Protagonist në fitoren ndaj Egnatias, Andre Jago është “njeriu asist” i shkodranëve të Vllaznisë
Ishte një ndër protagonistët kryesorë të fitores së Vllaznisë në shifrat 2-0 ndaj Egnatias, duke “gatuar” të dy golat e kuqebluve. Fjala është për Andre Jagon, mbrojtësin brazilian që vijon konfirmimin e formës shumë pozitive të sezonit të shkuar.

27-vjeçari ishte asistuesi i dy golave të shënuar nga Gurishta dhe Bajrami, duke qenë shumë i saktë në krosimet dhe goditjet standarde të ekzektuara nga ana e tij. Ishfutbollisti i Makedonija GP në të shkuarën, po konfirmohet si një nga pikat e forta të formacionit shkodran. Dhe po ashtu duke qenë një nga më të mirët në kampionat në rolin e mbrojtësit të majtë.
Pavarësisht se Jago është një personazh për të cilin flitet pak në media, loja dhe niveli i treguar nga ana e tij vlerësohet shumë nga ana e stafit teknik dhe po ashtu tifozëve në Shkodër. Të cilët, te braziliani shohin një futbollist tek i cili mund të besosh në çdo moment dhe që po ashtu mund të aktivizohet edhe në role të ndryshme në fushën e lojës.
Dhe pavarësisht ardhjes së Hakajt në radhët e 9 herë kampionëve të vendit dhe konkurrencës së shtuar, momentalisht Jago duket i paprekshëm në formacionin e shkodranëve. Të cilët tek mëngjarashi shohin një siguri absolute në formacion.
PANORAMASPORT.AL













