Rastësia apo presioni? Vendi i katërt sjell ters për Partizanin
Partizani nuk po kalon një formë të mirë në këto ndeshje të para të fazës së katërt, me të kuqtë që nuk kanë arritur të grumbullojnë më tepër se dy pikë në total pas barazimeve me rezultatin identik 2-2, si ndaj Vorës, ashtu edhe ndaj Teutës. Së fundmi, kryeqytetasit morën edhe një disfatë si ajo ndaj Vllaznisë, duke bërë kështu që të vuajnë në momentin më vendimtar të sezonit, aty ku nuk ka më shumë kohë për të rikuperuar.

Deri më tani, Partizani ia ka dalë të ruajë vendin e katërt që garanton pjesëmarrjen në “Final Four” dhe që është edhe objektivi kryesor i klubit për këtë sezon. Megjithatë, ndryshe nga disa javë më parë, ky pozicion në tabelën e klasifikimit nuk është më i sigurt, pasi Dinamo po shtyn fort që t’i “parakalojë” të kuqtë, me blutë e kryeqytetit që aktualisht mbajnë vendin e pestë me vetëm një pikë më pas se Partizani. Megjithatë, ky vend i katërt në renditje duket se nuk ka rezultuar shumë fatsjellës për Partizanin, kjo sepse prej momentit kur e arritën këtë pozicion pas triumfit në ndeshjen direkte me Dinamon më datë nëntë mars, ekzaktësisht para një muaji, kanë “harruar” si fitohet dhe, nëse nuk do të ishte për periudhën me ulje e ngritje të Dinamos, ky pozicion të kuqve mund t’u kishte “ikur nga duart” kohë më parë.
Ndoshta është presioni për të arritur objektivin apo ndoshta edhe mungesa e fatit në ndeshjet e fundit, këtë vështirë se mund ta përcaktojnë, por te Partizani duhet të reflektojnë një orë e më parë mbi këtë situatë për të mos hedhur më pas poshtë të gjithë atë punë fantastike gjatë fazës së tretë, ku ekipi arriti të rikuperonte shumë pikë diferencë me Dinamon e kur thuajse askush nuk besonte se “Demat” do të luanin për vendin e katërt.
Në këto tre ndeshje të fundit, prej momentit kur Partizani ka marrë vendin e katërt, duhet theksuar se ekipi ka vuajtur gjithashtu edhe mungesa të rëndësishme si ajo e Vusal Isgandarli, një nga lojtarët më në formë të kohëve të fundit, e po ashtu edhe të sulmuesit kryesor, Xhuljano Skuka, i cili nuk ka mundur që të jetë në 100% të formës e të japë kështu maksimumin për skuadrën. Nga ana tjetër, ekipi ka humbur po ashtu shërbimet e Fadairo të dëmtuar në ndeshjen me Vorën (theu krahun), teksa sulmuesi anësor mund të ishte një alternativë e rëndësishme falë freskisë fizike.
Ndër të tjera, edhe Qaka nuk ka mundur të arrijë formën maksimale, me ish-lojtarin e kombëtares që ndeshjet e fundit i ka nisur nga stoli. Ndeshja e radhës për Partizanin do të jetë po ashtu një test i vërtetë për të kuqtë, duke qenë se luajnë në transfertë ndaj Elbasanit, teksa një rezultat negativ mund t’i kushtojë vendin e katërt, ndërsa nga ana tjetër, një fitore do të vlente dyfish, për pikët, por edhe për aspektin psikologjik në këtë moment ku do të vendoset shumëçka në kampionat.
PANORAMASPORT.AL













