“Përtej 90 minutave”, rrëfimi emocionues i vajzës së Vioresin Sinanit: Babi dhe Vllaznia apo Vllaznia është babi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2025 | 19:14

“Përtej 90 minutave”, rrëfimi emocionues i vajzës së Vioresin Sinanit: Babi dhe Vllaznia apo Vllaznia është babi…

Nga LORELA SINANI*
Përtej 90 minutave

Mes kujtimeve të hershme gjendet një video e thjeshtë: dy vajza të vogla, përballe televizorit që transmetonte një ndeshje. Në fushë ishte ai – babai. Sytë e fëmijëve shkëlqenin, dhe thirrja “goool” shpërthente pa kuptuar plotësisht çfarë po ndodhte.

MixCollage-27-Aug-2025-07-12-PM-8187

Sigurisht që fëmijët nuk i njihnin emrat e lojtarëve, nuk kuptonin rezultatin, por emocionet e stadiumit dhe ndjenjën e krenarisë arrinin t’i ndjenin fuqishëm dhe qartë.

Për dy vajzuket shpesh herë konceptet ngatërroheshin: Babai dhe futbolli, futbolli dhe babai – babi dhe Vllaznia apo Vllaznia është babi… tani e kuptoj se ngatërresa vinte sepse këto tre simbole shkriheshin aq pastërtisht te njëri- tjetri sa vështire të kuptohej ku mbaronte njëri e ku fillonte tjetri.

Asnjëherë nuk e kemi ndarë imazhin e babait tonë nga futbolli dhe kjo gjë na ka lindur në mënyrë natyrale, pa sforcime. Për shumë njerëz, është thjesht një lojë. Për disa të tjerë, një profesion. Por për babin tonë, futbolli është shumë më tepër: është ritmi i jetës se tij, mënyra se si lëviz, mendon, flet, dhe ekziston. Shumë përpara se të kuptonim rregullat apo rolet në fushë, kuptuam një të vërtetë të thjeshtë – futbolli ishte pjesë e pandare e tij, dhe kështu për rrjedhojë edhe pjesë e pandarë e jetës sonë.

Të rritesh me një baba futbollist do të thotë të kuptosh që futbolli nuk luhet vetëm në stadium. Ai është i pranishëm në çdo cep të shtëpisë, në çdo mëngjes dhe mbrëmje, në çdo bisedë dhe këshillë. Është në mënyrën si ai të shpjegon jetën përmes një faulli apo një goli të vonuar. Është në shprehjen e tij kur thotë me bindje: “Jeta është si futbolli”. Për të, futbolli është jeta.

Kur fiton Vllaznia, shtëpia mbushet me dritë dhe gëzim, si një festë që lind natyrshëm në zemrat tona. Kur humb, në shtëpi mbizotëron heshtja, dhe ne mësojme ta kuptojmë këtë ritëm, pa pasur nevojë për fjalë, çdo gjë na lind natyrshëm, pa sforcime.

Më kujtohet një fundviti, në ditët kur duhet të festohej ardhja e Viti të Ri, një humbje e Vllaznisë ishte arsyeja e një festimi jo aq gazmor siç ndodhte çdo vit. Ishim fëmijë dhe nuk e kuptonim. Sot, e dimë që për babin tonë – dhe për ne – një ndeshje është shumë më tepër sesa 90 minuta.

Në mesin e tifozëve, një flamur valëvitet me krenari, perfaqësues i një pasioni te trashëguar. Një fushë e gjelbër ka qenë dëshmitare e përpjekjeve dhe sakrificave të tij ndeshje pas ndeshjeje. Ky pasion është bërë pjesë e pandashme e familjes, një frymë që nuk shuhet kurrë.

Mësimi që kemi marrë dhe marrim nga “heroi” ynë çdo ditë është i qartë: kur pasioni dhe puna bashkohen, krijohet diçka e përhershme. Edhe kur jeta merr drejtime të ndryshme, një gjë mbetet e pandryshuar – lidhja e fortë me futbollin, me atë lojë që bashkon zemra e mbjell ëndrra.

*Lorela Sinani është vajza e ish-futbollistit dhe aktualisht drejtorit teknik të Vllaznisë, Vioresin Sinani

PANORAMASPORT.AL