Pikantet e Elbasani-Partizani/ Kapsolla në fushë, Diallo si “dirigjent”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2026 | 20:30

Pikantet e Elbasani-Partizani/ Kapsolla në fushë, Diallo si “dirigjent”

Ndeshja mes Elbasanit dhe Partizanit nuk dhuroi vetëm spektakël në fushë, por edhe shumë momente domethënëse jashtë saj. Nga mesazhet sensibilizuese, te protesta e tifozëve dhe tensioni i krijuar në disa episode të lojës, gjithçka e bëri këtë përballje edhe më të veçantë. Ja disa nga pikantet më interesante që erdhën nga kjo sfidë: Në mënyrë simbolike, fëmijët që shoqëruan lojtarët në fushë ishin të spektrit autik.

Screenshot 2026-04-14 185155

Të gjithë mbanin bluza të veçanta për Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, në një mesazh sensibilizimi. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja. Në stadium ishin rreth 4 mijë tifozë të pranishëm, ndërsa nuk munguan as mbështetësit e Partizanit në sektorin e tyre. Atmosfera e krijuar në “Elbasan Arena” ishte mbresëlënëse gjatë gjithë ndeshjes.

Ultrasit verdheblu qëndruan në heshtje për disa minuta në shenjë proteste ndaj dënimeve të fundit. Baneri i tyre “Arrakat Boys” ishte i kthyer përmbys, ndërsa nuk mungoi as mesazhi “Free David, Free Pajtim”.

Nuk munguan polemikat për vendimet e arbitrimit. Verdheblutë protestuan ashpër për kartonin e kuq të Mustës pas ndërhyrjes së VAR-it. Edhe tifozët reaguan të irrituar, duke hedhur kapsolla në fushë dhe detyruar ndërprerjen e lojës për pak çaste. Në një tjetër episod, pas kartonit të verdhë për Sidiben, lojtarët vendas kërkuan karton të kuq dhe ndërhyrjen e VAR-it për lojtarin e fundit, duke rrethuar edhe gjyqtarin e katërt, por vendimi mbeti i pandryshuar.

Momente tensioni u regjistruan edhe te penalltia e Elbasanit, ku lojtarët e Partizanit tentuan të prishin pikën e bardhë. Një pjesëtar i stafit verdheblu u afrua pranë portës për t’i dhënë udhëzime Ze Gomesit, i cili gaboi në tentativën e parë, por realizoi në të dytën. Ibrahima Diallo mori rolin e “dirigjentit” me tifozët, duke i nxitur vazhdimisht për mbështetje dhe duke dhënë energji pozitive për skuadrën në fushë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL