ORA 20:45/ Dilema për kapitenin, Dita kërkon të sakrifikojë. Si pritet të rreshtohet Dinamo kundër Jagiellonias
Dinamo ka mbyllur mbrëmë përgatitjet për ndeshjen e kthimit të raundit “play off” të Ligës së Konferencës, ku sot në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”, pret Jagiellonian.
Blutë vijnë në këtë sfidë pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë të luajtur në Poloni. Në prag të takimit, trajneri Ilir Daja ka disa dilema, pasi formacioni varet edhe nga gjendja e lojtarëve që kanë pasur probleme dhe munguan në ndeshjen e parë.
Mesfushori Klevi Qefalija është më pranë rikthimit dhe, nëse nuk e nis nga minuta e parë, do të jetë i gatshëm në stol. Ndërkohë, situata e kapitenit Dita mbetet më e komplikuar. Mbrojtësi ka shprehur dëshirën për të sakrifikuar në këtë takim, por stafi teknik heziton ta aktivizojë, pasi një dëmtim i ri mund të vononte rikthimin e tij për muaj të tërë. Aktivizimi i Ditës do të sillte edhe ndryshime në formacion, duke rikthyer disa lojtarë në rolet e tyre natyrale, si Meksi në krahun e djathtë të mbrojtjes apo Nani më përpara në fushë.
Në rast se Dita nuk do të rrezikohet, Dinamo pritet të luajë ndaj Jagiellonias me të njëjtin formacion si në Poloni. Lajm i mirë për dinamovitët është bashkimi i mesfushorit Ledio Beqja me grupin, duke rritur alternativat në mesfushë për trajnerin Daja.
PANORAMASPORT.AL













