Partizani mbyll rekordin, Vllaznia e “lë thatë”. Kryeqytetasit nuk e regjistronin këtë statistikë prej takimit në Shkodër
Partizani nuk ia doli në ndeshjen e zhvilluar në “Arenën e Demave” ndaj Vllaznisë, duke u mposhtur me rezultatin 0-2 pas dy golave të shënuar në fraksionin e dytë nga Kevin Dodaj.
Gola këto që i dhanë fund ecurisë pozitive të Partizanit në tetë ndeshje radhazi, ku të kuqtë kishin regjistruar pesë fitore dhe tre barazime. Por, ndaj Vllaznisë, kryeqytetasve nuk iu ndërpre vetëm kjo ecuri pozitive, pasi për herë të parë pas 10 ndeshjesh mes kampionatit dhe dy ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Shqipërisë përballë Elbasanit, Partizani nuk mundi të gjente rrugën e rrjetës.
REKORDI- Hera e fundit kur “Demat e Kuq” kishin mbyllur një takim pa gjetur rrugën e rrjetës ishte po ndaj Vllaznisë, në atë humbje minimale 1-0 ndaj shkodranëve në “Loro Boriçi” më datë 24 janar, duke treguar edhe njëherë se kuqeblutë kanë rezultuar një “makth” i vërtetë për Partizanin në këtë sezon. Megjithatë, kjo statistikë tregon nga ana tjetër e nxjerr në pah edhe karakterin sulmues të Partizanit, teksa lojtarët e repartit ofensiv po kalonin një moment të mirë, sidomos Sidibe i afruar në merkaton e janarit, Isgandarli, por gjithashtu një ndihmë e madhe në aspektin sulmues erdhi edhe nga mesfushorët si Dumbia e Hjuman, ndërsa rrugën e rrjetës e ka gjetur edhe Valentino Murataj. Edhe në ndeshjen me Vllazninë, Partizani në fakt i pati shanset për të shënuar, sidomos ato më flagrantet të regjistruara nga Hjuman e Sidibe, ndërsa vlen të theksohen edhe dy golat e anuluar të Isgandarli për pozicion jashtë loje, ku realizimi i parë i azerbajxhanasit solli shumë polemika e kontestime nga klubi kryeqytetas.
MËNYRA E LOJËS PREMTON- Në këtë aspekt, te të kuqtë mund të ndjehen të sigurt për vazhdimësinë, pavarësisht se u ndërpre ecuria e ndeshjeve të shënuarit radhazi, pasi gjithsesi loja e aplikuar nga trajneri Oltijon Kërnaja premton. Dhe, në këtë pikë vendimtare të sezonit, fakti që te Partizani e njohin mirë rrjetën kundërshtare dhe lojën sulmuese, mund t’i hyjë shumë në punë, por nuk duhet harruar se në mënyrë që golat të vlejnë, të kuqtë duhet të bëjnë më mirë edhe në repartin difensiv. Pasi në ndeshjet e fundit mbrojtja ka “futur ujë”, duke pësuar gjashtë gola në tre ndeshjet e para të fazës së katërt, dhe në këtë formë ekipi ka lënë pikë të rëndësishme për llogaritë e kampionatit, teksa aktualisht mban vendin e katërt me 44 pikë, një më shumë se Dinamo e vendit të pestë, që duket se është rikthyer në formë dhe po i bën “presion” “Demave” për vendin e fundit në tabelën e klasifikimit që garanton pjesëmarrjen në “Final Four”.
NDESHJA E RADHËS- Sfida e radhës për Partizanin është ndaj Elbasanit, një skuadër mjaft kompakte, pavarësisht ditës “jo” në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku verdheblutë pësuan katër gola nga Dinamo. Të kuqtë ende nuk kanë fituar në këtë sezon përballë Elbasanit, dhe sigurisht që për ta bërë këtë do t’u duhen golat, teksa kryeqytetasit do të tentojnë që ta hedhin menjëherë pas krahëve thatësirën e golave ndaj Vllaznisë.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













