Vora beson te mbijetesa, Luis Felipe: Vlora mbetet fatsjellëse për mua
Një pikë e artë e marrë në Vlorë, mban në objektivat e veta skuadrën vorake, e cila aktualisht ndodhet në vendin e 7-të, që përkon me mbijetesën pa shkuar në ndeshje “play out”, aty ku është dhe objektivi i skuadrës. Edhe pse nuk u morr maksimumi që ishte projektuar për këtë takim, fitorja me tri pikë, kjo pikë ishte mjaft e vlefshme dhe u shkon për shtat vorakëve në qëllimet e realizimit të objektivave të tyre.

Protagonist për këtë ndeshje tek skuadra vorake, bëhet përsëri braziliani 25 vjeçar, Luis Felipe, i cili realizoi një gol mjaft të bukur me kokë, që në minutën e 6-të të takimit, duke zhbllokuar shifrat. Ai ashtu sikurse kishte ndodhur edhe në fazën e parë, kur pati shënuar ndaj Flamurtarit, po në këtë stadium, shënoi sërish, duke mbajtur premtimin, por në këtë rast, ndryshon vetëm vlera e golit. Në fazën e parë Vora doli me fitore nga Vlora, ku goli i Felipes, pati vlerë trepikëshi, ndërsa këtë herë vlera ishte e barazvlefshme me vetëm një pikë.
Gjithsesi, goli pati vlera mbijetese, duke mbajtur larg Flamurtarin, por dhe duke mbajtur edhe pozicionimin e përshtatshëm që ka në objektiv skuadra vorake, pra vendin e 7-të. Braziliani që tashmë është përshtatur tek skuadra Vorake e cila u bë skuadra e parë e këtij futbollisti në Europë, pas ardhjes përtej oqeanit, ndjehet më se i lumtur që po kontribuon maksimalisht për këtë skuadër. Ai pas ndeshjes kundër Flamurtarit për “Panorama Sport” u shpreh i plotësuar për golin.
“Vlora po më sjell fat, është hera e dytë që unë shënoj këtu në këtë stadium. Do të isha edhe më i lumtur sikur ky gol të kishte vlerë trepikëshi”, shprehet fillimisht qendërsulmuesi vorak, Luis Felipe e duke vijuar më tej se si shkoi ky takim ai shprehet, “E kishim vlerësuar maksimalisht për të mos dalë duar bosh nga Vlora.
Ishim përgatitur për të marrë fitore atje e cila do të na qetësonte maksimalisht në luftën tonë për mbijetesën. Por kundërshtari na barazoi shpejt dhe na vuri në vështirësi për të shënuar gola të tjerë. Skuadra kundërshtare u mbrojt mjaft mirë, duke mos na lënë shtigje për gola të tjerë.
Megjithatë, ne mundëm që të dilnim me një pikë që andej. Kjo është gjë e mirë, pasi edhe Flamurtari e kishte jetike këtë ndeshje dhe ne arritëm, që të ruanim diferencat, duke e lënë poshtë nesh këtë skuadër. Tashmë po drejtojmë sytë nga takimi i radhës, pasi nuk ka kohë për vetëkënaqësi, derisa ne të sigurojmë mbijetesën. Unë jam I bindur që do ta shpëtojmë Vorën dhe do të jemi sërish në elitë”, ka përfunduar futbollisti brazilian që ka shënuar 4 gola në 23 ndeshjet e luajtura me Vorën dhe dy prej të cilëve ja ka shënuar skuadrës së Flamurtarit, Luis Felipe Rodrigues da Silva.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













