Tirana, Meta e Dembele gati për Partizanin. Bordini shkund ekipin para takimit me të kuqtë
Tirana ka vijuar edhe të hënën me seancat stërvitore intensive në prag të derbit të kryeqytetit ndaj Partizanit.
Trajneri Roberto Bordini, para stërvitjes së djeshme, zhvilloi një analizë video me skuadrën, duke u fokusuar te gabimet dhe dobësitë që u shfaqën në sfidën e fundit ndaj Dinamos. Një nga problemet kryesore që stafi teknik po përpiqet të adresojë është loja në ajër dhe golat e pësuar me kokë, të cilat kanë kushtuar pikë në disa ndeshje dhe që kërkojnë përmirësim përballë rivalëve të Partizanit.
RIKTHIMET – Lajmet e mira për Tiranën nuk mungojnë. Ermal Meta është rikthyer dhe do të jetë i gatshëm për sfidën e madhe, ndërsa Mahamadu Dembele pritet të integrohet në formacionin titullar, duke rritur kreativitetin dhe cilësinë në mesfushë. Një tjetër rikthim i rëndësishëm është ai i Qëndrim Ismajlit, i cili ka nisur stërvitjen me grupin dhe pritet të sjellë stabilitet dhe siguri në mbrojtjen e ekipit.
MENSAH – Tirana përballet me një shqetësim të ri në prag të derbit ndaj Partizanit, pasi sulmuesi Alfred Mensah ka pësuar një dëmtim në sfidën me Dinamon dhe rrezikon të mungojë në ndeshjen vendimtare të kryeqytetit. Problemi i tij fizik po shqetëson trajnerin Roberto Bordini, i cili duhet të gjejë alternativat e duhura për të mbuluar boshllëkun në sulm. Mensah ka qenë një nga lojtarët kyç të ekipit këtë sezon, duke sjellë forcë në ofensivë. Mungesa e tij mund të ndikojë jo vetëm në aksionet sulmuese, por edhe në taktikat e Bordinit, i cili po analizon me kujdes mundësitë për të riorganizuar 11-shen dhe për të ruajtur konkurrencën brenda skuadrës. Bordini do të vendosë në ditët në vijim nëse Mensah mund të jetë i gatshëm për derbin ose do të përdoret si alternativë nga stoli.
STËRVITJA – Përgatitjet e Tiranës janë intensive dhe të detajuara, me fokus te aspektet taktike dhe fizike. Trajneri Bordini po kërkon të përmirësojë organizimin mbrojtës, koordinimin në lojën me kokë dhe ekzekutimin e aksioneve sulmuese. Ekipi po punon edhe mbi bashkëpunimin mes linjave, lëvizjen pa top dhe shfrytëzimin e hapësirave, për të dalë i përgatitur për një derbi që premton emocione dhe rivalitet të fortë. Tifozët e Tiranës mund të jenë të qetë, pasi skuadra po shfaq seriozitet dhe fokus maksimal në stërvitje, duke treguar se është e përgatitur për të luftuar për fitore dhe për të mos lënë hapësirë rivalëve kryeqytetas. Ky derbi pritet të vendosë jo vetëm pikët, por edhe prestigjin në kryeqytet, ndaj çdo detaj nga stërvitja ka rëndësi maksimale.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













