Organikë e plotë, formacioni pa surpriza. Si pritet të rreshtohet Partizani kundër Vllaznisë
Partizani pret Vllazninë në atë që mund të konsiderohet pa frikë si kryendeshja e kësaj jave të 30-të në Kategorinë Superiore.

Të kuqtë kërkojnë një fitore që mund t’i dërgojë pretendimet e tyre në një nivel tjetër përtej thjesht vendit të katërt e pjesëmarrjes në “Final Four”, teksa titulli nuk do të ishte më një iluzion i largët. Kujtojmë se aktualisht diefrenca mes skuadrave është nëntë pikë me Vllazninë që mban vendin e parë në renditje teksa kuqeblutë konsiderohen edhe si skuadra favorite për të triumfuar në këtë sezon të Superiores.
Në këtë formë, trajneri Oltijon Kërnaja pritet që të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm duke qenë se për fat të mirë pritet që ta ketë grupin e plotë në dispozicion pasi jashtë mbeten vetëm emrat e zakonshëm dhe që kanë vuajtur dëmtime të rënda si Preka, Marku dhe Keko. Kështu, sa i takon formacionit në portë si zakonisht mes shtyllave do të jetë Pano Qirko, ndërsa në mbrojtje do të vendoset në fund sa i takon krahut të djathtë ku ka vend vetëm për njërin mes Marjus Kolës apo Karlos Martinez teksa në qendër do të luajë Altin Bytyçi e Saliu Sembene ndërsa në të majtë David Atanaskoski.
Ndërkohë, të shumta janë balotazhet për mesfushën ku pesë lojtarë janë në garë për tre vende, megjithatë aty priten të rreshtohen Redon Ismaili, Arafat Dumbia e Rouan Hjuman duke lënë kështu si alternativa përgjatë ndeshjes emra si Kamer Qaka apo Valentino Murataj.
Ndërkaq sa i takon repartit ofensiv, Vusal Isgandarli e Seku Sidibe respektivisht në krahun e majtë e të djathtë ndërsa Xhuljano Skuka pritet të udhëheqë majën e sulmit të skuadrës kryeqytetase. Sfida mes Partizanit dhe Vllaznisë do të startojë duke nisur nga ora 17:00 në stadiumin e të kuqve, “Arena e Demave”.

PANORAMASPORT.AL













