Tirana, sulmi dhe mbrojtja më e dobët. Bardheblutë kryesojnë në Superiore për pjesën e poshtme
Statistikat e deritanishme të Superiores japin një panoramë të qartë mbi tendencat e kampionatit dhe ndihmojnë për të kuptuar më mirë se çfarë pritet në vazhdim të sezonit.

Në total janë zhvilluar 150 ndeshje, ku vihet re një avantazh i lehtë i skuadrave vendase. Fitoret në shtëpi përbëjnë 40% të rezultateve, ndërsa barazimet janë relativisht të larta me 33%. Fitoret jashtë fushe janë vetëm 27%, çka tregon se faktori fushë vazhdon të ketë ndikim të rëndësishëm në kampionatin shqiptar. Një element shumë domethënës është prirja e fortë drejt ndeshjeve me pak gola. Plot 67% e sfidave kanë përfunduar me “under 2.5 gola”, ndërsa vetëm 33% kanë kaluar këtë kufi.
Mesatarja prej 2.08 golash për ndeshje e konfirmon këtë trend, duke e karakterizuar Superiore si një kampionat taktik dhe të kujdesshëm, ku mbrojtja shpesh mbizotëron ndaj sulmit. Në total janë shënuar 312 gola, ku 56% i përkasin skuadrave vendase dhe 44% atyre mike. Kjo diferencë lidhet drejtpërdrejt me avantazhin e fushës, por edhe me qasjen më sulmuese që ekipet kanë kur luajnë para tifozëve të tyre.
Sa i përket performancës së skuadrave, Vllaznia kryeson si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, duke qenë skuadra më e kompletuar deri tani. Ajo ndiqet nga Egnatia dhe Elbasani, të cilat gjithashtu kanë treguar ekuilibër të mirë në të dy fazat e lojës. Në aspektin ofensiv, në pesëshen më të mirë renditen edhe Dinamo dhe Partizani, që kanë prodhuar një numër të qëndrueshëm golash gjatë sezonit. Nga ana tjetër, disa skuadra kanë hasur vështirësi të dukshme në sulm. Tirana dhe Vora rezultojnë me sulmin më pak produktiv, ndërsa Flamurtari dhe Bylis Ballsh gjithashtu nuk kanë qenë efikase përpara portës. Problemet më të mëdha shfaqen në repartin defensiv për Bylisi dhe Tiranën, të cilat kanë pësuar numrin më të lartë të golave.
Edhe Flamurtari dhe Partizani kanë shfaqur pasiguri në mbrojtje, duke lënë hapësira për përmirësim. Në përfundim, këto statistika tregojnë një kampionat të balancuar, por me prirje të qarta drejt ndeshjeve të mbyllura dhe me pak gola. Skuadrat që arrijnë të ruajnë ekuilibrin mes mbrojtjes dhe sulmit, si Vllaznia apo Egnatia, kanë avantazhin më të madh në garën për objektivat e tyre.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













