Pikantet e Egnatia-Elbasani/ Sfidë e zjarrtë edhe në tribunë, tension, pankarta dhe tifozë jashtë stadiumit
Ndeshja nuk prodhoi vetëm emocione brenda fushës, por u shoqërua edhe me episode të veçanta në tribuna, tension mes tifozërive dhe situata që ndikuan drejtpërdrejt në klimën e takimit. Që para startit e deri në momentet vendimtare, sfida pati “ngjyra” dhe detaje që e bënë edhe më të zjarrtë.

-Ndeshja nisi me pesë minuta vonesë për shkak të problemeve teknike me kufjet e arbitrave.
-Pati thumbime mes dy tifozërive në distancë, ndërsa rrogozhinasit shpalosën edhe një pankartë me mbishkrimin: “U rrit macja, u bo tigreshë.”
-Ndërkohë, rreth 200 tifozë të Elbasanit qëndruan jashtë stadiumit, pa mundur të futen për shkak se sektori i tyre ishte i mbushur plot. Në fund të pjesës së parë, tifozët brenda stadiumit ia bënë me dije këtë situatë edhe kapitenit Musta, për t’ua përcjellë shqetësimin shokëve të skuadrës.
Meqenëse problematika nuk u zgjidh, tifozët që ndodheshin brenda u larguan nga stadiumi dhe u solidarizuan me ata jashtë. Mësohet se para ndeshjes kishte pasur bisedime për lejimin e tyre në një sektor bosh të tribunës, por FSHF dhe policia ia “pasuan” përgjegjësinë njëra-tjetrës dhe, në fund, tifozët mbetën jashtë.
-Haime shkon pranë këndit për të krosuar në zonë, por ndodhet afër tifozëve të Elbasanit, të cilët hedhin një kapsollë. Futbollisti shpëton pa pasoja, ndërsa kapiteni Musta afrohet dhe u bën thirrje tifozëve të qetësohen.
-Aleksi i drejtohet Zotit në momentin e penalltisë së Fernandos, duke u ulur në gjunjë dhe duke ngritur sytë lart, në një nga skenat më domethënëse emocionale të ndeshjes.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













