Ligji për sponsorizimin, formalizim i biznesit sportiv
Sot, bashkëpunimi mes sektorit publik dhe privat funksionon ndryshe nga sa më parë, biznesi është më dinamik dhe sporti ka marrë një tjetër përmasë. Sporti dhe biznesi mund të rriten së bashku, të dy mund të ndihmohen dhe stimulohen me njeri-tjetrin.
Mjafton të kujtojmë se si ishte basketbolli në vitet ’90 dhe ta krahasojmë me të sotmen, apo transformimin e Ligës së Kampionëve, Premier Ligës angleze dhe fytyrën moderne të Formula 1 në këto 30 vite. Sporti është biznes dhe si biznes ai ka tashmë rregullat e tij të funksionimit. Kur flasim për sport nuk flasim vetëm për futbollin, për basketbollin, volejbollin, por flasim edhe për xhudon e dhjetëra medaljeve të arta të Kosovës në nivel botëror, sport ndaj të cilit mbarë komuniteti sportiv i Kosovës është shumë falendërues për valëvitjet e shpeshta të flamurit në podiume suksesesh.
Sporti është mundësia e vetme për t’u larguar nga veset, është masa më e rëndësishme parandaluese ndaj sëmundjeve. Investimi në sport është investimi tek të rinjtë, te e ardhmja, te krenaria përbashkuese dhe te emocionet e forta që çliron kombëtarisht. Sa herë përfaqësuesit tanë shkëlqejnë në sporte, emocionet e së nesërmes kudo mes shqiptarësh janë ndryshe. Edhe në Shqipëri, përveç ndryshimeve globale, kemi pasur një vrull të madh zhvillimi të biznesit në këto tre dekada. Pra, realiteti ka ndryshuar, biznesi ka evoluar. Edhe sporti ka ecur, por është ende larg nivelit nga ato çfarë janë kërkesat e kohës. Është e qartë: ka ardhur koha për një ligj të ri për sponsorizimet.
RËNDËSIA SOCIALKULTURORE DHE EKONOMIKE Mbështetja financiare për sportin, artin dhe kulturën është një domosdoshmëri për ngritjen e një kombi. Bota e ka kuptuar prej vitesh se investimi në këto fusha nuk është thjesht operacion marketingu, por një sipërmarrje me përfitime të shumëfishta: së pari në shëndetin e popullsisë sot dhe në të ardhmen, që sjell zhvillim ekonomik, social dhe kulturor, që integron grupe të tëra të mbetura pas drejt aktiviteteve të shëndetshme dhe larg veseve dhe problemeve, që forcon parametrat ekonomik të klubeve, që ruan masivitetin e sporteve ose i nxit ato të masivizohen. Sponsorizimet në botën perëndimore shihen si investime socio-ekonomike dhe përmes skemave inteligjente shfrytëzohen për rritjen e cilësisë së sportit. Kjo lidhet fort me sasinë e të ardhurave që sporti ka aftësinë të grumbullojë, me pjesëmarrjen dhe zhvillimin e talenteve në të. Komuniteti sportiv është sy e vesh nga zhvillime të tjera, që e përshpejtojnë hapin e Shqipërisë, “me trenat” e tjerë në rajon dhe në Evropë. Sponsorizimi krijon hapësira te mëdha zhvillimi, formalizon ekonominë sportive, që do të thotë se krijon me dhjetëra kompani sportive, akademi shoqata dhe diversifikim të sporteve. Kështu do të rritet cilësia sportive, çdo sponsorizim do të shkojë në ato ndërmarrje e shoqata të formalizuara. Sport i formalizuar nënkupton që biznesi sportiv ka frymëmarrje dhe operon me fatura dhe jo më në ekonomi të zezë, sportistët paguhen me sigurime shoqërore të rregullta dhe e gjithë vlera e incentivuar për sponsorizime, i kthehet mbrapsht shtetit dhe ekonomisë kombëtare me kontribute në sigurime shoqërore, taksa, etj. Në një sport të formalizuar, biznesi bën të mundur rritjen e krenarisë dhe bota sportive bëhet botë biznesi, ashtu si qindra raste konkretë emrash biznesi në botë.
KOSOVA, SI SHEMBULL Rezultatet e kësaj strategjie janë të dukshme. Për shembull, modeli i Kosovës ka treguar sukses me medalje të arta në sport, duke dëshmuar se mbështetja financiare e strukturuar dhe e qëndrueshme mund të sjellë rezultate konkrete dhe të matshme në ngritjen e nivelit sportiv, kulturor dhe social të një kombi. Atje kam përvojën e shkëlqyer të sponsorizimit në SIGAL Prishtina, ku sukseset e saj tanimë flasin vetë: përtej Kosovës, duke qenë një realitet ballkanik dhe kontinental i basketbollit të Kosovës dhe jo vetëm kombëtar. Edhe futbolli i klubeve në Kosovë ka prodhuar pjesëmarrje të rregullta evropiane, në fazën e avancuar të grupeve. Jo një herë dhe jo me vetëm një ekip. Të gjitha herët këtë dekadën e fundit dhe kjo as nuk është rastësi e as nuk duhet parë e palidhur me ligjin e dedikuar të sponsorizimeve sportive. Kosova ka një rregullim ligjor të vitit 2017, të riprekur me ndryshime përmirësuese në vitin 2019, dhe në 7 vitet e fundit, që reflekton më së miri edhe përputhshmërinë me Rregulloren e Këshillit të BE -së 2015/ 1588 (13.07.2015) mbi zbatimin e neneve 107 dhe 108 të Traktatit mbi funksionimin e Bashkimit Evropian për kategoritë e caktuara të ndihmës shtetërore horizontale, OJ L 248/1, 24.9.2015. Ndërhyrja në vitin 2019 kishte vetëm një qëllim, një karakter shtrëngues për pranuesin e sponsorizimit, që sanksionohej me 1 deri në 20 mijë euro nëse marrëveshjen me sponsorizuesin ose reklamuesin nuk e lidhte me shkrim, nuk përgatiste raport për marrjen e sponsorizimit dhe/ose reklamës, nuk i shfrytëzonte mjetet sipas marrëveshjes dhe nëse nuk i ruante materialet për 5 vjet.
Ligji i vitit 2017, sponsorizuesve dhe reklamuesve në aktivitetet e sportit u njeh zbritjen tridhjetë përqind (30%) nga tatimi në fitim, ndërsa në sponsorizimet në fushën e kulturës dhe rinisë u njihet zbritja njëzet përqind (20%) nga tatimi në fitim në bazë të Ligjit Nr.05/L-029 për Tatimin ne të Ardhurat e Koropratave. Po ashtu, ligji parasheh se shpenzimet e reklamës në fanela sportive, objekte sportive dhe kulturore, përmes radios, televizonit, gazetave, revistave, portaleve, reklama të drejtpërdrejta, ueb faqe, posterat, afishet, tiketat, billbordat, reklamat tranzite e të ngjashme janë shpenzime tërësisht të zbritshme, për qëllime tatimore. Në Kosovë, të hyrat nga sponsorzimet janë të hyra të patatueshme për përfituesin e sponzorizimit, me disa përjashtime të mirëpërcaktuara në ligj. Kjo arkitekturë ligjore, e ndërtuar thjesht, në një ligj me 19 nene, tashme është konceptuar edhe për Shqipërine. Njerëzit po e mirëpresin, sportistët po e përjetojnë, e ardhmja e sportit do jetë me e qeshur. Rezultatet, me siguri në 2-3 vite do të jenë në nivele të larta. Aty ku sigurisht, hapa dhe zhvillime ka patur, por vrulli botëror dhe nevojat në rritje të sportit për financa, të shoqërisë për më shumë jetë sportive dhe kulturore, të potencialit të sponsorizimeve dhe reklamimeve për ta fuqizuar si sportin, si jetën kulturore në vend ende nuk është kuptuar si duhet.
PANORAMASPORT.AL













