilit të tij, statistikat e golave mbeten elementi kryesor me të cilin matet ndikimi në skuadër. Te Partizani shpresojnë që ky ngërç të jetë vetëm një moment kalimtar dhe që Sidibe të rikthehet sa më shpejt te goli, sidomos në këtë periudhë ku çdo ndeshje ka peshë të madhe për objektivat sezonalë.
Kalendari i mbetur i kampionatit nuk lë vend për shumë gabime dhe rikthimi në formë i lojtarëve ofensivë është domosdoshmëri për të kuqtë. Në këtë kuadër, ndeshjet e ardhshme mund të rezultojnë vendimtare edhe për vetë Sidiben, i cili kërkon të lërë pas këtë seri negative dhe të rikthejë impaktin që pati në javët e para me fanellën e Partizanit.
Nëse arrin të gjejë sërish ritmin dhe besimin para portës, ai mund të shndërrohet në një faktor kyç për sprintin final të sezonit. Për momentin, megjithatë, shifrat tregojnë qartë se Partizani po vuan mungesën e golave të një prej armëve të tij më të rëndësishme në sulm, ndërsa pritshmëritë mbeten që reagimi i Sidibes të vijë pikërisht në momentin kur skuadra ka më shumë nevojë.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













