Vllaznia e bllokuar në merkato/ Kuqeblutë në garë me kohën për të ndërtuar skuadrën e re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2026 | 20:58

Vllaznia e bllokuar në merkato/ Kuqeblutë në garë me kohën për të ndërtuar skuadrën e re

Merkato është kryefjalë momentalisht në Shkodër e tek Vllaznia, të paktën sa i përket kontakteve dhe bisedimeve për afrime të reja. Në kampin kuqeblu po punohet intensivisht për ndërtimin e ekipit që do të përfaqësojë Shkodrën në sezonin e ardhshëm, por deri më tani konkretizimet kanë qenë të pakta.

martini

Pavarësisht emrave të shumtë që kanë qarkulluar gjatë ditëve të fundit, aktualisht vetëm Patrik Bardhi është zyrtarizuar si futbollist i ri i 9 herë kampionëve të vendit. Situata lidhet edhe me faktin se merkatoja e Vllaznisë vijon të mbetet e bllokuar zyrtarisht, çka ka ngadalësuar disi lëvizjet e klubit. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar drejtuesit shkodranë të vijojnë negociatat me futbollistë të ndryshëm, në përpjekje për të qenë gati sapo të hapet rruga për regjistrimin e afrimeve të reja.

Sipas informacioneve, puna më e madhe po bëhet në repartin e mbrojtjes, aty ku largimet e fundit kanë krijuar boshllëqe të rëndësishme në organikë. Kuqeblutë janë në kërkim të futbollistëve që mund të rrisin konkurrencën dhe cilësinë në vijën defensive, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më të balancuar për sezonin e ri.

Por jo vetëm mbrojtja mbetet në fokus. Edhe mesfusha dhe sulmi konsiderohen reparte që kanë nevojë për ndërhyrje, ndaj drejtuesit po shqyrtojnë disa alternativa në treg. Objektivi është afrimi i lojtarëve që mund të japin menjëherë kontribut dhe të rrisin nivelin e skuadrës në prag të një sezoni ku pritshmëritë do të jenë sërish të larta.

Me rikthimin e afërt të ekipit në stërvitje dhe me pjesëmarrjen në turet kualifikuese të Conference League që po afrohet, pritet që javët në vazhdim të sjellin zhvillime të rëndësishme.

PANORAMASPORT.AL