Statistikat/ Te Dinamo dinë të shpërndajnë golat, por një formacion nuk shënon
Dinamo do të përballet sot me Elbasanin në “Air Albania” dhe do të synojë rikthimin te rezultatet pozitive për të hyrë sërish në garë për një vend në “Final 4”.
Të besuarit e Dajës nuk mund të hedhin më hapa të gabuar dhe veç rezultateve pozitive, duhet të shpresojnë që të paktën të ndalen rivalët direktë dhe të mos fitojnë ndeshjet e tyre. Dinamo e këtij sezoni ka pasur oshilacione, megjithatë është një skuadër që di të shënojë e për më tepër, është nga ato skuadra që nuk ka pasur probleme me lojtarët që realizojnë, pasi nuk ka varësi nga forma e një futbollisti.
GOLAT E SHËNUAR- Daja ka krijuar një skuadër që di të shpërndajë golat në të gjithë lojtarët dhe këtë sezon, kanë qenë të shumtë lojtarët që kanë gjetur rrugën e rrjetës. I vetmi repart nga i cili nuk është real zuar asnjë gol, mbetet vetëm porta ndërsa nga repartet e tjera, thuajse të gjithë lojtarët kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës, të paktën një herë. Kështu, në mbrojtje, Ismaili, Aliji, Meksi e Maliqi nuk kanë shënuar, me këtë të fundit që ka mbyllur edhe sezonin për shkak dëmtimi.
Sa i përket mesfushës, Ledio Beqja dhe Lorran janë dy lojtarët që ende nuk e kanë gjetur rrugën e rrjetës, por që të dy kanë luajtur jashtë pozicioneve të tyre natyrale. Beqja shpesh herë ka qenë mbrojtës këtë sezon, megjithëse dëmtimet janë kthyer në një problem të madh për të. Mbrojtës i majtë ka luajtur edhe Lorran me fanellën e bluve, edhe pse prej javësh në atë pozicion ka fituar vend titullari Faton Neziri, që ka arritur të realizojë me “nëndetësen”. Reparti i sulmit është reparti nga i cili janë shënuar golat më të shumtë për Dinamon.
Të vetmit lojtarë që janë sulmuesë dhe nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës, janë Farruku, Berisha dhe Mustafa. Ky i fundit ka arritur të realizojë 7 gola këtë sezon me Bylisin, por që nga janari është bashkuar me blutë e Dinamos dhe ende nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës.
PANORAMASPORT.AL













