Superiorja nisi një epokë të re, regjistrohet rekord që në javën e parë. Tani rrezikohet Kombëtarja!
Bylis dhe Tirana hapën të shtunën zyrtarisht sezonin e ri futbollistik 2025/26, por përtej rezultatit, vëmendja e të gjithëve shkoi tek një fakt i pazakontë: për herë të parë në historinë e kampionatit shqiptar, në një ndeshje startuese zbritën titullarë plot 15 lojtarë të huaj. Ky rekord lidhet drejtpërdrejt me rregullin e ri të Federatës, i cili këtë sezon nuk vendos më asnjë limit për përdorimin e lojtarëve të huaj. Si pasojë, klubet kanë pasur liri të plotë në merkato dhe kjo është reflektuar menjëherë në përbërjet e së shtunës.

VETËM 7 SHQIPTARË NË FUSHË
Nga 22 lojtarë që nisën takimin, vetëm 7 janë me origjinë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër i përket futbollistëve të ardhur nga jashtë. Ky raport është historikisht më i ulëti për një ndeshje në elitën shqiptare dhe shënon një pikë kthese për mënyrën si ndërtohen skuadrat. Në të shkuarën, pavarësisht dëshirës së klubeve për të afruar cilësi, gjithmonë ekzistonte detyrimi për të pasur një numër minimal lojtarësh vendas në formacion. Të shtunën, kjo barriere nuk ekziston më dhe trajnerët duket se po e shfrytëzojnë maksimalisht. Rregulli me 11 lojtarë të huaj në një ekip si titullarë.
AVANTAZH APO RREZIK?
Nga njëra anë, prania e shumë të huajve pritet të rrisë nivelin e kampionatit, të sjellë më shumë konkurrencë dhe eksperiencë ndërkombëtare. Për Tiranën dhe Bylisin, që synojnë objektiva të ndryshëm në këtë sezon, kjo politikë duket si mënyra më e shpejtë për të forcuar organikën. Por nga ana tjetër, dilema e madhe mbetet: Çfarë ndodh me futbollistin shqiptar? Vetëm shtatë titullarë vendas në ndeshjen hapëse janë një tregues alarmant për hapësirat gjithnjë e më të vogla të lojtarëve të akademive vendase. Nëse kjo prirje vijon, rrezikon të godasë drejtpërdrejt zhvillimin e talenteve të rinj dhe furnizimin e Kombëtares.
NJË KAMPIONAT NDRYSHE
Sezoni 2025/26 duket se do të jetë i veçantë jo vetëm nga pikëpamja sportive, por edhe sociologjike. Për herë të parë, tribuna shqiptare do të shohë një kampionat me prani të madhe ndërkombëtare në çdo skuadër. Rekordi i të shtunës mund të thyhet sërish shumë shpejt, ndërsa e vetmja gjë e sigurt është se Superliga shqiptare ka hyrë në një epokë të re.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













