Surpriza e madhe e Milinkoviç, sulmuesi ia shpërbleu besimin që në debutim me Partizanin
Mladen Milinkoviç surprizoi me formacionin e javës së parë, siç edhe kishte paralajmëruar. Trajneri i Partizanit i besoi një vend si titullar Nebi Qokthit në debutimin e tij. Ishte një moment i veçantë, pasi Qokthi po ashtu e kishte debutim. Dhe gjithçka shkoi mirë për të dy, pasi Partizani fitoi 1 me 0. Një paraqitje pozitive e Qokthit, që sidomos në pjesën e parë ishte si motor për skuadrën në krahun e djathtë.

DERI TE DEBUTIMI- Nebi Qokthi është një nga talentet e Partizanit, që pas eksperiencave me ekipin U-19 i është besuar kontratë 4- vjeçare. Talenti shkodran ishte kapiten i skuadrës. Më parë ka qenë edhe te moshat e Vllaznisë. Këtë muaj ndërkohë mbushi 19-vjeç. Qokthi ishte një nga lojtarët që luajti në miqësoret e fazës përgatitore të Ohrit.
Për shkak të nevojave të ekipit të Gegës u aktivizua edhe në mbrojtje, ndërsa pozicionin natyral e ka si anësor në sulm. Në fakt Qokthi është një rast i veçantë, pasi te moshat e Partizanit ka luajtur edhe në mesfushë. Kështu është treguar një lojtar polivalent. Në Europë u stërvit me skuadrën, por nuk qëndroi në stol për asnjërën nga ndeshjet.
Fatjon Muhameti e njihte mjaft mirë potencialin e tij, pikërisht nga ekipi U-19. Për këtë i dha minuta në miqësoren me Kukësin, kur qëndronte si trajner provizor. Sinjale pozitive pati në fushë, ndërsa më pas edhe Milinkoviç e provoi në miqësoren me Bylisin. Për këtë ambientimi me grupin nuk ishte aspak i vështirë, duke e bërë të dukej sikur luante prej kohësh me ekipin e parë.
PANORAMASPORT.AL













