Rivalët duhet të shqetësohen, Egnatia ka “ndezur motorët” shumë më shpejt se vitin e kaluar
Starti i kampionatit ka treguar se do të ketë shumë ekuilibër në garën për katërshen e parë dhe janë disa ekipe që e pretendojnë atë. Por ajo që duhet të shqetësojë të gjithë pretendentët, është fakti se Egnatia e ka filluar me shumë vrull këtë edicion.

Starti i rrogozhinasve nuk ishte më i miri, me një humbje në debutim ndaj Vllaznisë e pastaj me barazimin përballë rivalëve të Elbasanit. Por për të gjitha ata që menduan se ishin në krizë, erdhën tre fitore radhazi, që e kthyen përsëri Egnatian ngjitur me vendin e parë.
Sigurisht, me të njëjtën kuotë pikësh si në vitin e kaluar në këtë pikë të sezonit, por me një ndryshim të rëndësishëm. Në sezonin e kaluar, vazhdimësia e fitore ishte një nga pikët e dobëta të Egnatias në pjesën e parë të tij. Dhe rrogozhinasit nuk regjistruan tre fitore radhazi deri në janar, kur në fakt shënuan 6 të tilla pa u ndalur deri në gjysmën e muajit shkurt.
Ai ishte momenti kur Egnatia “ndezi motorët” dhe nisi rrugëtimin e saj drejt titullit të dytë kampion radhazi. Fakti që Egnatia ka gjetur këtë vazhdimësi që në javët e para të sezonit aktual, duhet të jetë një shqetësim për të gjithë ata që kërkojnë ta ulin nga froni, duke pasur parasysh se e vetmja skuadër tjetër me dy fitore radhazi në këtë edicion është Elbasani.

PANORAMASPORT.AL













